-0.3 C
Pristina
Monday, January 13, 2025

Bashkësitë Fetare thirrje për qetësim të situatës (VIDEO)

Më të lexuarat

Zhvillimet e fundit politike kanë nxitur shqetësim edhe tek bashkësitë fetare në vend. Krerët e pesë bashkësive fetare kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës, për të dëshmuar vullnet të mirë në vendimet dhe veprimet. Ata po ashtu kanë thirrur për përmbajtje nga veprimet të cilat mund ta rrezikojnë shtetin dhe sigurinë e qytetarëve.

“Kishat dhe bashkësitë fetare në Republikën e Maqedonisë të përfshira në Kushtetutën e vendit, me kujdes të veçantë po i ndjekin zhvillimet të cilat një kohë më të gjatë po e rëndojnë përditshmërinë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Ky rast është mundësi historike të dëshmojmë se vërtetë e duam atdheun tonë të përbashkët – Republikën e Maqedonisë, pa marrë parasysh cilit komb dhe cilit komunitet fetar i takojmë. Duhet ta kemi të qartë se bashkëjetesa e vërtetë arrihet vetëm në paqe, me respektimin e dallimeve dhe të të drejtave të çdo individi, pa cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të të tjerëve”, thuhet në letrën e përbashkët të Bashkësive Fetare.

Bashkësitë fetare gjithashtu u kanë bërë thirrje politikanëve dhe partive politike që të ndërmarrin masa urgjente për tejkalimin e kësaj situate në të cilën ndodhemi.

“U bëjmë apel politikanëve dhe partive që të dëshmojnë dashurinë ndaj njeriut dhe atdhedashurinë dhe, në frymën e respektimit dhe tolerancës të ndërmarrin masa të përbashkëta të menjëhershme, të bazuara mbi rregullat legjitime e ligjore të shtetit, me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe rreziqeve me të cilat po përballemi”, thuhet më tej në letër.

Në letër më tej thuhet se vetëm të bashkuar dhe unik mund të dëshmohet se shoqëria multietnike dhe multifetare mund të funksionojë dhe të mbijetojë.

Teuta Buçi /SHENJA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit