-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“BDI-ja nga beteja kundër kryqit, në kryqin e Todor Petrovit”

Më të lexuarat

Blerim SEJDIU
Dy ministrat e BDI-së, ai i Drejtësisë – z.Valdet Xhaferi dhe ajo e Pushtetit Lokal – znj.Shiret Elezi, si edhe kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas (KBM) – z. Todor Petrov, kanë dorëzuar kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar nga kjo e fundit heqjen e dy neneve të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kodit Zgjedhor, me të cilët do të mundësohej që kryetarët e komunave dhe këshillat komunale të vazhdojnë me mandatin e tyre deri në zgjedhjet e ardhshme lokale (kurdo qofshin ato).

Sipas Kodit Zgjedhor aktual, zgjedhjet lokale duhej të mbaheshin në gjysmën e parë të muajit maj të këtij viti (datë kjo kur ju skadon edhe afati përfundimtar i kryetarëve të komunave dhe këshillave komunale), por për shkak të krizës politike dhe bllokimit të Kuvendit të RM-së, skaduan të gjitha afatet kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e tyre.

Kryetari i KBM-së, Todor Petrov, thotë se ky hap është ndërmarrë gjoja “në interes të qytetarëve” dhe se më 4 prill ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese anulimin e nenit 35, paragrafi 1 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Gjithashtu ju skadon edhe afati përfundimtar i mandatit. Përveç kësaj, në këtë gjykatë – bashkë me ministrat e BDI-së – T. Petrov ka dorëzuar edhe ndryshimin e nenit 16, paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor.

Së pari, sipas legjislacionit pozitiv në sistemin juridik të Republikës së Maqedonisë, vetë iniciativa në Gjykatën Kushtetuese është e gabuar (kontestuese). Është i gabuar edhe institucioni ku është dorëzuar ajo, pasi ky institucion shtetëror nuk ka kompetenca për krijimin e së drejtës, por vetëm konstatimin e shkeljeve eventuale të dispozitave kushtetuese dhe harmonizimin e ligjeve me frymën e Kushtetutës. Pra, Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca të bëjë ndryshime ligjore në aspektin e krijimit të të drejtave të caktuara, pasi këtë gjë mund ta bëjë vetëm organi që e ka miratuar ligjin, e ai është Kuvendi i RM-së. Ligjet në fjalë, ai i Vetëqeverisjes lokale dhe Kodi Zgjedhor, janë ligje sistematike, që do të thotë se këto ligje janë miratuar me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend, pra nuk janë ligje që janë miratuar me shumicë të thjeshtë. Këtë e bën edhe më të vështirë iniciativa e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq Gjykata Kushtetuese, në kuadër të kompetencave të veta, mund ta bëjë vetëm interpretimin, abrogimin ose shfuqizimin e dispozitave të caktuara Ligjore, të cilat në momentin kur kanë hyrë në fuqi mund të kenë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e RM-së. Kjo gjykatë nuk ka të drejtë kushtetuese e as ligjore që të konstatojë se duhet apo jo t’u vazhdohet mandati kryetarëve të komunave ose këshillave komunale. Ajo nuk ka kompetencë të japë, të vazhdojë ose të heqë mandate, e aq më pak kur bëhet fjalë për mandatet e autoriteteve lokale.

Së dyti, është tepër e habitshme se kush janë autorët e kësaj iniciative në Gjykatën Kushtetuese. Paramendojeni: dy ministra të BDI-së dhe Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, përndryshe “ish i sulmuari fizikisht” në rastin e gurthemelit të kryqit në komunën e Butelit. Atëkohë BDI-ja aktronte kinse është kundër kryqit në Butel, aktronte kinse proteston, krekosej se e ka rrahur autorin e vendosjes së gurthemelit të kryqit në këtë komunë, që ashtu ta mashtrojë opinionin e gjerë. Por rrena dhe mashtrimi nuk zgjasin shumë dhe ja ku jemi pas disa muajve dhe tash personi që kinse atëherë “u sulmua”, sot bashkë me ministrat e BDI-së kanë nisur iniciativë të njëjtë në gjykatën e njëjtë, për qëllime të njëjta (vazhdim të mandatit të kryetarëve të komunave dhe këshillave lokale). A thua, vallë, i tejkaluan dallimet fetare që i “kishin” këto dy palë për kryqin në Butel? A thua, vallë, i harruan “sulmet fizike” këta? A thua, vallë, mendojnë se ne si popull jemi kaq naivë apo ndoshta, nga infantiliteti dhe mediokriteti politik që e kanë, mendojnë se edhe ne jemi në atë gjendje?

Neni 35, paragrafi 1 i Ligjit për Vetëqeverisje lokale (“Gazeta zyrtare e RM-së nr.5 e dt.29.01.2002), thotë: “Anëtarët e këshillit zgjedhen për periudhë katër vjeçare.”
Neni 16, paragrafi 1 i Kodit zgjedhorë (“Gazeta zyrtare e RM-së, nr.40/06, 136/08, 148/08, 155/08, 163/08, 44/11, 51/11, 54/11, 142/12, 31/13, 34/13, 14/14, 30/14, 196/15, 35/16, 97/16 и 99/16), thotë: “Zgjedhjet e anëtarëve të këshillit dhe për kryetar komune mbahen çdo katër vite njëkohësisht në të gjitha komunat, në pjesën e parë të muajit Maj.”

Është interesante se edhe para disa muajve, kur VMRO-së i nevojitej që të dorëzojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Vendimit të Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, këtë e bëri përmes BDI-së. Edhe sot, kur VMRO-DPMNE dëshiron të realizojë (luajë) diçka, e bën përmes BDI-së. Dhe, si duket, gjithmonë do ta bëjë. Sepse, BDI është e kryqëzuar nga VMRO dhe e përbetuara e saj. BDI-ja luftoi heroikisht në Kuvend, duke i harruar edhe miqtë e saj ndërkombëtarë në momentin kur nuk e votoi Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, të propozuar nga Prokuroria Speciale Publike, po ashtu sepse ashtu kërkoi “побратим”-i i madh, VMRO-ja. BDI-ja luftoi “heroikisht” edhe në KSHZ, duke arritur që t’ia dhurojë edhe një deputet VMRO-së, pasi këtë ia shkëputën Lëvizjes BESA. Dhe, këto heroizma të BDI-së nuk kanë fund.

BDI-ja, me këto veprime tallëse dhe nënçmuese që i bën në sy të shqiptarëve, tregon se i ka skaduar mandati përgjithmonë dhe për këtë gjë nuk ekziston asnjë organ shtetëror ose ndërkombëtar që mund t’ia vazhdojë atë. BDI-ja i harxhoi të gjitha mundësitë dhe i shteri të gjitha tolerimet te populli. Gjatë gjithë kohës së qeverisjes, por edhe kësaj radhe, ju – të BDI-së – jeni duke promovuar vetëm “глупости”.

Në fotografi: Todor Petrov, kryetari i KBM-së
Burimi: http://shenja.tv/eshte-sulmuar-fizikisht-todor-petrov/

(Autori anëtar i Kryesisë Qendrore i Lëvizjes BESA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit