1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

BeH, bëhen përgatitjet për varrimin kolektiv më 11 korrik në Potoçari të Srebrenicës

Më të lexuarat

Mes viktimave që do të varrosen këtë vit do të jenë edhe katër të mitur. Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Elvir Salçinoviq, i cili ishte 15 vjeç kur u vra

Në varrezat e Qendrës Përkujtimore Potoçari në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) bëhen përgatitjet për varrosjen e 30 viktimave të sapoidentifikuara të gjenocidit në Srebrenicë, në funeralin kolektiv më 11 korrik të këtij viti, raporton Anadolu.

Punëtorët po mbarojnë hapjen e varreve dhe siç thanë kanë mbetur edhe katër të tjera. Po ashtu është duke u zhvilluar edhe pastrimi dhe rregullimi i varrezave të vizituara nga familjet që kanë varrosur të dashurit e tyre në vitet e kaluara.

Këtë vit, eshtrat e 30 viktimave të gjenocidit të kryer në korrik 1995 kundër banorëve të “zonës së mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë do të varrosen në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Potoçari.

Mes viktimave që do të varrosen këtë vit do të jenë edhe katër të mitur. Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Elvir Salçinoviq, i cili ishte 15 vjeç kur u vra. Ai u vra në zonën e Baljkovicës ndërsa eshtrat e tij u zhvarrosën nga varri masiv i Lipjes afër Zvornikut në vitin 2001.

Ndonëse ai u identifikua në vitin 2011, familja e tij nuk gjeti forcë për të varrosur Elvirin deri në këtë vit. Ai do të gjejë paqen e fundit me babain e tij Turabija dhe vëllain Almirin, të cilët u varrosën në Potoçari, përkatësisht në vitin 2003 dhe 2011.

Do të varrosen edhe dy 16-vjeçarët, Mustafa Mekaniq dhe Esed Klempiq. Eshtrat e tyre janë zhvarrosur gjatë vitit 2001 në lokacione të ndryshme, në zonën e Gllogovës dhe Kamenicës. Ata janë identifikuar edhe në vitet e mëparshme – 2008 dhe 2013, por tani është marrë pëlqimi për varrimin e tyre. Një tjetër i mitur do të gjejë paqen përfundimtare dhe ai është Semir Gjoziq. Ai ishte 17 vjeç kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në vitin 2002.

Nezir Muminoviq është viktima më e vjetër e gjenocidit në Srebrenicë që do të varroset këtë vit. Ai ishte 65 vjeç në kohën kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në zonën e Kamenicës në vitin 2007.

Babë e bir, Vejsil dhe Hasib Mujanoviq do të varrosen këtë vit.

Çdo vit, pas funeralit kolektiv të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në 1995, rizhvarrosjet e viktimave të varrosura më parë bëhen në Potoçari për të shtuar eshtrat që u gjetën më vonë.

Këtë vit do të hapen 71 varre. Në ambientet e projektit të identifikimit të Podrinjës ndodhen rreth 400 mbetje mortore që presin procesin e rizhvarrimit dhe rishoqërimit.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit