Avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq duke komentuar sulmin e fundi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se me këto veprime Aleksandar Vuçiq, duke përdorur propagandën ruse, po krijon frikë dhe panik te serbët e vendit tonë.
Ai me anë të një komenti në rrjetin social X, ka treguar se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq është Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe se të gjitha këto veprime në veri të Kosovës janë bërë me koordinim të Vuçiqit.
“Milan Radoiçiq është pjesë e Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion. Nuk ka mundësi që Radoiçiq të bëjë asnjë veprim pa lejen e Aleksandar Vuçiqit! Radoiçiq ka më shumë se 60 milionë euro punë me prokurim publik, të dhëna direkt nga Aleksandar Vuçiq. BIA koordinon drejtpërdrejt aktivitetet e tij afariste dhe paraushtarake”, shkruan Stojkoviq.
Ai shton se njëra nga strategjitë e Vuçiqit ndaj Kosovës është krijimi i skenarit të Donbasit apo Krimesë.
“Skenari është për të përgatitur një Donbas dhe Krime në Kosovë. Në Beograd, gjithçka po punohej dhe përgatitej për t’i futur serbët e Kosovës në një dëshpërim psikologjik, frikë, pasiguri dhe panik – saqë kur BIA me Radoiçiqin dhe forcat e tyre speciale të organizuara nga Serbia – t’i vënë zjarrin ‘rebelimit të armatosur’, atëherë serbët në Kosovë nuk do të kishin zgjidhje tjetër veçse t’u bashkohen planit të Aleksandar Vuçiqit”, ka shtuar ai.