Kur Izraeli sulmoi Gazën në vitin 2014, BE-ja në të njëjtin vit vendosi një embargo armësh ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë, por nuk e zbatoi të njëjtën gjë për Izraelin. Pra, shtoi ai, “ka padyshim standarde të dyfishta shumë të qarta”
Bashkimit Evropian (BE) i mungon një masë që ndalon tregtinë e armëve me Izraelin që po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid në Rripin e Gazës. Kjo mungesë u lejon vendeve anëtare të bllokut evropian të vazhdojnë eksportet dhe importet nga Izraeli.
Në pjesën e dytë të serisë “Mbështetja perëndimore për armët izraelite” të mbajtur në Bruksel, Anadolu intervistoi gazetarin dhe autorin irlandez, David Cronin, i cili është ekspert mbi këtë temë.
Duke iu referuar masave të përkohshme të gjykatës në Hagë, Cronin tha se “kjo duhet të ishte bërë më herët, por kjo dërgoi një sinjal shumë të qartë se vendet në mbarë botën kanë detyrim të mos ndihmojnë Izraelin në aktet e gjenocidit kundër palestinezëve”.
Cronin theksoi se vendimi i gjykatës mund të çojë në raste shtesë që sfidojnë bashkëpunimin e armëve midis Evropës dhe Izraelit, duke shkaktuar shqetësim në disa vende.
“Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se bashkëpunimi i armëve mund të jetë reduktuar, por është ende duke vazhduar midis Evropës dhe Izraelit. Nuk ka asnjë vendim të marrë nga BE-ja për të vendosur një ndalim të tregtisë së armëve me Izraelin, për fat të keq”, tha Cronin.
Kur Izraeli sulmoi Gazën në vitin 2014, BE-ja në të njëjtin vit vendosi një embargo armësh ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë, por nuk e zbatoi të njëjtën gjë për Izraelin. Pra, shtoi ai, “ka padyshim standarde të dyfishta shumë të qarta”.
“Ndoshta ai term nuk është as i përshtatshëm për të përshkruar atë që ka ndodhur. Bashkëpunimi i armëve me Izraelin e bën BE-në bashkëpunëtor në gjenocidin aktual në Gaza”, theksoi ai.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar
Cronin tha se vendet e BE-së jo vetëm që po transferojnë armë në Izrael, por edhe po importojnë.
“Zyrtarët gjerman zhvilluan një vizitë në selinë e Industrisë Ajrore të Izraelit në muajin maj, ku pati një diskutim rreth blerjes së mundshme të ‘Arrow 3’ nga Gjermania”, tha ai, duke iu referuar raketës anti-balistike hipersonike që financohet, zhvillohet dhe prodhohet bashkërisht nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Cronin theksoi se kompania shtetërore izraelite e armëve “ka prodhuar shumë nga armët që po përdoren aktualisht, drone dhe armë të tjera që përdoren aktualisht për të vrarë njerëz në Gaza”.
Duke theksuar se tregtia e armëve funksionon në mënyrë dypalëshe, Cronin tha se Berlini në dekadën e fundit ka transferuar armë të shumta në Izrael, por Gjermania është gjithashtu një klient i rëndësishëm i industrisë izraelite të armëve.
“Pra, ne me të vërtetë duhet të flasim për një embargo të dyanshme të armëve”, shtoi ai.
Cronin gjithashtu theksoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon tregtinë e saj të armëve me Izraelin.
“Kompania më e madhe izraelite në pronësi private ‘Elbit Systems’ ka rreth dhjetë fabrika dhe zyra të ndryshme në Britani. Motorët për dronët izraelitë janë duke u prodhuar pranë Birminghamit në Angli”, theksoi Cronin.
Franca
Më tej, Cronin tha se edhe Franca ka dhënë indikacione për ndalimin e shitjeve të armëve në Izrael për shkak të gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza.
Ai theksoi se kompanive izraelite iu ndalua të merrnin pjesë në panairin e armëve ‘Eurosatory’ në Paris muajin e kaluar, por ky vendim u anulua pas një ankese nga Dhoma e Tregtisë Francë-Izrael, Cronin tha se kompanitë e mëdha izraelite nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në panair në mënyrën që kishin planifikuar.
Ai tha se pavarësisht se ishte në pronësi të plotë izraelite, kompania e armëve ‘OIP Sensor Systems’ e ‘Elbit Systems’ në Belgjikë u regjistrua si një kompani belge për të marrë pjesë ne panairin ‘Eurosatory’.
Eksperti irlandez theksoi se kompanitë e armëve holandeze, spanjolle dhe polake gjithashtu morën pjesë në panairin ‘Eurosatory’, duke shfaqur sisteme armësh të përbëra nga komponentë të prodhuar nga Izraeli.
“Bashkëpunimi ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe është bërë mjaft i sofistikuar, kështu që ne me të vërtetë duhet të kemi një ndalim të plotë të të gjitha tregtive midis Izraelit dhe BE-së”, tha ai.
/AA/