2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Bazat e edukimit nga këshillat e Lukman Hakimit

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Familja muslimane përbën bërthamën e bashkësisë (shoqërisë) së pastër e të mbarë. Kështu, mbarësia e individit është e lidhur kryekëput me mbarësinë e familjes, bile edhe mbarësia e bashkësisë (shoqërisë) varet nga mbarësia e familjes.

Nëse rregullohen pjesëtarët e familjes ,rregullohet edhe shoqëria dhe nëse prishen pjesëtarët e familjes ,prishet edhe shoqëria. Fëmijët e sotëm janë burrat e ardhshëm. Janë ata që do vendosin fatin (pas përcaktimit të Allahut – pra se si do të jetë ) e shoqërisë. Prandaj del detyrë për prindërit edukimi I tyre (fëmijëve) me një edukatë islame dhe përgatitja për mbajtjen e përgjegjësive kur të bëhen burra.

Për këtë, feja islame i kushton një interesim dhe rëndësi të dorës së parë çështjes së familjes e gjithçka që ka të bëjë me të, sikurse bazat mbi të cilat duhet ngritur, shkaqet e vazhdimësisë në ruajtjen e lidhjeve dhe kompaktësia në të, me qëllim që familja muslimane të mbetet e konsoliduar dhe e mbrujtur vazhdimisht me frymën e dashurisë, mëshirës e mirëkuptimit. Kur’ani e ka bërë mëse të qartë se si burri, ashtu dhe gruaja janë të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Gjithashtu ka orientuar njeriun që të mbrojë veten e tij dhe familjen prej zjarrit të Xhehenemit. Thotë Allahu:
(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ)
{O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.}
Fëmijët janë pasuria dhe dhurata më e çmuar me të cilën Allahu (xh.sh.) i ka shpërblyer prindërit. Prandaj, që të ruhet ky thesar, duhet që për edukimin e tyre të kushtohet kujdesi i veçantë në atë që quhet fillim si foshnje, në fazën e shkollimit dhe në atë të pjekurisë.
Çdo njeri që merr obligimin të bëhet prind, duhet të dijë se merr përsipër një detyrë sa të domosdoshme, aq edhe të rëndë. Prindi duhet të ketë mirë parasysh se ai është kujdestar dhe edukator për fëmijën e vet dhe për gjithçka që përmbledh termi edukatë do të përgjigjet para Allahut (xh.sh.). Me fjalë të tjera, nëse një prind dëshiron të jetojë i respektuar e me nder në shoqëri, duhet t’i kushtojë kujdes edukimit, formimit dhe personalitetit të fëmijës, pasi ai do të jetë nesër pasqyra e mundi i veprës së tij në shoqëri.

Gjetja dhe aplikimi i metodave sa më efikase në drejtim të edukimit dhe formimit të fëmijëve, do të çonte në kryerjen me sukses të detyrës fisnike prindërore dhe do të vendoste themele solide për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të edukimit të fëmijëve, duke plotësuar kështu amanetin hyjnor, për të cilin jemi përgjegjës para Zotit.
”أَلا كلُّكُمْ راعٍ وكلُّكُمْ مسؤولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ ”
“Çdokush është bari (përgjegjës) dhe çdokush do të përgjigjet për kopenë e tij…” (Buhariu dhe Muslimi).
Metodën më efikase në drejtim të edukimit dhe formimit të fëmijëve, na e ka treguar Allahu I Lartësuar në Kuranin Famëlartë. Metodë e cila formon bazat e edukimit dhe kjo bazuar në këshillat e Lukman Hakimit I cili ka qenë njeri I mirë dhe I devotshëm, prandaj dhe Allahu ka emërtuar një sure të plotë me emrin e tij. Le ti shikojmë këshillat e Lukmanit duke nxjerrë prej tyre bazat themelore të edukimit të fëmijëve.

Këshilla e parë: {(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj All-llahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!” }.
Që në fillim shikojmë se Lukmani ka përdorur metodën e këshillës me fjalë të buta të qarta dhe të drejtëpërdrejta.
Dhe padyshim se këshilla e parë ka qenë për çështjen më të rëndësishme e cila është baza e parë dhe më e rëndësishmja në edukim : njëshmëria e Allahut në adhurim I vetëm dhe I pa shok. Pasi shirku (të bërit Allahut shok në adhurim ) është padrejtësia më e madhe.

Këshilla e dytë: {Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin. (E porositëm) Të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. }
Nga kjo këshillë del baza e dytë : Respektimi I prindërve e sidomos I nënës , I cili vjen pas adhurimit të Allahut. Ky respektim është I detyrueshëm në çdo kohë sidomos në çështjet e dynjasë por……{ nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata (mos ju bind në kundërshimin e Allahut), po në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar.}. Pra respektimi I prindërve është detyrë dhe urdhër nga Allahu. Gjithashtu duhet të shtojmë falenderimin e Allahut në fillim e më pas falenderimin e prindërve për çdo gjë që ata bëjnë për tëmirën tonë.
Këshilla e tretë : {O djali im, s’ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë e fshehur në rrasë guri (shkëmb), ose në qiej apo në tokë, All-llahu do ta sjellë atë, do ta nxjerrë në shesh se All-llahu është i butë dhe hollësisht i informuar. Dhe I di të gjitha të fshehtat}.

Nga kjo këshillë del baza e tretë: Të forcuarit te fëmija mbikqyrjen e Allahut mbi çdo gjë, duke mësuar se Allahu është i dijshëm dhe I fuqishëm mbi çdo gjë,qoftë ajo edhe më e vogël se kokrra e lirit (sinapit bimë nga e cila prodhohet mustarda).

Këshilla e katërt: {O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.}
Në këtë këshillë janë tre prej bazave të edukimit të fëmijëve:

1- urdhëri për faljen e namazit si një prej adhurimeve kryesorë dhe shumë të rëndësishëm, I cili është shtylla e dytë e Islamit, adhurimi I parë I cili është bërë obligacion për njerëzimin dhe adhurimi I parë për të cilin do pyetet njeriu ditën e gjykimit. Është lidhja e drejtëpërdrejtë e robit me Zotin e tij (Allahun). Prandaj Allahu na porosit duke thënë:
وَأْمُرْ أَهْلَكَ بِالصَّلَاةِ وَاصْطَبِرْ عَلَيْهَا ۖ
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!
edhe Profeti a.s na ka thënë :
(مُرُوا أَوْلادَكُمْ بِالصَّلاةِ وَهُمْ أَبْنَاءُ سَبْعِ سِنِينَ، وَاضْرِبُوهُمْ عَلَيْهَا، وَهُمْ أَبْنَاءُ عَشْرٍ وَفَرِّقُوا بَيْنَهُمْ فِي الْمَضَاجِعِ) (رواه أحمد وأبو داود، وحسنه الألباني).
“Urdhërojini fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatë vjeçare dhe qëllojini (rrihni) që të falen kur të mbushin dhjetë vjeç dhe ndajini nga njëri-tjetri në shtrat.”

2- Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.
Deri tani këshillat ishin të përqëndruara në rregullimin e vetes dhe kjo bëhet duke njohur Allahun, forcën e Tij,Madhështinë e Tij, duke respektuar prindërit, duke falur namaz. Ndërsa duke filluar nga kjo pjesë e këshillave, përveç rregullimit të vetes janë edhe bazat që ndihmojnë në rregullimin e shoqërisë. S’ka dyshim se baza e parë është të urdhëruarit në të mirë (në adhurimin e Allahut, respektimin e prindërve, faljen e namazit) dhe të ndaluarit nga e keqja ( çdo gjë që bie në kundërshtim me ligjin e Allahut). Duke zbatuar këtë bazë ashti siç duhet, patjetër me lejen e Allahut do të arrihet rregullimi I shoqërisë.

3- Rregullimi I vetvetes dhe I shoqërisë është I vështirë prandaj del detyrë zbatimi I bazës tjetër në edukim : durimi në çdo gjë. Kjo sepse me të vërtetë durimi është مِنْ عَزْمِ الأُمُورِ thelbi I patundur I të gjitha punëve.
Këshilla e pestë: {Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet. Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit. }

Në këtë këshillë kemi disa prej bazave kryesore të edukatës personale dhe shoqërore.

1- respektimi I të tjerëve që në pamjen tënde duke I buzeqeshur pasi ajo të llogaritet sadeka dhe jo ta shtëmbërosh fytyrën tënde para të tjerëve, kjo sjellje të ndihmon që njerëzit të dëgjojnë fjalën tënde kur ti urdhërosh oër të mirë dhe ti ndalosh nga e keqja, ndryshe nuk kanë për ta dëgjuar fjalën dhe do të largohen prej teje krejt njerëzit. Thjeshtësia është cilësi me anën e të cilës Allahu e ngre njeriun në grada të larta në dunja dhe ahiret.

2- mos u bëj mendjemadh, arrogant, pasi mendjemadhësia është cilësi e shejtanit, kur I tha Allahut unë jam më I mirë se Ademi. Mendjemadhësia e tij e bëri të kundërshtojë Allahun dhe meritoi zemërimin dhe dënimin e Allahut.

3- Të jesh i matur në ecjen tënde,duke mos shprehur mendjemadhësi,sepse ti je një krijesë e dobët dhe është Allahu Ai I Cili të ka krijuar dhe të ngre nëgrada apo të poshtëron. Prandaj duhet që ecja të jetë mesatare as e një mendjemadhi dhe as e një të dobëti, të pafuqishëm.

4-ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit. Një prej bazave të komunikimit me njerëzit është të mos ngriturit e zërit,por të biseduarit me një zë mesatar dhe të kuptueshëm, sepse ngritja e zërit nuk është prej cilësive të pëlqyera por prej cilësive të urryera, ndaj dhe Allahu e krahasuar zërin e lartëme zërin e gomarit I cili është zëri më I urryer te njerëzit. Kurse Profeti a.s na ka këshilluar se kur të dëgjojmë zërin e gomarit të themi eudhubil-lahi mish-shejtanirr-rraxhim pasi gomari shikon shejtanët.
————————-ulja———————-
Vëllezër të nderuar!
Këshillat e Lukman Hakimit janë metodika më e mirë për edukimin e fëmijëve me një edukatë islame të shëndoshë, pasi në tojanë vendosur bazat e këtij edukimi. Këto këshilla nuk dalin nga urdhëri I Allahut ( që përmendet edhe në këshillat e Lukmanit) urdhëro për mirë dhe ndalo nga e keqja. Kështu Lukmani ka urdhëruar për mirë :
1-njëshmërinë e Allahut 2- respektimi I prindërve
3- falenderimi I Allahut 4- falenderimi I prindërve
5- faljen e namazit 6- urdhërimi për të mirë
7- ndalimi nga e keqja 8- durimi në çdo situatë
9- Të jesh i matur në ecjen tënde, 10- ule zërin tënd,

dhe ka ndaluar nga e keqja:

1- mos i përshkruaj All-llahut shok
2- mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve,
3- mos ec nëpër tokë kryelartë,

Kështu pra vëllezër musliman çdonjëri prej nesh duhetti mësojë dheti praktikojë këshillat e Lukmanit në edukimin e fëmijëve të tij.

Si mbyllje dua tu jap juve dhe vetes time tre mesazhe
1- Fjala e Allahut :{O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.}duhet të punojmë shumë për ta ruajtur veten dhe familjen tonë nga zjarri.

2-Fjala e Allahut :{Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.}Prindërit duhet të jenë një shembull I mirë për fëmijët e tyre duke e zbatuar ata në veten e tyre fenë, kështu do të ndikojnë te fëmijëtme fjalët dhe veprat e tyre.

3- O ju prindër angazhojini (vërini në punë) me çdo gjë që kënaq Allahun, para se të angazhohen me gjëra që e hidhërojnë Allahun. Kush nuk pason të vërtetën , do pasojë të kotën. Pasimi i të vërtetës të dhuron Xhenetin dhe pasimi I të kotës të çon drejt Xhehenemit.

Lusim Allahun që të na udhëzojë ne, familjet tona, fëmijët tanë drejt të vërtetës dhe të na ruajë neve, familjet dhe fëmijët tanë nga pasimi I të kotës.
Lusim Allahun që të na e lehtësoji edukimin e fëmijëve tanë me edukatë isalme.

Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit