Bankat në Kosovë gjatë dhjetë muajve të fundit kanë mbledhur fitim në vlerë prej 69.1 milion euro, fitim ky që është më i madh krahasuar me fitimin e vitit të kaluar.
Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se fitimi i bankave për periudhën (janar – shtator) është 12.8 për qind më i madh këtë vit.
“Bazuar në të dhënat e fundit nga janari deri në shtator 2017-të , fitimet e bankave në Kosovë për këtë periudhë janë 69.1 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti paraprak ,kemi një rritje të fitimit të bankave prej 12.8 % . Në shator 2016 fitimi i bankave ishte 61.3 milionë euro”, ka thënë ai duke shtuar se vetë bankat me politikat e tyre vendosin për investimin e këtyre mjeteve.
Kada ka treguar edhe për fitimet e institucioneve të mikrofinancave.
“Ndërkohë fitimet e institucioneve të mikrofinancave për këtë periudhë kohore janar-shtator kapin shumën e 6.1 milionë euro”, theksoi ai.
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri në një prononcim për portalin arbresh.info tha se Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë po e shfrytëzojnë më së miri situatën ekonomike në të cilën ndodhën qytetarët.
Sipas tij, këto banka, në vend se t’i ulin kamatat dhe shërbimet tjera bankare për klientët e vetë, i kanë rritur ato.
“Ato kanë gjetur një treg të përshtatshëm për të krijuar të hyra të majme financiare. Bankat kanë gjetur rrugën për t’u bërë milionerë sa qelë e mbyllë sytë, pasi që dihet që sektori më profitabil në Kosovë është sektori bankar dhe se kuriozitet janë bankat komerciale të cilat në vend që t’i ulin kamatat dhe shërbimet tjera bankare për klientët e vetë, ata kanë rritur edhe shërbimet dhe çdo gjë tjetër”, ka thënë ai.
Beqiri po ashtu tha se bankat bëjnë fushata mashtruese për konsumatorët dhe se sipas tij në të shumtën e rasteve bëhen marrëveshje të fshehta lidhur me operimin e tyre.
“Sipas shumë hulumtimeve zyrtarët bankarë kanë marrëveshje të fshehta lidhur me operimin e tyre në tregun bankar. Bankat komerciale shpesh kanë edhe fushata mashtruese për konsumatoret e tyre me norma shumë të ulëta a në realitet të “ rrjepin lëkurën” nga kamatat, pastaj fushata kredi mbi kredi ku klientët rekomandohen të marrin kredi për t’i shlyer kredit e vjetra pra mashtrohen nga zyrtarët bankarë. Çështja e marrëveshjes së fshehtë ndërmjet bankave ka disa vite që diskutohet në publik, pasi që të gjitha bankat i kanë pothuaj të njëjta pagesat për shërbime, normat e interesit të kredive dhe ato të depozitave. Në lidhje me këtë çështje shumë ekonomistë dhe organizata të ndryshme kanë kërkuar publikisht nga prokuroria që të nisë hetimet për këtë çështje”, ka shtuar ai.
Ndërsa sipas raportit “Vlerësimi Tre Mujor i Ekonomisë Nr.20, Tremujori III/2017” të BQK-së thuhet se në shtator 2017, asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 8.5 përqind, duke arritur në 3.81 miliardë euro.
“Rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues. Paraja e gatshme dhe bilanci me BQK-në shënoi rritje vjetore të theksuar prej 18.7 përqind krahasuar me rënien prej 2.9 përqind në vitin paraprak. Rritja ishte kryesisht rezultat i rritjes së rezervave të përgjithshme të bankave komerciale të mbajtura në BQK” thuhet në raport.
Po ashtu në këtë raport është cekur se edhe kreditë e sektorit bankar kanë shënuar rritje vjetore prej 10.2 përqind në shtator 2017. Vlera e gjithsej kredive arriti në 2.41 miliardë euro në periudhën./arbresh.info