1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

BE-ja pret fokus për targat, Asociacionin dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse

Më të lexuarat

Pas arritjes së pajtimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përdorimin e dokumenteve të identitetit për kalimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, fokusi, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pritet të jetë në vazhdimin e përpjekjeve për çështje të tjera – disa prej të cilave konsiderohen si urgjente.

Në Bashkimin Evropian besojnë se arritja e kompromisit për dokumente, për të cilin njoftoi përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, të shtunën, do të ndihmojë shumë për t’i ulur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ky sukses, nga diplomatët në BE, cilësohet edhe si dëshmi se kur veprojnë së bashku BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arritja e qëllimeve është më e lehtë.

Por, rikujtojnë diplomatët në Bruksel, mbeten edhe disa çështje të tjera që duhen zgjidhur, e për të cilat palët janë shumë larg në qëndrime.

Çështje urgjente vazhdon të konsiderohet ajo e targave të veturave. Në BE pohojnë se angazhimi aktiv do të vazhdojë, me qëllim të arritjes së një kompromisi edhe rreth kësaj teme. Kjo çështje, thonë diplomatët në Bruksel, ka potencial për të krijuar tensione në terren.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë shoferët në Kosovë, që vozisin makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i zëvendësojnë ato me targa RKS – Republika e Kosovës.

Qeveria, po ashtu, pati vendosur që të gjithë qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë, të pajisjen me një dokument të veçantë, të lëshuar nga autoritetet kosovare. Serbia, me vite, ka vepruar ngjashëm me shtetasit e Kosovës që kanë hyrë në territorin e saj.

Ka qenë e paraparë që këto dy vendime të hynin në fuqi më 1 gusht, por, për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e tyre për 1 shtator.

Tani që çështja e dokumenteve për hyrje/dalje është zgjidhur, mbetet ajo e targave që pritet të zbatohet nga fillimi i muajit të ardhshëm.

Burimet evropiane thonë se do të ishte mirë që të shfrytëzohej “atmosfera e krijuar me pajtimin për dokumentet” që të arrihen përparime edhe në temat tjera.

Burimet evropiane thonë se do të ishte mirë që të shfrytëzohej “atmosfera e krijuar me pajtimin për dokumentet” që të arrihen përparime edhe në temat tjera.

Tashmë, konfirmojnë burimet në BE, ka pajtim të plotë për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për çështjen e të zhdukurve nga koha e luftës së viteve 1998/99.

Kjo ishte e gatshme edhe për takimin e fundit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt më 18 gusht. Por, siç thuhet, ajo mbeti nën hijen e tensioneve për dy temat tjera – atë të targave dhe të dokumenteve.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, duke arritur dhjetëra marrëveshje. Megjithatë, zbatimi i tyre në terren lë për të dëshiruar.

Në BE thonë se janë edhe dy tema, për të cilat duan që të nisin bisedimet, ndërkohë që Kosova dhe Serbia kanë qëndrime krejt të kundërta.

Njëra është ajo e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këtë e kërkon Serbia, duke pasur edhe mbështetjen e BE-së dhe mirëkuptimin e SHBA-së.

Por, problem mbetet refuzimi i Qeverisë së Kosovës që të diskutohet për të dhe refuzimi i Serbisë që Asociacioni të krijohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Të shohim së pari propozime konkrete nga Kosova për formimin e tij [Asociacionit]. E, atëherë do të shohim se cilat mund të jenë implikimet ligjore”, ka thënë një burim i BE-së kur është pyetur se a është edhe qëndrim i BE-së, sikur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Çështja tjetër që BE-ja dhe SHBA-ja dëshirojnë ta shohin është “angazhimi konkret, konstruktiv dhe dinamik i palëve” për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e cila është edhe synimi kryesor i dialogut. Por, palët e shohin ndryshe edhe këtë.

Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë shtete të BE-së që e kanë njohur Kosovën si shtet, thonë se baza e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë – si dy shtete sovrane. Por, Serbia vazhdon të thotë se nuk dëshiron të bisedojë për njohjen e Kosovës.

Në BE presin që tash, për të gjitha këto tema, të ketë dialog konstruktiv dhe që, me gjithë mospajtimet, liderët të takohen rregullisht, së paku një herë në muaj.

Burimet e BE-së thonë se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, gjatë takimit të fundit në Bruksel, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’u takuar rregullisht.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit