Zhvillimet e fundit në Bashkësinë Islame të Maqedonisë janë disi të papritura për publikun e gjerë dhe pozicionin e krijuar prej kohësh të Reisit të BFI-së së Shkupit Sulejman Rexhepit. Me sa duket pas një periudhe të gjatë të dominimit të kuadrit të ish-Jugosllavisë ka ardhur koha për reforma edhe në BFI, madje reforma të thella që kanë të bëjnë më shumë me elementin njerëzor të kësaj Bashkësie. Sfidat për këtë Bashkësi janë të gjithanshme për kohën kur po jetojmë, por ajo e aspektit njerëzor dhe transparenca financiare janë një domosdoshmëri edhe nga aspekti fetar. Për këto zhvillime ne ju drejtuam hoxhës së nderuar Bekir Halimit, një nga figurat e mirënjohura të Shkupit dhe në trojet shqiptare për të marrë një pamje të asaj që ka ndodhur dhe zhvillimeve në vazhdim. Ajo çka nevojë BFI që të reformohet është një shkëputje totale nga e kaluara dhe një transparencë financiare, qoftë për resurset, qoftë edhe për shpenzimet e këtyre resurseve,- vëren hoxhë Bekir Halimi. Për më shumë ndiqni intervistën në vijim…
M.- Si e shihni shkarkimin e Sulejman Rexhepit?
B.H. -Është rezultat i patjetersueshëm i zhvillimit te fundit në Bashkësinë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjë e cila pritej me kohë, mirëpo nga mungesa e guximit për të ndërtuar qasje kritike ndaj veprimeve destruktive të cilat gjatë kohë janë bërë nga ish-kreu i Bashkësisë Islame, që tani më në fund, mu ata që ishin afër dhe në shërbim të tij, t’i dalin përballë dhe ta shkarkojnë nga kjo pozitë, në të cilën është më shumë se një dekadë.
M.- A mendoni se Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka nevojë për reforma të mëtejshme?
B.H.- Gjithsesi Bashkësia Islame ka nevojë të reformohet dhe zhvillohet në shumë drejtime. Fillimisht të jetë në nivel të sfidave të shekullit, në aspektin e menaxhmentit, transparencës, dhe zhvillimit të resurseve. Në aspektin juridik, duke reformuar kushtetutën, në drejtimin e procedurave të zgjedhjes së muftive dhe kryetarit të Bashkësisë Islame dhe në përcaktimin e mandatit të pozitës. Duhet kufizuar në dy mandate dhe me përfundimin e dy mandateve duhet t’i kthehen punëve të tyre të mëhershme. Në aspektin e financave duhet insistuar në transparencë financiare, edhe në të ardhurat, por edhe në harxhimin e tyre. Sepse transparenca financiare edhe e ruan ndershmërinë, e cila është virtyt i madh islam, por edhe garanton përkrahje të vazhdueshme nga popullata dhe të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë zhvillimin e bashkësisë islame. Në aspektin e artikulimit të mendimit islam duke marrë pjesë me aktivitetet e veta në mediat shtetërore dhe ato private në të gjitha format e mundshme dhe duke krijuar një urë komunikimi të vazhdueshëm me gazetarët për informim të drejtë dhe të saktë mbi tërë atë që ndodh në BFI dhe rreth saj, apo edhe duke dhënë kontributin e vet të madh në drejtim të zgjidhjes së shumë problemeve me të cilat ballafaqohen shoqëritë tona postmoderne.
M.- Tashme ka nisur gara për kreun, si mendoni se kush do ishte personi i duhur? Çfarë duhet kriteresh duhet të plotësojë ai?
B.H.- Është herët të flitet për emër konkret, porse ai i cili do e meritojë këtë post duhet t’i posedojë disa veti. Duke filluara nga mosha e tij, të mos jetë më i vjetër se 45 vjeç, të mos ketë dosje kriminale nga e kaluara, të mos jetë i implikuar në bëmat e ish-reisit, të mos jetë prej atyre që i aminonin veprimeve tekanjoze të ish-reisit, të ketë aftësi të menaxhimit me këtë institucion kaq të madh dhe kaq të rëndësishëm edhe në rrafshin fetar, por edhe në rrafshin kombëtar, të ketë aftësi të prodhimit të modelit të një teologu bashkëkohor, në rrafshin akademik por edhe në rrafshin e ofrimit të modelit, të jetë karizmatik dhe i pranuar mirë nga besimtarët vizitues të xhamive. Nëse i posedon këto veti dhe gëzon autoritet brenda trupit të imamëve, gjithsesi ai do ketë edhe suksesin e këndjelljes së këtij institucioni edhe reformimin e tij.