3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

BEGATIA E PËRUDHJES NË FE – Hoxhë Muhamed Broja

Më të lexuarat

Koha e sotme karakterizohet me tundime dhe sprova të mëdha të cilat i përkasin natyrave të ndryshme, dyshimeve apo epsheve. Më të ekspozuarit ndaj të dytës janë të rinjtë dhe të rejat.
Kur e shoh ndonjë djalë apo vashë të re të përkushtuar ndaj fesë dhe praktikues të saj, më kujtohet fjala e të Dërguarit të Allahut ﷺ kur i ka përmendur shtatë kategoritë e atyre që do të jenë nën hijen e Arshit: “..dhe një djalosh i cili është rritur në adhurim ndaj Allahut.¹”
Prej skenave të cilat të bëjnë të gëzohesh dhe të pikëllohesh njëkohësisht është kur sheh një turmë të madhe të rinj e të reja të mbledhur para një podiumi ku performon ndonjë këngëtar apo këngëtare me grupin muzikor e cila organizohet në sheshin e qytetit, apo disa të tjerë poshtë urës duke marrë substanca narkotike, ndërsa pak më tutje, i gjen shumë të tjerë të së njëjtës moshë, që kanë ardhur në xhami, ndoshta edhe nga jashtë qytetit, për ta dëgjuar ligjëratën fetare e cila mbahet pas namazit të akshamit.
Udhëzimi dhe përudhja në fenë e Allahut është një begati e pakrahashueshme për të cilën duhet ta falënderojmë Allahun. Megjithatë, asnjëri nuk duhet të ndihet i sigurtë se kjo gjendje do të vazhdojë deri në fund të jetës së tij.
Ndjenja e kënaqësisë, lumturisë dhe zgjerimi i gjoksit që vjen si shkak i adhurimit të Allahut dhe njohjes së Tij duhet të reflektojë në dëshirën e zjarrtë që këtë ta ndiejnë edhe të tjerët. Kjo hyn në kuptimin e hadithit: “Asnjëri prej jush nuk beson (plotësisht) derisa t’ia dojë vëllaut të tij atë që do për vete².”
Në rend të parë këtu duhet të hyjnë prindërit, fëmijët dhe bashkëshortet.
Nuk mund ta kuptoj atë besimtar/e që është i/e përudhur në fenë e Allahut ndërsa nuk i ndërmerr shkaqet që edhe fëmijët e tij të përudhen dhe ta ndiejnë këtë kënaqësi dhe lumturi.
Por, a thua vallë, cilat mund të jenë shkaqet e neglizhencës në edukimin fetar të fëmijëve nga ana e disa prej besimtarëve?
Këtë nuk mund ta di saktësisht, por mund t’i përmend disa prej shkaqeve:

  • Ndoshta mund të jetë si pasojë e dinamikës së jetës dhe angazhimit tejmase për riskun dhe bukën e gojës.
  • Apo, tek disa të tjerë ka ndodhur përmbysja e prioriteteve fetare, e të cilën mund ta vërejmë në entuziazmin e madh të tyre për investim tek fëmijët në kurse të ndryshme: të matematikës, kompjuterike, sportive, kundrejt zbehjes së këtij entuziazmi kur është në pyetje mësimi i Kuranit dhe i fesë.
  • Ndoshta mund të jetë edhe fakti se idetë si: djali ose vajza duhet ta zgjedhin vetë rrugën e udhëzimit apo të devijimit pa edukim të mirëfilltë fetar paraprak, kanë depërtuar thellë në mendësinë e të tjerëve.
    Mund të ketë edhe shkaqe të tjera që nuk i kam përmendur.

Megjithatë, nëse dikush nuk i ndërmerr shkaqet për edukimin fetar të fëmijëve të tij mos të pret nga ta të bëhen njerëz të devotshëm e të edukuar përveç nëse do Allahu.

  1. Transmeton Buhariu (nr. 1423) dhe Muslimi (nr. 1031/91).
  2. Transmeton Buhariu (nr.13) dhe Muslimi (nr. 45).

Shkroi:Dr. Muhamed Broja
Më 31/07/2023 Mitrovicë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit