“Bashar al-Assad vrau fëmijët e mi. Unë jam 85-vjeçare. Jam e sëmurë. Nuk e di as ku janë trupat e katër djemve të mi. E di vetëm se ku është varri i djalit tim Bekri”, tha Ayse Sabir
Në fillim të luftës në Siri, Ayse Sabir humbi bashkëshortin e saj në Hama dhe më pas, me 5 djemtë e saj, gjeti strehim nga sulmet tek të afërmit në Halep.
Në vitin 2015, katër nga djemtë e saj u vranë në sulmet e forcave besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad. Me djalin e saj të vetëm që mbeti gjallë, ajo u zhvendos nga Halepi në Bab, ku në vitin 2018 mori një shtëpi pa kushte në të cilën jeton edhe sot. Në sulmet e forcave të regjimit të Asadit u vra edhe djali Bekri.
Ajo mbeti vetëm. Prej tre vitesh jeton në një shtëpi pa dyer e dritare. Lufta e saj për mbijetesë vazhdon edhe sot. Dëshira e saj është që të ketë një derë në shtëpi që të pengojë hyrjen e qenve gjatë natës. Ngushëllimin e gjen në varrin e të birit Bekri.
Në Ramazan, muajin e shenjtë të muslimanëve, kërkon ndihmë për një jetë të denjë për njeriun.
Ayse Sabir, shtëpia e së cilës u shkatërrua nga sulmet, tregon për Anadolu Agency (AA) historinë e saj.
“Bashar al-Assad vrau fëmijët e mi. Unë jam 85-vjeçare. Jam e sëmurë. Nuk ka derë në shtëpi. Qentë hyjnë në shtëpi. Kam frikë”, tha Sabir.
Siç tha ajo, ka pasur 5 djem. “Nuk e di as ku janë trupat e katër djemve të mi. E di vetëm se ku është varri i djalit tim Bekri”, tha ajo.
Ajo tregon për jetën e vështirë që bën. “Nuk kam ku të shkoj. Jam duke agjëruar. Dua që dikush të më ndihmojë. Shpesh e prish agjërimin me ujë”, thotë Ayse Sabir.
/aa/