Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Elnur Mammadov, tha se Armenia vazhdon të vendosë mina tokësore në Karabak edhe pasi në fund të vitit të kaluar armëpushimi i dha fund luftës 6-javore mbi rajonin e diskutueshëm
Zyrtarët e Azerbajxhanit kanë akuzuar Armeninë për “spastrim etnik”, si një rast i dytë që lidhet me konfliktin midis dy vendeve, të hapura në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Elnur Mammadov, tha se Armenia vazhdon të vendosë mina tokësore në Karabak edhe pasi armëpushimi në fund të vitit të kaluar i dha fund luftës 6-javore mbi rajonin e diskutueshëm.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë zhvilloi seanca për një ankesë të ngritur nga Armenia kundër Azerbajxhanit, po ashtu të lidhur me luftën e vitit të kaluar që la të vdekur mbi 6.600 persona.
Në gjykatë, Mammadov tha se “fushata e spastrimit etnik dhe nxitja e dhunës kundër azerbajxhanasve është duke vazhduar”.
Avokatët e Azerbajxhanit argumentuan se vendosja e minave është një vazhdim i spastrimit etnik prej dekadash i Armenisë dhe se është pjesë e përpjekjes për të pastruar këto zona nga azerbajxhanasit.
Azerbajxhani dhe Armenia akuzojnë njëra tjetër për shkelje të ‘Konventës ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor’, ku të dy vendet janë pjesë e saj.
Gjykata, e cila nuk hyri në thelbin e çështjes gjatë seancave që përfunduan sot, do të shqyrtojë nëse ka juridiksion dhe nëse mund të kërkojë masa të përkohshme.