E vetmja mënyrë për ta shmangur rikthimin në skenarët e konflikteve të përgjakshme, është nëse Bashkimi Evropian përshpejton pranimin e Kosovës, Maqedonisë, BeH dhe Shqipërisë dhe nëse edhe NATO-ja e mbyll vrimën e zezë që shkaktohet nga lënia jashtë NATO-s e Maqedonisë, BeH e mbase edhe Kosovës.
Ka filluar me idenë e çrrënjosjes së të gjithë muslimanëve nga trualli evropian, tash fokusi është te çrrënjosja e shqiptarëve dhe boshnjakëve, që janë të vetmet kombe me shumicë muslimane në këtë gadishull.
Ballkani është dhe do të mbetet rajon i trazuar, sepse është rajon në të cilin disa nga shtetet më të fuqishme (Greqia, Bullgaria e Serbia) janë krijuar me anën e gjenocidit, duke i dëbuar kombet e tjera nga vatrat e veta (shqiptarët, boshnjakët, turqit, hebrenjtë) dhe duke ua grabitur pronat e duke krijuar një hartë të re e krejt të panatyrshme.
Edhe pse gjenocidi i tyre, prej Krizës Lindore e deri në dy luftërat ballkanike dhe në dy lufëtrat botore ka pasur sukses, pasi janë krijuar shtete nacionale të trojet e pushtuara, qëndrueshmëria dhe paqja nuk janë arritur kurrë.
Ballkani si një rrobë e prerë dhe e qepur pa asnjë masë
Kjo është kështu ngase gjenocidi ka prishur kompaktësinë dhe harmoninë demografike, ka shkatërruar qytete dhe lidhjet e natyrshme mes tyre (psh. mes Korçës e Manastirit, mes Korçës e Follorinës, mes Shkodres e Ulqinit, mes Prizrenit e Tetovës, etj) duke sjellë migrime e mjerime të pafundme sociale e ekonomike. Për më tepër, Greqia, fjala vjen, ka pushtuar Çamërinë, Maqedoninë e Egjeut dhe Selanikun, ku ka kryer gjenocid të përbindshëm kundër muslimanëve po edhe hebrenjve.
Pas asaj përmbysjeje të tmerrshme demografike, fetare, sociale e nacionale, më kurrë nuk është rifituar bashkëjetesa dhe toleranca ndërmjet kombeve (grekëve, bullgarëve, turqve e shqiptarëve) dhe as ndërmjet besimeve fetare (Judaizmit, Krishterimit e Islamit.) Ato vlera thjesht janë shkatërruar nga gjenocidi grek mbi Selanikun dhe mbi Çamërinë. Greqia si shtet edhe në ditët tona është krejt e kundërta e atyre vlerave që kanë karakterizuar Selanikun, ku bashkëjetesa ndërmjet muslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve ka qenë shembullore. Selaniku Osman ka pasur me dhjetëra sinagoga, kisha e xhami në një qytet të vetëm, ndërsa, kryeqyteti i Greqisë së sotme evropiane, Athina, nuk lejon të ngrihet një xhami e vetme!
Pra, puna është se gjenocidi grek nuk ka shkatërruar vetëm të kaluarën, por e mban peng edhe të sotmen dhe të ardhmen me një islamofobi virulente. Athina është kryeqytet i shtetit që nuk e pranon se ka kryer gjenocid ndaj çamëve. Merreni me mend: shteti grek as sot nuk i lejon vizitat e pasardhësve të çamëve në pronat e gjyshërve të tyre! Pra, gjenocidi ende bën kujdestari mbi tokat çame. Edhe pse është anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, Greqia nuk i ka kurrkund vlerat e tyre, sepse ende kultivon mendësinë nga e cila është krijuar, mendësinë e mospranimit të jogrekëve si njerëz.
Bile i ka ende në qarkullim taktikat e zhdukjes fizike të jogrekëve. Po të mos e poshtëronte dhe gjunjëzonte kriza ekonomike, Greqia do të bënte edhe më shumë presione mbi Maqedoninë e mbi Shqipërinë, me çka pasojat në këto shtete do të ishin edhe më të rënda se sa që janë, ndonëse edhe me kaq janë mjaft të rënda, veçmas në Maqedoni, e cila për shkak të bllokimit nga Greqia, ka mbetur si shtet eksperimental, madje edhe pa emër të gjithëpranuar.
Aleati i Greqisë në këto mendësi e praktika ogurzeza, Serbia, i ka plotësisht aktive politikat e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe boshnjakëve të Bosnjës. Në vitet 1991-1995 ka kryer gjenocid në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa në vitet 1998-1999 ka kryer gjenocid në Kosovë.
Edhe pse kanë kaluar gati dy decenie, Serbia zyrtare nuk e ka bërë asnjë gjest, që do të sinjalizonte se ka hequr dorë nga politikat e tilla gjenocidale. Për dallim prej Greqisë e Serbisë, Bullgaria është shtet tashmë i rehabilituar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe i shkëputur nga mendësitë e kohëve kur është formuar. Bullgaria e sotme është faktor i stabilitetit, ndonëse shumë i distancuar nga vlimet e tashme në Ballkan.
Brekët e këtyre shteteve nuk ka ku t’i zërë as qeni
Ndërsa shtetet e tjera të “sinisë ballkanike”, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, janë shtete që janë formuar për të mos funksionuar, pra shtete që rrinë vazhdimisht pezull mes mbijetësës problemaitke dhe dezintegrimit dramatik. Po të parafrazonim Sami Frashërin, do të mund të thonim se brekët e këtyre shteteve nuk ka ku t’i zërë as qeni. Këto shtete të vogla e të varfëra, të krijuara nga pasojat që kanë lënë gjenocidet, nuk kanë kurrfarë gjasash që të stabilizohen e as të mbijetojnë sot e as në të ardhmen, nëse mbeten vetëm brenda kornizës ballkanike.
Brenda kësaj kornize ato do të jenë nën trysninë e vazhdueshme të Serbisë e të Greqisë dhe nën kërcënimin e rikthimit të influencës ruse në këto hapësira. Faktikisht, rikthimi i influencës ruse tashmë është evident: Serbia e ka filluar një raund të ri të riarmatimit me armët e dhuruara nga Rusia, ndërsa Rusia ka ngritur një poligon ushtarak në rajonin e Nishit. Ndikimi i Rusisë në Republika Sërpska është poashtu i dukshëm, sepse presidenti Millorad Dokiku krejt haptas e luan rolin e pionit rus në duart e Putinit.
Kur ka ndonjë hatërmbetje me kreun shtetëror serb, Dodiku niset “për konsultime” drejt Moskës. Nga ana tjetër, tentimatentati ndaj ish kryeministrit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviqit, tregon se ambiciet ruse për ndikim e kontroll janë shumë më të mëdha, se sa ndikimi vetëm tek pionët e vet. Rusia kërcënon t’i eliminojë të padëgjueshmit. E sigurtë është që pas fitores së Aleksandër Vuqiqit si president i Serbisë, faktorizimi i këtij shteti, edhe si aleat tradicional i Rusisë, do të jetë i sigurtë dhe kjo do të prodhojë efekte destabilizuese të reja në Ballkan, veçmas në BeH dhe në Kosovë. Tashmë ky Vuqiq demagog, ka lancuar projektin e ribërjes së Jugosllavisë (duke ia ndajmbathë edhe Shqipërinë) me çka e ka rilancuar projektin e krijimit të Serbisë së Madhe. Për dallim nga paraardhësit e vet, Shesheli e Millosheviqi, të cilën provuan ta krijonin Serbinë e Madhe me anën e gjenocidit, Vuqiqi do të provojë ta realizojë me anën e të ashtuquajturës “fuqi e butë”.
Tashmë jo vetëm në Rusi, po edhe në qarqet evropiane Vuqiqi pranohet si lider i Ballkanit dhe si parteri më i sigurtë, gjë që e ka arritur pikërisht falë aplikimi të doktrinës së Xhozef Najit, të “fuqisë së butë.” Tash për tash, viktimat potenciale të ambiceve të tij serbomëdha, shqiptarët e boshnjakët, janë të turbuluar e nuk kanë asnjë përgjigje ndaj këtij yryshi të ri serbomadh, por me dorëza të bardha. Shqiptarët e Kosovës e boshnjakët e Bosnjes janë në pozitën e brektocës para syve të gjarpërit.
Por, këto dinamika të ndryshme, ku Serbia po fuqizohet, ndërsa Kosova e Bosnja po shkojnë drejt dështimit, do të sjellin pashmangshëm konflikte dhe luftëra të reja. Pse? Sepse Serbia kurrë nuk ka hequr dorë nga politika sipas të cilës Kosova është pjesë përbërëse e shtetit serb. Një Serbi e fuqizuar, pashmangshëm do të provojë ta rikthejë sundimin në Kosovë. Përderi sa ndaj Kosovës synohet të aplikohet një lloj aneksimi, në BeH synohet të realizohet projekti irredentist , pra bashkëngjitja Serbisë, një lloj “anshlusi”. Meqë Mali i Zi po anëtarësohet në NATO, presioni do të shmanget prej tij, por kjo do të thotë se do të rriten potencialet e Serbisë për ta shtuar preionin në drejtim të BeH dhe në drejtim të Kosovës.
Kosova si fitil i konflikteve të reja
E vetmja mënyrë për ta shmangur rikthimin në skenarët e konflikteve të përgjakshme, është nëse Bashkimi Evropian përshpejton pranimin e Kosovës, Maqedonisë, BeH dhe Shqipërisë dhe nëse edhe NATO-ja e mbyll vrimën e zezë që shkaktohet nga lënia jashtë NATO-s e Maqedonisë, BeH e mbase edhe Kosovës.
Pra, çmontimi politik dhe ushtarak i Ballkanit si rajon, fshirja e emrit të tij nga hartat, është e vetmja rrugë për t’i shmangur konfliktet e reja. Nëse çmontimi i tillë nuk ndodhë shpejt, gjë që duket se do të ndodhë, atëherë shqiptarët i presin rreziqe të reja. E para, Kosova rrezikon ta humb edhe atë pak substancë shtetërore që e ka. Moslejimi i formimit të ushtrisë, krijimi i asociacionii të komunave serbe, rritja e ndikimit të Serbisë në rajon, krahas faktit që elita politika shqiptare e Kosovës është e paaftë që të përballojë sfidat, do ta dobësojnë edhe më shumë shtetësinë e Kosovës.
Ndërsa, Maqedonia rrezikon të shndërrohet në arenë konfliktesh në dy linja, e para mes amerikanëve dhe rusëve, për rritjen e ndikimit në korpusin nacional maqedonas dhe e dyta, mes shteteve ballkanike në relacionet ndërnacionale. Sa i përket Shqipërisë, ajo është një shtet inferior në arenën ballkanike, inferior ndaj Greqisë e ndaj Serbisë, prandaj ndikimi i saj nuk do të ndihet fare as në vitet që vijnë. E kapluar nga konfliktet e egra partiake dhe e kolumbizuar nga droga, ajo do të jenë si “dhia e zhugavtë” dhe nuk do të ketë ndonjë peshë në rivalitetet e reja ballkanike. Bile, disa nga lëvizjet që ka bërë në dy vitet e kaluara Edi Rama, afrimi me Vuqiqin dhe propozimi për tregun e përbashkët ballkanik, më shumë i ka sjellë dëm Kosovës, se sa dobi Shqipërisë. Pritet që kështu të jetë loja e qeverisë së Tiranës edhe në vitet në vijim, nëse mbetet në pushtet e majta me Edi Ramën kryeministër. Kjo është kështu edhe për arsye se shqiparët si komb nuk kanë kurrfarë programi se si do të duhej të pozicionoheshin në rirreshtimet eventuale ballkanike. Shqiptarët nuk kanë program as për shqiptarët në Maqedoni, as pë ata të Luginës së Preshevës e lëre më për çamët, arvanitasit, shqiptarët në Turqi, ortodoksët shqiptarë në Maqedoni, shqiptarët e boshnjakizuar në Sanxhak.
Pra, për asgjë. Në rrethana të tilla, ku nuk projektohet me asgjë fuqizimi i kombit shqiptar, rreziku i kasaphaneve të reja kundër tyre mbetet potencial. Veçmas kundër shqiptarëve të Kosovës, sepse Kosova ka vetëm një armëpushim me Serbinë, e jo një mbyllje të luftës e të kontestit se e kujt është Kosova. Përderi sa serbët thonë se Kosova është e tyre dhe se është zemra e Serbisë, ndërsa ne shqiptarët themi se është toka jonë dhe vatra jonë, jemi vetëm në një armëpushim, të diktuar nga NATO-ja, por aspak në një paqe afatgjatë. Një rikthim i Serbisë në Kosovë është plan serbo-rus, me disa faza. E para është arritja e autonomisë për veriun, e dyta mbetet dështimi i pjesës tjetër të Kosovës dhe pastaj ndërhyrja serbe, e mbikëqyrur nga faktorët ndërkombëtar, për ta “qetësuar situatën.” Sa për dijeni të harrestarëve, rezoluta 1244 ende është në fuqi dhe parasheh edhe kthimin e një pjese të personelit ushtarak serb në Kosovë.
Natyrisht, në gjendjen normale, kjo nuk është e mundshme, por nëse Serbia arrin ta realizojë skenarin e vet, edhe kjo mund të bëhet e mundshme. Prandaj duhet punë dhe projekte të detajuara shqiptare, për të evituar këso skenarësh serbë. Përfundimisht, ata që pohojnë se shqiparët janë të fituarit e kësaj periudhe, fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, e kanë gabim.
Të fituar mund të llogariten shqiptarët e Kosovës vetëm për faktin se i shpëtuan një gjenocidi të ri. Por shtetin nuk e kanë finalizuar, sepse Kosovën nuk e njeh as OKB-ja, as OSBE-ja, as BE-ja, madje as NATO-ja. Prandaj, mund të jetë fituar një raund (edhe ai nga NATO-ja) por nuk është fituar meçi, që në Ballkan ka filluar me Krizën Lindore, po nuk ka përfunduar ende. Atëherë ka filluar me idenë e çrrënjosjes së të gjithë muslimanëve nga trualli evropian, tash fokusi është te çrrënjosja e shqiptarëve dhe boshnjakëve, që janë të vetmet kombe me shumicë muslimane në këtë gadishull. Prandaj, mund të thuhet se projekti i Krizës Lindore për zhdukjen e muslimanëve nga Ballkani, ende është në lojë. Ky pra është Ballkani i sotëm, pa të ardhme. Ky Ballkan i dominuar nga sllavët dhe ortodoksët, ku shqiptarët, boshnjakët dhe pakicat josllave janë si një tabelë qitjeje, është një gropë septike, e cila duhet të mbyllet sa më shpejt. Këta kombe vetëm në kontekstin evropian, mund të gjejnë disi paqen mes vete.