-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Ballkani i Hapur” të martën dhe të mërkurën mbahet në Ohër, Kosova refuzoi pjesëmarrjen

Më të lexuarat

Më 7 dhe 8 qershor në Ohër mbahet samiti i radhës i Ballkanit të Hapur.

Në takimin e 7 dhe 8 qershorit në Ohër, përveç Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Malit të Zi, ndërkaq Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.

Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”.

Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.

Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Ndërkaq, shteti i Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë nismë. Lidhur me këtë ditë më parë në një forum në Sllovaki ka folur kryeministri Albin Kurti.

Kurti në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022 ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se Kosova nuk duhet të hapet ndaj ndërhyrjeve verilindore dhe lindore.

“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore… Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz…”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se nuk i beson atij grupit politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.

Ai po ashtu ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti në këtë panel theksoi se qytetarët e Kosovës më shumë ofendohen pasi Serbia nuk pranon krimet e kryera në Kosovë sesa që nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Për nismën “Ballkani i Hapur”, të hënën ka folur edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është nismë e Beogradit.

Siç raportuan mediat serbe Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Lidhur me këtë deklaratë të shefit të diplomacisë ruse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin tha se kjo mund të jetë edhe provokim nga Rusia.

“Deklarata e Rusisë për “Ballkanin e Hapur” kinse iniciativë e Serbisë, mund të jetë edhe provokative por kjo nuk e përjashton kërkesën e Kosovës për të qenë të barabartë në çdo iniciativë”, u shpreh Arifi.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit