4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Bamirësia zbut zemrat

Më të lexuarat

“Nëse dëshiron të të zbutet zemra, përkëdhele kokën e jetimit dhe furnizoje të ngratin.” [Hadith]

Pikërisht kështu e porositi i Dërguari i Allahut një njeri i cili iu ankua për ashpërsinë dhe ftohtësinë e zemrës së tij.
Nga ky dhe hadithe të tjera vërehet çfarë rëndësie i ka dhënë islami bamirësisë të llojeve të ndryshme, dhe në veçanti ndaj jetimit. Sipas mësimeve islame, bamirësia ndaj të tjerëve është vepër e shumëfishtë bamirësie.

Personit të cilit i ndihmohet, i mundësojmë më lehtë dhe më shpejt t’i përmbush nevojat jetësore, ndërsa statuti i atij që bën bamirësi tek Allahu i Madhëruar shënohet si bamirës, dhe krahas kësaj shpërblehet për veprat e kryera, ashtu që në zemrën e tij mbillet qetësia, butësia dhe mirësia.

Lumturia personale është e pamundur nëse të tjerët rreth nesh nuk janë të lumtur”, thotë një proverb popullor. Gjatë ndihmës dhe dhënies nevojtarëve, ne ndjejmë kënaqësi dhe jemi të lumtur që u kemi ndihmuar të tjerëve, kështu vërejmë që edhe lumturia jonë është shtuar ndërsa zemrat tona zbuten dhe lirohemi nga koprracia, egoizmi dhe kryelartësia. Besimtari i vërtetë i gëzohet çdo bamirësie, dhe gjithmonë dëshiron që të bëjë sa më tepër vepra të dobishme. Të lumturosh dikë tjetër, gjithashtu paraqet bamirësi.

Nëse ia falim borxhin dikujt, edhe kjo është bamirësi.

Nëse nga rroga jonë, ndajmë një sasi të caktuar për ndihmesën e tjerëve, edhe kjo është bamirësi.

Nëse kemi tepricë veshmbathje dhe ua dhurojmë atyre që kanë nevojë, edhe kjo është bamirësi.

Nëse i ndihmojmë një studenti në emër të Allahut me qëllim që ta kap kushtin e vitit të ri akademik, edhe kjo është bamirësi.
Madje bamirësi pafundësisht e madhe.

I Madhëruari me siguri do të na shpërblejë për veprën e kryer, ndërsa edhe ata të rinj që i kemi ndihmuar asnjëherë nuk do të na harrojnë gjestin fisnik, ndaj nesër po të kemi ne nevojë, do të na ndihmojnë ne gjithashtu. Duhet qenë të vetëdijshëm se fëmijët dhe të rinjtë e sodit, nesër me lejen e Allahut do të jenë udhëheqës, mufti, imamë, profesorë, doktorë, inxhinierë etj. ashtu që ne nesër do të kemi nevojën e tyre, ndërsa e dimë që “e mira me të mirë kthehet”. Ndaj të mos bëhemi koprracë kur janë në pyetje bursat e studentëve. Le ti ndihmojmë sot kur kanë nevojë ndërsa e dimë që ajo bamirësi do të kthehet shumëfishtë. Le të mos i harrojmë pleqtë, të sëmurët apo ato që kanë nevojë.

Le të bëhemi të dobishëm ashtu që zemrat tona të ngurtësuara, të zbuten dhe të hyjmë nën mbikëqyrjen e mëshirës dhe faljes së Allahut. Hadithi i sipërshënuar i cili nxit bamirësinë, flet në veçanti për ndihmesën e varfanjakëve dhe kujdesin ndaj jetimëve. Në favor të thënies së përmendur janë edhe hadithe të tjera, sikur:
“Nëse dëshiron të të zbutet zemra, ji i mëshirshëm ndaj jetimit, përkëdhelja kokën dhe furnizoje, kështu do të zbutet zemra dhe do të plotësohen dëshirat.”;

“Shtëpi më e dashur tek Allahu është ajo ku përkujdeset jetimi.”;
“Frikësohuni Allahut kur menaxhoni ata që janë në përkujdesjen tuaj. Keni kujdes padrejtësinë ndaj dy personave: gruas së ve dhe jetimit.”
Siç vërejtëm, qëndrimi ndaj jetimit, të varfrit dhe gruas së ve ka rëndësi të veçantë në parimet islame dhe kësaj duhet kushtuar kujdes të veçantë përmes programeve sociale mirë të përpunuara. Ndërkaq të mos lëmë pas dore edhe kategoritë e tjera nevojtare, le t’u ndihmojmë përmes bamirësive ashtu që të na zbuten zemrat dhe të na hapet kraharori i dorëdhënies. Përmes këtyre bamirësive dhe ndihmesave të sinqerta, Allahu i madhëruar na premton dhe garanton Xhennetin, Sa vendbanim i bukur që është ai!”

Autor: Admir Iković

Përktheu: Lutfi Muaremi

(Islampress)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit