Shqipëria ka pësuar humbjen e parë në ndeshjen kundër Portugalisë.
Kombëtarja shqiptare ka qenë e pa fat në ndeshjen kundër Portugalisë, pasi ka pësuar humbjen e parë në kualifikimet për kampionatin evropian.
Portugalia ka fituar me rezultat minimal 1:0, me një gol të shënuar në minutën e fundit të kohës shtesë.
Golin e vetëm e shënoi Miguel Veloso, i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendëse.
Kujtojmë se vendësit ishin shumë të rrezikshëm në disa raste, ku arritën të godasin shtyllën në pjesën e dytë me anë të sulmuesit Cikalleshi.
Pas kësaj humbjeje Shqipëria mban pozitën e tretë me 11 pikë, një më pak se sa Danimarka dhe 4 më pak se sa Portugalia.
Komenti live i ndeshjes, aksion pas aksioni.
Ka nisur më në fund edhe sfida e madhe dhe e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Portugalisë, në “Elbasan Arena”, apo shtëpinë e re dhe fatsjellëse të Kombëtares kuqezi, ku janë koleksionuar deri më tani një barazim me Danimarkën dhe një fitore me Armeninë, për të mos harruar këtu edhe fitoren në miqësoren me “gjelat” e Francës, organizatorë të Europianit të vitit 2016, nën një atmosferë tepër të zjarrtë dhe elektrizuese.
Trajneri italian i Shqipërisë, i natyralizuar edhe si shtetas shqiptar, Gianni De Biasi ka vendosur të zbresë në fushë të njëjtin formacion si ndaj Danimarkës, më 4 shtator, sfidë e përfunduar në barazim 0-0. Ndryshimi i vetëm duket se do të jetë aspekti taktik, pasi kuqezinjtë do të luajnë në sulm dhe jo në mbrojtje, siç bënë në Kopenhagen. Në portë Berisha; në mbrojtje Gjimshiti, Cana, Ajeti dhe Agolli; në mesfushë është treshja Xhaka-Kukeli-Abrashi, ndërsa në sulm Gashi, Cikalleshi, Lenjani. Sigurisht, në momentet mbrojtëse, Gashi e Lenjani do të tërhiqen disi më prapa.
Portugalia vjen me 4 ndryshime nga sfida miqësore e humbur me Francës, duke aktivizuar Danny, Miguel Veloso dhe Bernardo Silva në vend të Adrien Silva, Joao Moutinho dhe Eder. Formacioni i ekipit të drejtuar nga Fernando Santos është ky: Patricio; Vierinha, Pepe, Carvalho, Eliseu; Danny, Pereira, Veloso; Nani, Ronaldo, Bernardo Silva.
Min 3 – Luzitanët e kanë nisur disi më të avancuar sesa kuqezinjtë tanë, të cilët duket se po tregohen më të kujdesshëm në këto minuta të para. Sulmi i parë i takon portugezëve, të cilët fitojnë edhe goditje këndi në minutën e 3-të që ekzekutohet nga Veloso, por Danny nuk rrezikon portën e Berishës.
Min 12 – Minuta e 12-të shënon edhe rastin e parë të rrezikshëm të Portugalisë, ku pas një aksioni sulmues, Cristiano Ronaldo merr një pasim të saktë dhe godet, por Berisha i gatshëm të grushtojë në goditje dënimi. Një presion që vazhdon edhe përgjatë minutës së 13, kur nga krosimi i Nanit, topi mbetet brenda zonës dhe Cristiano Ronaldo nga shumë pak centimetra godet shtyllën. Nuk mbaron me kaq, pasi një minutë më pas, një tjetër krosim i hedhur në fushë gjen sërish Ronaldon të vetëm e në momentin kur mund t’i drejtohej portës, topi spastrohet nga kapiteni Lorik Cana. Ylli portugez rrëzohet dhe menjëherë u krijua ideja e një penalltie, por arbitri nuk është i këtij mendimi.
Min 20 – Shënohet një tjetër goditje e rrezikshme dënimi për portugezët nga e majta e sulmit të tyre, e djathta e portierit Berisha. Të gjithë kuqezinjtë në zonën e rreptësisë, të cilët deri më tani nuk kanë lënë hapësira për asin e Portugalisë, Ronaldo. Goditja e dënimit u shpërdorua nga Veloso dhe mund të kishin përfituar lojtarët tanë, por Agolli jep një pasim të gabuar për Lenjanin dhe topi del jashtë vijave kufizuese.
