-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ballkani, kryeqyteti botëror i islamofobisë

Më të lexuarat

Nga “Foreing Policy”/

Për grekët ishte një tronditje e madhe të shihnin fjalën “Turkofagos” në mitralozin e Brenton Tarrant, të riut që vrau dhjetëra myslimanë në një xhami në Zelandën e Re, muajin e kaluar. Fjalë për fjalë do të thotë “rrjepja e turqve” dhe është shprehje që përdorej gjerësisht gjatë revolucionit grek kundër Perandorisë Osmane në vitin1821.

Megjithatë, ekziston një kuptim më i errët, i kësaj shprehjeje, e cila e shtyu terroristin e Zelandës së Re ta shpërndante vazhdimisht në rrjetet sociale. Revolucionarët nuk luftuan vetëm me ushtrinë osmane, ata gjithashtu kryen spastrime brutale etnike kundër myslimanëve dhe hebrenjve. Në ato kohë, një “turk” nuk ishte thjesht një ushtar osman: ishte kushdo që nuk ishte i krishterë. Aspektet më të errëta të termit “turkofagos” duket se janë rikthyer sërish kohët e fundit nga grupet e së djathtës ekstreme dhe nacionalistët.

Tarrant ka gjasa ta ketë hasur këtë shprehje gjatë kohës së një turi në Ballkanit, duke përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, Kroacinë, Bullgarinë, si edhe Greqinë, ku qendroi prej më shumë se dy javësh. Mundet të duket pak e çuditshme në pamje të parë, por në imagjinatën e tij, ky ishte një turne madhështor në vendet ku të krishterët kishin luftuar kundër muslimanëve.

Në këngët popullore serbe termi “turk” përdoret ende si referencë për myslimanët. Ajo përmendej vazhdimisht në këngën që Tarrant dëgjoi para sulmit, e cila i kushtohej Radovan Karaxhiçit, kriminelit që udhëhoqi serbët e Bosnjës gjatë luftërave të viteve 1992-1995. “Turqit duhet të vriten”, thotë një nga rreshtat e këngës, duke iu referuar myslimanëve të Bosnjës. Tarrant ishte gjithashtu një admirues i mirënjohur i serbëve, të cilët i konsideronte si luftëtarët më të denjë të islamizmit.

Pas masakrës në Zelandën e Re, ish zv/Ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi shkroi në Twitter se: “Luftërat dhe gjenocidi i kryer nga ideologët serbë në Kosovë dhe Bosnjë duket të jenë bërë frymëzim për të djathtët në mbarë globin.”

Ajo që është edhe më e frikshme, ngjarjet e luftës së viteve 1992-1995 të vendosën në zemrën e imagjinatës së ekstremit të djathtë. Ky ishte një konflikt në tokën europiane që nisi për shkak të ndasive fetare, duke shkaktuar ringjalljen e islamofobisë.

Prania e ekstremit të djathtë në konfliktin e viteve 1990 është e padiskutueshme. Përveç milicive lokale të ekstremit të djathtë, vullnetarë ndërkombëtarë gjithashtu morën pjesë në luftime. Fenomeni do të përsëritej në konfliktin e Ukrainës, ku neonazistët dolën vullnetarë për të luftuar në të dyja anët e kufirit.

Partia neo-naziste Agimi i Artë, e cila është bërë një pikë qendrore për lëvizjet e ekstremit të djathtë në të gjithë botën falë suksesit të saj elektoral në vitin 2012, numëron në mesin e anëtarëve të saj mijëra vullnetarë të tillë. Për vite të tëra, studiuesit janë përpjekur të gjejnë një lidhje mes veprimeve të tyre dhe ideologjisë ekstremiste që kanë përqafuar. Ata arritën të konstatonin se shumë prej anëtarëve të Agimit të Artë ishin të pranishëm dhe mund të kishin marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8,000 myslimanë.

Ata gjithashtu morën pjesë në një pritë kundër myslimanëve që iknin nga qyteti. Këta vullnetarë të ekstremit të djathtë shpëtuan nga të gjitha dënimet, u kthyen në Greqi dhe ishin aktive brenda të djathtës ekstreme edhe pas përfundimit të luftës. Përvojat e tyre kanë formuar drejtpërsëdrejti idelogjinë e Agimit të Artë.

Edhe luftëtarë të tjerë në rajon i përdorën përvojat e fituara nga lufta ballkanike për politikën e vendeve të tyre. Shembuj mund të gjenden në milicitë bullgare që patrullojnë kufijtë e vendit për të parandaluar refugjatët që përpiqen të kalojnë nga Turqia. Grupe të ngjashme janë bërë aktive në të gjithë Ballkanin, duke filluar nga Greqia në Europën Veriore.

Modeli është i qartë: Në të gjithë Perëndimin, e djathta e sotme ekstreme e imagjinon Ballkanin si fushëbetejën e tyre qendrore, rajonin me popullsinë më të madhe myslimane jashtë Azisë dhe Afrikës. Në fjalorin e këtyre nacionalistëve, myslimanët janë një kërcënim rajonal dhe refugjatët perceptohen si pushtues që kërcënojnë “qytetërimin e krishterë”, siç thotë shpesh kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Ka një tjetër arsye pse Ballkani është epiqendra e ideologjisë së ekstremit të djathtë, një arsye që u bë e qartë edhe me kundërshtimin e këtyre ekstremistëve ndaj marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut me Greqinë kohët e fundit: Ballkani është ende një rajoni i kufijve etnikë dhe të kontestuar. Në Ballkan, partitë e ekstremit të djathtë shohin një teatër për luftën e tyre kundër fesë islame. Çdokush që do të luftojë fuqizimin e të djathtës ekstreme dhe qëllimet e saj islamofobike, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të llogarisë edhe fuçinë e barut në Ballkan, ku impulset e errëta të Perëndimit paraqesin rrezik për një konflikt që mund të zgjasë me dekada të tëra.(Gazeta Si)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit