Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) njoftoi se Bashkimi Evropian ka dhuruar 90 milionë euro të cilat do të ndihmojnë projektet për mbështetje të refugjatëve sirianë në Liban, Jordani dhe Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
UNICEF njoftoi të martën se donacioni në Ditën Botërore të Refugjatëve ka për qëllim të ndihmojë vendet mikpritëse të qindra mijëra fëmijëve dhe të rinjve që të sigurojnë qasje në arsim, formim profesional dhe mbështetje psikologjike.
Thuhet se kontributi i fundit paraqet reagimin e BE-së lidhur me mungesën të gati 200 milion eurove për punën e UNICEF-it në krizën siriane.
Ky lajm erdhi vetëm disa ditë pasi UNICEF emëroi 19-vjeçaren siriane Muzoon Almellehan, për ambasadore të Vullnetit të Mirë, që është refugjatja e parë ambasadore.
Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë thotë se rreth dy milionë fëmijë nga Siria jetojnë si refugjatë në Jordani, Liban dhe Turqi.