Min 22 – Vjen edhe kartoni i parë për kuqezinjtë dhe ndëshkohet mbrojtësi Gjimshiti. 3 minutat pasuese e shohin formacionin kuqezi më të avancuar duke dalë nga gjysmëfusha e tyre e duke tentuar ndonjë sulm, por pa sukses. Minuta e 26 mund të rezultonte fatale për Shqipërinë. Pas një rrëmuje në mesfushë, portugezët japin një top të gjatë përpara në sulm, ku ndodhej i vetëm Ronaldo dhe për më tepër në pozicion të rregullt, por portieri Berisha tregohet i vëmendshëm dhe del në kohë nga zona e tij, duke larguar topin me kokë. Rrezikoi shumë, pasi mund t’ia lëshonte portën e boshatisur as më pak e as më shumë por yllit të Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo.
Min 30 – Kalojnë 30 minuta lojë nga takimi dhe rezultati mbetet ende i bllokuar në shifrat e bardha 0-0. Ronaldo tentoi sërish me një gjuajtje nga jashtë zone, por topi përfundoi jashtë, pranë shtyllës pingule. Fundi i minutës së 31, Nani pasi triumfon me topin mes lojtarëve kuqezi kroson lehtë në qendër të zonës së rreptësisë, ku Cristiano Ronaldo godet me kokë, por topi përfundon sërish jashtë.
Min 35 – Aksioni i parë për kuqezinjtë zhvillohet pas minutës së 35-të, kur Ajeti kroson për të Gashi, ky i fundit ul topin për Cikalleshin, por gjuajtja e këtij të fundit është për t’u harruar. Asnjë vështirësi për portugezët, të cilët në të 39-n, pas një sulmi nga e djathta e tyre, është Bernardo Silva që godet me të majtën nga jashtë zone, në pozicion të pjerrët, por topi përfundon jashtë, vetëm pak larg shtyllës së djathtë të Berishës. Minuta e 41-të dhe rezultati ende 0-0.
Min 43 – Kuqezinjtë hidhen në sulm pasi sfumojnë një zbritje të portugezëve me Nanin, por lojtarët rrëmbehen dhe nuk kombinojnë siç duhet. Me të humbur topin, Abrashi ndërhyn ashpër ndaj Danilos dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Pjesa e mbetur nuk ka asnjë zhvillim për t’u shënuar. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin e bardhë 0-0, pa shtesa, me dominim total të portugezëve në mesfushë, por me një mbrojtje kuqezi tepër të sigurtë në vetëvete, duke mos lejuar hapësira.
Min 45 – Mbyllet me rrjeta të paprekura pjesa e parë e takimit.
Min 50 – Pjesa e dytë e takimit nis me më shumë vendosmëri për kuqezinjtë tanë, të cilët në dy raste të njëpasnjëshme pas vetëm 5 minutash lojë rrezikojnë dy herë. Fillimisht ishte Cikalleshi, që godet nga jashtë zone pas një sprinti të vazhdueshëm, por topi nxirret në goditje këndi nga portieri Rui Patricio. Pas ekzekutimit të saj, nga një pozicion tepër i volitshëm për të gjuajtur me kokë, mbrojtësi shtatlartë Gjimshiti nuk ia del të shënjestrojë portën, edhe pse në një distancë të afërt.
Min 53 – Vijnë edhe zëvendësimet e para për të dyja skuadrat. Për Shqipërinë largohet Abrashi për t’i lënë vendin Migjen Bashës, ndërsa te Portugalia futet Cedric në vend të Vieirinhas.
Min 60 – Vjen edhe rasti i parë i rrezikshëm për portugezët në këtë pjesë të dytë. Nani kërkon hapësirat nga e majta, kombinon me një tjetër lojtar portugez dhe ky, teksa shkon drejt vijës fundore kthen topin më në qendër për Danny, por ky i fundit godet tepër lehtë. Asnjë rrezik për Berishën. Portugalia vijon të sulmojë, por edhe pas 3 minutash, sërish nuk ia dalin të rrezikojnë bindshëm. Cana spastron një top në lartësi, duke e kthyer te portieri kuqezi.
