Komisioni Europian do të miratojë liberalizimin me kusht të vizave për shtetasit turq, pavarësisht qëndrimit të mëparshëm të Brukselit, se Ankaraja duhet të plotësojë kriteret.
Lajmi vjen nga BBC, e cila citon një burim brenda Bashkimit Europian.
Komisioni Europian do të dalë me një deklaratë zyratre të mërkurën. Heqja e vizave ishte një nga kushtet kryesore të marrëveshjes së Marsit, mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, e cila parashikon strehimin në territorin turk të refugjatëve që nuk plotësojnë kushtet e azilit.
Pas deklaratës së Komisionit Europian, se Ankaraja duhet të plotësojë 72 kushtet si çdo vend tjetër, autoritetet turke kërcënuan se pa heqjen e vizave, ujdia nuk do të zbatohet.
Më 23 Prill, Kancelarja gjermane Angela Merkel, e shoqëruar nga Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, vizituan kampin e refugjatëve në Nizip, për të parë nga afër situatën.
Kriza e emigrantëve nga Lindja e Mesme ka trazuar ujërat politikë të shteteve anëtare të BE -së.
Danimarka njoftoi se do të ushtrojë përkohësisht kontrollet në kufirin me Gjermaninë. Një lëvizje që ka detyruar Brukselin të pranojë se do të ketë përjashtime, sa i përket marrëveshjes së Shengenit, transmeton TvKlan.