Ideja që është dëgjuar në Kosovë nga kryeministri Albin Kurti dhe është përsëritur edhe nga zyrtarë të tjerë, që të ndahet procesi i integrimeve evropiane nga dialogu me Serbinë, konsiderohet në parim e palogjikshme dhe e pamundur nga shumë diplomatë në selinë e Bashkimit Evropian.
Kurti kishte thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh. Këto deklarata Kurti i kishte bërë në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që është mbajtur më 22 janar në Shkup të Maqedonisë Veriut.
Disa prej diplomatëve të BE-së, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se zgjidhja e problemeve apo çështjeve të hapura me fqinjët për secilin vend është në thelb të procesit të zgjerimit.
“Bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe gatishmëria për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët nëpërmjet mjeteve politike dhe dialogut, qysh nga samiti i Zagrebit në vitin 2000 e deri me sot është vendosur si kusht në procesin e zgjerimit. Pa këtë kusht, zgjerimi nuk do të kishte kuptim, sepse BE-ja nuk dëshiron të ketë vende anëtare, të cilat kanë konflikte me fqinjët“, ka thënë një diplomat i BE-së duke rikujtuar se „normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një prej çështjeve më të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Edhe zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, ka thënë se raportet e mira fqinjësore dhe pajtimi janë gur themeltar i procesit të integrimit në BE.
“Raportet e mira fqinjësore, pajtimi dhe normalizimi i raporteve janë gur themeltar i procesit të anëtarësimit në BE për secilin vend aspirues. Kjo, po ashtu, është pjesë ligjore e përfshirë në dokumentet relevante që lidhen me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjitha vendeve tjera”, ka thënë në përgjigjen e tij Stano.
“Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë qenë të qarta si kristali – në deklaratat publike dhe direkt me partnerët, se rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbin çon përmes dialogut për normalizimin e raporteve”, ka thënë ai duke rikujtuar disa konkluzione të Këshillit të BE-së që nga viti 2013, e deri te konkluzionet e fundit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme nga 12 dhjetori i vitit të shkuar.
Në ato konkluzione ishte shkruar se normalizimi i raporteve dhe implementimi i obligimeve nga dialogu janë kushte esenciale në rrugën evropiane të Kosovës dhe të Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbin rastet e rëndësishme në mungesë të progresit.
Sipas diplomatëve evropianë, dialogu është mjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi është kusht për të dyja vendet për progresin e tyre në procesin e integrimeve evropiane. Prandaj, thonë këto burime, është e pamundur dhe do të ishte në kundërshtim me logjikën e procesit të zgjerimit sikur ky kusht të hiqet.
Burimet e BE-së kanë thënë se edhe nga Serbia është dëgjuar disa herë se nuk mund “të mbetet peng i dialogut“, sepse Beogradi pretendon se i ka përmbushur të gjitha obligimet, kurse Kosova nuk i ka përmbushur dhe, sipas tyre, “Kosova mban përgjegjësi për mungesën e progresit në procesin e normalizimit të raporteve”.
Por, ajo që është e kuptueshme, sipas diplomatëve e të BE-së, është që secili vend që aspiron anëtarësimin në BE të ketë rrugën e vet dhe të vlerësohet në bazë të meritave të veta individuale në përmbushjen e kritereve.
“Kjo do të thotë se nëse Kosova i përmbush obligimet e saj e Serbia jo, atëherë Kosova nuk do të pengohet për të përparuar. Do të vlejë edhe e kundërta, që Serbia të mos jetë peng i dështimit të Kosovës në përmbushjen e obligimeve”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Burimet në BE rikujtojnë se zbatimi i obligimeve nga dialogu do të bëhet edhe pjesë formale e procesit të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, duke e përfshirë edhe në kapitullin 35 të Kornizës negociuese të BE-së siç kanë kërkuar edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
/REL