Min 65 – Shqipëria ka fituar më shumë besim në forcat e veta dhe mban kontrollin e topit edhe më shumë sesa në pjesën e parë. Një rreziku të mundshëm i bën parapri trajneri Santos i Portugalisë, i cili hedh në fushë edhe Quaresman për Bernardo Silva. Një tërheqje e pakuptueshme e portugezëve, duke i lënë më shumë hapësira kuqezinjve, të cilët zbresin deri në zonën e rreptësisë edhe me Gashin në një tjetër rast.
Min 69 – Një tjetër goditje dënimi për Portugalinë, pas një topi të dyshimtë të prekur nga mbrojtësi ynë përpara se Nani të rrezikonte me topin që po dilte jashtë vijës fundore.
Min 71 – Trajneri italian De Biasi kërkon t’i japë më shumë fresk sulmit kuqezi, duke nxjerrë Gashin dhe duke aktivizuar Odise Roshin, tashmë që ndeshja është bërë më e paparashikueshme dhe topi luhet nga të dyja anët e fushës. Portugalia zbret shpesh, por mbrojtja kuqezi duket e pamposhtur edhe këtë takim, siç bëri edhe në Danimarkë.
Min 75 – Traversa i mohon golin Sokol Cikalleshit, pas një aksioni pa shumë pretendime nga tanët. Një neglizhim thuajse total i mbrojtjes portugeze, topi i ardhur nga e djathta largohet nga mbrojtësi portugez drejt qendrës, aty ku Cikalleshi zotëron topin, godet fuqishëm por topi ndalet nga traversa, aty ku ndahet me shtyllën pingule në krahun e majtë të portierit Rui Patricio, i cili nuk mund të bënte gjë, veçse ta shoqëronte me sy topin. Pa përfunduar drithërimat, Basha i ndodhur brenda zonës së rreptësisë rrëzohet, por gjyqtari i ndodhur pranë aksionit nuk akordon 11-metërsh.
Min 76 – Zëvendësim te portugezët, del Danny dhe futet Eder. Vetëm një minutë më pas Ronaldo rrezikon portën e Berishës me një gjuajtje nga distanca, por gardiani kuqezi u gjend të pozicion për të shpëtuar. Minuta presioni të jashtëzakonshme për Shqipërinë, që fiton njëra pas tjetrës dy goditje nga këndi. Ende pa rrezikuar bindshëm.
Min 80 – Rast i artë për Portugalinë. Mbrojtësi Eliseu del i vetëm nga e majta, përfiton nga hapësira e lënë prej mbrojtësve kuqezi dhe detyron edhe Berishën të dalë nga katërkëndëshi. Tenton portën me një gjuajtje parabël, por topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë të portierit kuqezi. Edhe fati është në krahun e kuqezinjve.
Min 82 – Nani duket se nuk i kontrollon dot nervat dhe ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Canës në mesin e fushës.
Min 85 – Taulant Xhaka tenton driblimin nga e majta e sulmit shqiptar, i ndihmuar edhe nga fati, duke nervozuar Veloson që i shkakton një ndërhyrje të parregullt. Ndërpritet loja për një goditje dënimi në favor të Shqipërisë nga një distancë e ndërmjetme dhe nga e majta e sulmit. E merr përsipër vetë Xhaka, i cili godet jashtë.
Min 85 – Gjatë ndërprerjes së lojës, De Biasi merr kohë edhe për zëvendësimin e fundit. Largohet Cikalleshi dhe futet në fushë Bekim Balaj.
Min 90 – Akordohen edhe 3 minuta shtesë, Shqipëria sërish në sulm me anë të Lenjanit, që hedh një krosim në fushë, por nuk gjen askënd. Edhe pak minuta drejt fundit të asaj që mund të jetë një hapi i sigurt drejt kualifikimit në “Euro 2016”.
Min 92 – Një goditje nga këndi për Portugalinë nga e djathta e sulmit, topi hidhet në zonë ku Miguel Veloso kërcen mbi të gjithë dhe e dërgon topin në cepin e majtë të Berishës. 0-1 dhe me këtë rezultat mbyllet takimi.