2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

BE: Izraeli sekuestron toka në Bregun Perëndimor në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Më të lexuarat

“Izraeli vazhdon të sekuestrojë tokat në Bregun Perëndimor të pushtuar në përgjigje të vendimit të disa vendeve evropiane për të njohur shtetin palestinez”, tha Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se Izraeli vazhdon të sekuestrojë tokat në Bregun Perëndimor të pushtuar në përgjigje të vendimit të disa vendeve evropiane për të njohur shtetin palestinez, transmeton Anadolu.

Borrell bëri deklarata për situatën e fundit në Gaza dhe Palestinë në një intervistë ekskluzive për televizionin “Al Arabiya” me bazë në Dubai.

Duke kujtuar se BE-ja ka mbrojtur “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje” që nga fillimi i sulmeve si dhe ka dënuar sulmet joproporcionale kundër civilëve në Gaza, Borrell tha: “(Brenda BE-së) Mund të ketë mendime të ndryshme, por mesazhi i BE-së është i qartë: ligji ndërkombëtar dhe ligji humanitar duhet të respektohen dhe operacionet ushtarake duhet të përputhen me këtë”.

Ai nënvizoi se nuk është i autorizuar të flasë për armët e ofruara për Izraelin nga vendet anëtare të BE-së. “Unë përfaqësoj BE-në dhe duart e mia janë të lidhura sepse tregtia e armëve është autoritet kombëtar. Në eksportet e armëve, çdo vend vendos kush, çfarë dhe për çfarë arsye do të mbështesë. Ka vende anëtare që i ofrojnë armë Izraelit dhe ata vazhdojnë ta bëjnë këtë, por unë nuk mund të bëj asgjë për këtë, sepse nuk kam autoritet për këtë çështje”, tha Borrell.

– Reagimi ndaj sekuestrimit të tokës nga Izraeli në Bregun Perëndimor

Borrell tha se megjithëse BE-ja përpiqet të arrijë paqen për çështjen Izrael-Palestinë, ka pikëpamje të ndryshme midis vendeve anëtare dhe se disa vende kanë shqetësime në lidhje me njohjen e Palestinës se kjo “mund të shkaktojë reagim nga qeveria izraelite”.

Ai tha se Izraeli vazhdon të sekuestrojë tokat në Bregun Perëndimor të pushtuar në përgjigje të vendimit të disa vendeve evropiane për të njohur shtetin palestinez.

“Disa vende besojnë se nuk është koha për të njohur (shtetin palestinez) dhe se mund të jetë edhe kundërproduktive. Mund të shkaktojë reagim nga qeveria izraelite, ashtu si ditët e tjera. Ata sekuestruan disa pjesë toke (në Bregun Perëndimor) dhe e justifikuan këtë duke thënë: ‘Ne do të marrim një pikë për çdo vend që njeh sundimin palestinez’. Kjo është diçka që nuk ka të bëjë absolutisht me vendimin e marrë nga vendet dhe është në kundërshtim me interesat e popullit palestinez dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Borrell.

Borrell kujtoi se BE-ja pranoi vendimin e OKB-së se Bregu Perëndimor është “zonë e pushtuar si rezultat i luftës dhe nuk është pjesë e Izraelit brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”.

“Por, sot ministrat e qeverisë izraelite e ftojnë hapur kryeministrin Benjamin Netanyahu që t’i marrë këto toka duke thënë: ‘Këto toka na përkasin neve, pushto Bregun Perëndimor.’ Kjo është kundër ligjit ndërkombëtar. Kjo është kundër asaj që ne mbështesim”, potencoi shefi i diplomacisë evropiane.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit