Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, së bashku me stafin e shërbimit, vizitoi Drejtorinë e Burgjeve të Republikës së Shqipërisë, ku në të ardhmen do të ketë vizita të ndërsjella të ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave më të mira për të dyja palët.
Gjatë kësaj vizite Thaçi takoi drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve në Republikën e Shqipërisë, Agim Ismajli, me të cilin diskutuan rreth punëve dhe sfidave, me të cilat ballafaqohen të dyja institucionet.
Sipas një komunikate të shërbimit korrektues, Thaçi dhe Ismajli gjatë takimit shkëmbyen ide dhe përvoja në shumë fusha, si në fushën e trajtimit të burgosurve të dënuar për vepra penale terroriste, në fushën e kontrollit të brendshëm dhe në shumë fusha të tjera me rendësi për të dy palët.
“Në takim, Thaçi dhe Ismajli ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që në të ardhmen të realizohen vizita të ndërsjella, të ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave më të mira për të dyja palët. Në fund të takimit, Thaçi duke e falënderuar Ismajli për mikpritjen, e ftoi për vizitë në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, thuhet në komunikatë./tg