3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bedri – Kryelartësia dhe arroganca i çojnë njerëzit në vendin e tyre të ekzekutimit

Më të lexuarat

Më 17 Ramazanit, të vitit të dytë hixhrij, u zhvillua Beteja e madhe e Bedrit.

Beteja e Bedrit nuk ka qenë vetëm betejë, por ajo ishte hera e parë që Islami e ‘nxori’ shpatën e tij dhe proklamoi se pas ditës së sotme Islami nuk është më i dobët dhe me krahë të thyer, sepse Allahu Plotfuqishëm i shpalli Pejgamberit të Tij:

“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve). Atyre që janë dëbuar nga vatra e tyre padrejtësisht, vetëm për shkak se thanë: “Zoti ynë është Allahu…” (el-Haxh, 39-40)

Nga Beteja e Bedrit, kemi nxjerrë këto mësime:

– Vullneti i Allahut është mbi çdo gjë. Atë ditë, muslimanët deshën ta kapnin karvanin e mushrikëve, i cili po tregtonte me pasurinë e tyre nga Meka. Kurejshët dëshironin ta mbronin karvanin me çdo kusht, por Allahu deshi që të ndodhte beteja.

Kryelartësia dhe arroganca i çojnë njerëzit në vendin e tyre të ekzekutimit. Ebu Xhehli dëshironte ta shkatërronte grupin e vogël të muslimanëve dhe në Bedër të bënte festë të madhe, por në vend të festimit, atij në Bedër iu bë varrimi (funerali).

– Askush nuk e di të fshehtën (gajbin) përveç Allahut, madje as Pejgamberi (savs), nuk e dinte se do të ndodhte Beteja e Bedrit.

– Feja është më e shtrenjtë se fisi, më e çmuar se atdheu dhe më superiore se familja.

– Udhëheqësi nuk i fsheh të afërmit e tij për t’i shpëtuar nga beteja. I Dërguari i Allahut (savs), i ftoi njerëzit e tij më të afërt, që të dalin në dyluftim me idhujtarët edhe para betejës: xhaxhain e tij Hamza (r.a.), dhe djalin e xhaxhait dhe dhëndrin, Aliun (r.a.).

– Njeriu fisnik nuk e harron bamirësinë që i është bërë atij. Pejgamberi (savs), i shikoi idhujtarët e zënë robër në Bedër, dhe me atë rast iu kujtua Mut’am ibn Adij, njëri nga udhëheqësit e mushrikëve të Mekës, i cili, edhe pse nuk e përqafoi Islamin, Pejgamberit (savs) i ofroi mbrojtje, në momentin më të vështirë, kështu që tha: “Nëse do të ishte Mut’am ibn Adij gjallë, dhe nëse do të kërkonte nga unë që t’i liroj këta të burgosur, unë do t’i kisha liruar.”

– Xhihadi është bërë detyrim, sikur që është bërë detyrim edhe agjërimi. Në Kuran për të dyja dispozitat përdoret forma e njëjtë e imperativit: “Ju është urdhëruar agjërimi” – (Kutibe alejkumus-sijamu) (2:183). “Ju është urdhëruar lufta” – (Kutibe alejkumul-kitalu) (2:183).

– Lutja është një armë e besimtarit, pavarësisht nga fuqia e shpatës së tij. Para Betejës së Bedrit, Pejgamberi (savs), u veçua nga ushtria e tij, dhe me përulësi iu lut Allahut:

– O Zoti im, më dhuro fitoren që ma ke premtuar! O Zoti im, në qoftë se ky grup shkatërrohet sot, nuk do të ketë askush që do të adhurojë Ty në Tokë!”

– Nëse dikush do të lirohej nga shura (konsultimi reciprok), ai do të ishte Pejgamberi (savs), sepse u ndihmua me Shpallje, por ai neve përmes institucionit të shura-s na mësoi se dora e Allahut është mbi xhematin në çdo aspekt.

– Beteja e Bedrit na ka mësuar se atij, i cili e dëshiron botën tjetër, dynjaja do t’i vjen me bollëk, ndërsa ai, i cili e dëshiron vetëm këtë botë, do ta humbë edhe këtë botë edhe botën tjetër (edhe dynjanë edhe ahiretin).

Autor: Ed’hem Sherkavi

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit