BE thotë se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me masakrat ndaj muslimanëve në provincën Arakan nga ushtria e Mianmarit
BRUKSEL (AA) – Bashkimi Evropian (BE) tha se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me masakrat ndaj muslimanëve në provincën Arakan nga ushtria e Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit të BE-së Maja Kocijançiç në një konferencë për media lidhur me pyetjen e gazetarit të AA-së se “Qindra muslimanë në Arakan i janë nënshtruar persekutimit të ushtrisë së Mianmarit. Apo mendon BE-ja që të japë një deklaratë në kuadër të këtyre zhvillimeve apo duke i mbajtur në plan të parë marrëdhëniet me qeverinë e Mianmarit po zgjedh që t’i mbyllë sytë përpara dramës së muslimanëve të Arakanit”?, tha se po ndjekin nga afër gjendjen.
“Nuk i kemi mbyllur sytë për Arakanin. Në mesazhin e publikuar më 25 gusht ne kemi dhënë disa propozime për përmirësimin e gjendjes. Mendojmë se zhvillimet janë shqetësuese dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje”, tha Kocijançiç.
Zëdhënësja e Këshillit Evropian për muslimanët Rohingya (ERC) Dr. Anita Schug dje në një deklaratë tha se në sulmet e kryera në tre ditët e fundit nga ushtria e Mianmarit në provincën Arakan, janë masakruar 2 deri në 3 mijë muslimanë ndërsa më shumë se 100 mijë muslimanë janë zhvendosur nga vendet e tyre.
Pas sulmeve të zonave të kontrollit policor në vend në muajin tetor të vitit të kaluar ku 9 policë kishin humbur jetën, muslimanët nga Arakani ishin viktimë e shkeljeve të të drejtave dhe operacioneve të nisura nga ushtria e Mianmarit.
Kombet e Bashkuara (OKB) kishte caktuar komisionin e hulumtimeve për të ndriçuar atë se çfarë po ndodh në rajon, por qeveria e Mianmarit ndaloi hyrjen e anëtarëve të komisionit në rajon.
Raporti i prezantuar te qeveria nga Kimisioni i Mbështetjes së Arakanit të formuar nën kryesimin e ish/sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan dhe mbështetjen e ministrit të Jashtëm të Mianmarit Aung San Suu Çii, para pak kohësh u prezantua te opinioni publik.
Ndryshe, muslimanët e Arakanit humbën të drejtën e shtetësisë në Mianmar nëpërmjet një ligji të miratuar në vitin 1982, ndërsa llogariten si popull “pa shtet”. Ata llogariten si “pakica më e persekutuar” nga OKB, ndërsa përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.