3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“Axos” nuk i zbulon aksionarët

Më të lexuarat

Kompania fituese e tenderit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), “Axos”, nuk i bën publike emrat e aksionarëve, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të opozitës kosovare ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan “Zëri”.

Drejtues të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i zbulojnë aksionarët e “Axos”, si dhe të tregojë prejardhjen e kapitalit të saj për blerjen e aksioneve në PTK.“Po ashtu Qeveria duhet të përgjigjet në dyshime se kompani vendore të afërta me kryeministrin, janë të përfshira në këtë transaksion”, ka deklaruar ditë më parë gjatë një konference për shtyp nënkryetari, Shpend Ahmeti.

Ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas shpalljes së “Axos” fitues të PTK-së, kishte njoftuar nëpërmjet një kumtese shtypi se një burim e tij i kishte dhënë informata të rëndësishme për prapaskenat e shitjes së aksioneve të PTK-së.

“Nga një burim që nuk u identifikua, më erdhi njoftimi që në kuadër të mjeteve të ofruara e që i menaxhon ‘AXOS’ kanë shumë aksione edhe kompani vendëse të lidhura me politikanë të Kosovës, përfshirë këtu kompaninë ‘Zhugolli’ e cila është financuese e PDK-së, shumë e afërt me kryeministrin Thaçi, dhe fituese pothuajse e rregullt e tenderëve në KEK”, pati njoftuar Kurti.

Nga ana tjetër, Katja Derow, përfaqësuese e kompanisë “Axos” në Hamburg të Gjermanisë, i ka deklaruar të enjten “Zërit” se politikë e përbashkët në transaksione të tilla të kapitalit privat është të mos i zbulojnë investitorët.“Politikë e përbashkët në transaksione të tilla të kapitalit privat është të mos zbulojmë investitorët, këshilltarët, ndërsa negociatat kontraktuale janë ende në vazhdim e sipër”, ka pohuar Derow.

E pyetur se kur “Axos” do ta përmbyllë transaksionin financiar prej 277 milionë euro për PTK-së, ajo ka bërë të ditur se privatizimi i kësaj kompanie pritet të ndodhë para përfundimit të këtij viti kalendarik. Përndryshe, mediet gjermane ditë më parë kanë raportuar se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporata Gjermane për Investime dhe Zhvillim (DEG) i kanë siguruar financat “Axos Capital-it për blerjen e PTK-së.

Drejtori menaxhues i “Axos”, Jan Budden, javën e kaluar nëpërmjet një komunikate për shtyp, e cila u ka arritur medieve nga e-mail zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka njoftuar se si pjesë të ofertës së tyre kanë dorëzuar edhe një plan gjithëpërfshirës për PTK-në, i cili, sipas tij, do të evoluojë në një biznes konkurrues të orientuar nga tregu, duke investuar në teknologji dhe mbi të gjitha në punonjësit që janë fuqia kryesore dhe potenciali kryesor për rritje i kësaj kompanie.

Sipas njoftimit për media, “Axos Capital” dhe partnerët e vet janë investitorë në sferën e teknologjisë në SHBA dhe në Evropë.

“Ata kanë bërë investime substanciale dhe të suksesshme në një numër të madh të kompanive në fushën e telekomunikacionit, mediave dhe teknologjisë informative. Kompetencat dhe aftësitë e menaxhmentit të këtyre firmave do të shërbejnë si shembull për menaxhimin e Telekomit të Kosovës, përmes implementimit të praktikave më të mira dhe shfrytëzimit të teknologjive të fundit, për të siguruar afarizmin më efikas të mundshëm”, potencohet në njoftim.

Sipas njoftimit për shtyp, konsorciumi ACP Axos Capital GmbH, i këshilluar nga British Telecom (BT), i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe menaxhmentit të Telekomit një partner me aftësi unike, mes të cilave përfshihen: Aftësia unike për të siguruar kod shtetëror ndërkombëtar për Kosovën, siguri për punonjësit, investime afatgjate dhe stabile, kompetencë për të stimuluar mbi 1000 vende të reja të punës në Kosovë, përmes partnerëve të saj ndërkombëtarë etj./zeri/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit