Gjashtë palestinezë janë plagosur dhe tre të tjerë u arrestuan gjatë bastisjes nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, bënë të ditur banorët, raporton Anadolu Agency (AA).
Përleshjet shpërthyen kur forcat izraelite bastisën qytetin Tubas në Bregun Perëndimor verior për të arrestuar tre palestinezë, theksuan banorët.
Forcat izraelite përdorën bombola gazi lotsjellës, plumba të mbuluar me gomë dhe municion të vërtetë për të shpërndarë palestinezët e zemëruar.
Një nga të plagosurit është në gjendje kritike, sipas burimeve mjekësore në Spitalin Turk të drejtuar nga qeveria në qytetin Tubas.
Ushtria izraelite shpesh kryen fushata të gjera arrestimesh në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar me pretekstin e gjetjes së palestinezëve “të kërkuar”. /aa