Më shumë se 10 milionë sirianë, të cilët kanë braktisur vendin, janë lajmëruar që të kthehen dhe të konfirmojnë shtëpitë e tyre deri në fillim të majit, përndryshe ato do të shtetëzohen.
Ligji i ri i pronave që hyri në fuqi këtë muaj ka ngjallur frikën se qytetarët që kundërshtojnë Bashar al-Assadin përballen me ekzil të përhershëm dhe se komunitetet e tyre do t’i marrin besnikët e regjimit. Shumica e sirianëve që kanë braktisur vendin dhe atyre që janë spostuar brenda tij, e kanë të pamundur ose nuk duan që të kthehen në këtë situatë për të vërtetuar zotërimin e pronave të tyre. Për këtë arsye, ekspertët thonë se ligji i ri dhe koha e shkurtë që u lë njerëzve në dispozcion tregon qartë se ai po përdoret si një instrument ndryshimi demografik dhe inxhinieri sociale.
Ligji i ri i jep fuqi administratave lokale që të regjistrojnë sërish pronat në zonat e tyre, një lëvizje që kërkon praninë e pronarit. Ekspertët thonë se për miliona refugjatë sirianë, jashtë dhe brenda vendit, ky është një mision i pamundur, për të mos thënë vetëvrasës për ata që do të vendosin të kthehen.
Për regjimin, ligji është një mrekulli, pasi shërben si mjet vetting-u për ata që do të kthehen dhe si një mënyrë për të lënë pa asete rivalët politikë. Gjithashtu, e lejon regjimin që të konsolidojë pushtetin duke ripopulluar zonat strategjike të vendit me besnikë të tij, diçka që shuan çdo mundësi kundërshtimi në të ardhmen.
Ligji sirian, përcjell Tch, u diskutua në një konferencë donatorësh mes BE-së dhe OKB-së në Bruksel gjatë kësaj jave, ku të pranishmit pranuan në heshtje se 1,5 milionë sirianë në kontinent do të mbesin aty. Një zyrtar i lartë i BE-së, në kushte anonimiteti u shpreh se ligji i pronave ishte gozhda e fundit e arkivolit për ata, pasi ligji përbën një masë ndëshkuese dhe jo rregullatore që forcon regjimin e Bashar al-Assadit.