3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Bashkëpunëtori i djalit të Vuçiqit i përfshirë në sulmin në Banjskë” – dy javë pas sulmit terrorist, autoritetet kosovare vazhdojnë me prezantimin e dëshmive të reja

Më të lexuarat

Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me prezantimin e dëshmive të reja, edhe dy javë pas sulmit terrorit që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Të dielën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës. Ministri tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

E për këto dëshmi të prezantuara nga ministri Sveçla, ka reaguar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Sikurse edhe kolegu i saj, edhe Gërvalla ka deklaruar se Jevtiq është bashkëpunëtor i ngushtë i Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Policia e Kosovës gjeti letërnjoftimin dhe veturën e Milorad Jevtiqit në vendin e sulmit terrorist. Jevtiq është bashkëpunëtor i ngushtë i Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Në katër nga pesë vizitat në Kosovë, ai ka kaluar kufirin në shoqëri me Danilo Vuçiqin”, ka shkruar Gërvalla në platformën “X”.

Ministrja më tej ka shtuar se vetëm veprimet vendimtare kundër regjimit të Vuçiqit, do të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Kjo siguron dëshmi të mëtejshme të aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe përfshirjes së saj të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. Vetëm veprimet vendimtare kundër regjimit të Vuçiqit do të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, u shpreh Gërvalla.

E ndaj këtyre fakteve të prezantuara nga autoritetet kosovare, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq mohoi e djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.

Vuçiq përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe Kosovën si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiq, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.

Vuçiq shkoi më tutje, duke e quajtur Kurtin, terrorist.

Ndryshe, në orët e hershme të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua në mënyrë terroriste nga serb të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës.

SHBA-të dhe BE-ja  kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthen në dialog, gjithashtu i është kërkuar Serbisë që të bashkëpunoj në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Gjithashtu shumë shtete të BE-së, kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në këtë sulm, mirëoo zyrtarët e lartë të BE-së kanë deklaruar se do të presin përfundimin e plotë të hetimeve mbi këtë rast. /Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit