-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Barrikadimi i veriut dhe heshtja e ndërkombëtarëve, Arifi: Perëndimi po dëshiron të shoh se deri ku palët janë të gatshme të shkojnë

Më të lexuarat

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë. Tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të bllokuara shkaku i barrikadave të vendosura nga grupet e serbëve lokalë tash e 19 ditë.

Mbrëmë u vendos edhe një barrikadë në Merdar në pjesën verilindore të Kosovës, vendkalim kufitar ky që përdoret në masë të madhe nga diaspora e Kosovës.

E karshi kësaj situate tash e tri javë vazhdojnë të heshtin përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të emëruar nga SHBA-të, BE-ja, Britania e Madhe, Gjermania e Sllovenia.

Për situatën në veri shkurt folën gjatë një vizite të tyre në Prishtinë më 14 dhjetor, përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor nga SHBA-ja, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak.

I dërguari i SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë /14.12.2022

Escobar dhe Lajçak thanë se rruga diplomatike është e duhura për heqjen e barrikadave në veri, derisa i bënë thirrje Kosovës që të respektoj marrëveshjen e Brukselit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Që nga kjo deklaratë Escobar dhe Lajçak nuk kanë dhënë më asnjë opinion rreth situatës së krijuar në veri e cila dita ditës ka shkuar duke u përshkallëzuar.

Heshtje ka mbretëruar edhe përfaqësuesi special i Britanisë së Madhe, Sir Stuart Peach, ai i Gjermanisë Manuel Sarrazin dhe slloveni Anzhej Frangesh.

Barrikadat në veri

Këtë heshtje të tyre profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi po e sheh më shumë si “vëzhgim” të asaj se deri ku mund të shkojnë Kosova dhe Serbia.

“Ekziston një opsion që perëndimi po dëshiron të shoh se deri ku palët janë të gatshme të shkojnë, në njëfarë mënyre që tu tregoj të dyja palëve që janë të paaftë të zgjidhin vet situatën dhe ti sjellin para një akti të kryer, që i bie nën një: Serbinë ta detyroj ta pranoj realitetin e ri ta njoh Kosovën në atë marrëveshje finale dhe nën dy: Kosovën ta detyroj ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit që si përfundim asnjëra palë nuk mund të lëviz më shumë dhe vetëm mund të prodhohet kaos, kjo është vetëm njëra anë e medaljes”, ka thënë Arifi për Telegrafin.

Ai tutje ka shtuar se Qeveria e Kosovës për momentin i ka “duart e lidhura” në shumë aspekte sa i përket veprimit në veri, duke përmendur këtu mos funksionalizimin e institucioneve në veri.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e durueshme dhe e kujdesshme. Duhet të ruhet nga retorika nacionaliste dhe nxitëse pavarësisht që e drejta është në anën tonë, por duhet një kujdes jashtëzakonisht i shtuar dhe durim institucional që gjithçka të koordinohet me SHBA-të, që edhe nëse eskalon situata të mos jetë në dëm të Kosovës.

Duhet të jemi të kujdesshëm që mos ta eskalojmë situatën sidomos nga ana jonë, që me një koordinim strategjik të gjendet një zgjidhje që të qetësohet situata. Qetësimi i situatës i konvenon vetëm palës kosovare, Qeveria duhet të jetë e përmbajtur”, u shpreh Arifi.

Telegrafi i ka dërguar pyetje edhe Bashkimit Evropian për të parë qëndrimin e tyre rreth zhvillimeve të fundit në veri, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri më tash.

Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, fillimisht kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, e pastaj edhe në rrugë të tjera duke e quar në 14 numrin e barrikadave.

Kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak. Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit