-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Avokati i djallit

Më të lexuarat

Zeqirija IBRAHIMI

Kevin Lomax, i pasionuar deri në pa kufi pas karrierës së tij, pranon të bëhet avokat në një ndërmarrje avokatie të njohur të Nju-Jorkut, duke u bërë një avokat i suksesshëm përtej të gjitha parashikimeve. Ai arrin të mbrojë klientë që, në kushte normale, do të duhej të merrnin dënime të tmerrshme, por ai me zgjuarsinë dhe retorikën e tij sulmuese mbi viktimat, arrin t’i fitojë të gjitha rastet. Por, kjo i kushton në anën tjetër – i shkatërrohet familja dhe ai në fund të filmit e kupton se ka qenë vetëm një mashë në duar të Miltonit (pronarit të ndërmarrjes), i cili thjesht e ka përdorë për përfitime të firmës së tij. Ky, pak a shumë, është subjekti i filmim “Avokati i djallit”, i xhiruar në vitin 1997 me regji të Taylor Hackford-it, ndërsa në rolet kryesore janë Keanu Reeves (Kevin Lomax), Charlize Theron (Mary Ann) dhe Al Paçino (John Milton). Ngjarja e këtij filmi është konstruktuar sipas romanit të Andrewa Neiderman-it po me këtë titull. Në të vërtetë, nocioni Avokati i Djallit njihet edhe në Kishën Katolike, ku nënkupton rolin e një avokati që zhvillon diskutim kundër kanonizimit ose beatifikimit të dikujt nga Kisha. Sidoqoftë, në mënyrë të rastësishme ose jo, jam i sigurt se të gjithë ata që e kanë parë këtë film, sa herë që i dëgjojnë disa eksponentë të partisë shqiptare në pushtet duke e mbrojtur atë parti dhe politikat e saj, ata ua kujtojnë këtë ngjarje dhe thjesht tmerrohen se Avokati i Djallit është reinkarnuar edhe në fytyrë të disa politikanëve shqiptarë të Maqedonisë. Ata që e dinë filozofinë, e marrin vesh se tipat e tillë të politikanëve luajnë rolin e sofistëve të Greqisë antike, të cilët përmes retorikës së tyre, përpiqeshin t’i mashtrojnë dëgjuesit. Prandaj Sokrati i madh ishte kundërshtari më i madh i tyre. Sepse ata nuk përfillnin asnjë rregull moral në diskutim, porse ishin të përqendruar vetëm si ta mundin bashkëbiseduesin. Me fjalorin e Makiavelit, kjo i bie se qëllimi e arsyeton mjetin: nëse duhet të gënjesh, gënje!; nëse duhet të mashtrosh, mashtro!, nëse duhesh të shpifësh, shpif!; nëse duhet të shpikësh, shpik!; nëse duhet të akuzosh, akuzo! Me rëndësi është që t’i bindësh dëgjuesit se ke të drejtë. Sado që këtë lloj diskursi shqiptari ordiner i Maqedonisë e ka vështirë ta deshifrojë, kjo për shkak të nivelit të zhvillimit arsimor e kulturor në të cilin na kanë detyruar të jemi këta politikanë, megjithatë kujtoj se suksesi i këtij tipit të argumentimit është kah fundi. Ta kesh drejtuar për disa mandate Ministrinë e Drejtësisë dhe të kesh qenë aty kur janë bërë “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe, së fundi, “Kumanova” dhe përsëri – përmes sofizmave – të prodhosh argumente se “ne jemi përpjekur ta reformojmë drejtësinë, por pala tjetër na ka bllokuar”; “ne jemi munduar të vendosim prokurorë e gjykatës shqiptarë, por nuk kemi pasur kuadro”; “ne e kemi kërkuar nga ndërkombëtarët që të asistojnë për ato raste”, kjo le që do të cilësohej nga Sokrati si kulmi i sofizmit të pamoralshëm, por Sokrati i dashur as që do të dëshironte të bisedojë me këso njerëz. Ose, shembuj të tjerë, janë edhe sofistë më të rinj, që edhe për nga pamja i ngjajnë Kevin Lomax-it, të cilët kanë përgjigje për gjithçka. Kur u thua se “ju keni dështuar në të gjitha planet e politikëbërjes”, ata përgjigjen “ne i kemi marrë 153 mijë vota”; kur u thua se “në asnjë qëndrim nuk kemi qenë konsistent dhe asnjë qëndrim nuk e keni mbajtur”, ata të thotë “ne jemi parti serioze dhe vendimet tona janë në frymën e interesave të bashkësisë ndërkombëtare”; kur u thua se “ju nuk e keni mbajtur asnjë premtim nga zgjedhjet e vitit 2014”, ata përgjigjen “populli shqiptar na voton neve, ngase na beson”; kur atyre u thua se “ju jeni abuzues të pushtetit dhe të korruptuar deri në fyt”, ata të thonë “ngrini aktpadi dhe dëshmojeni akuzën”; kur atyre u thua se “në kohën tuaj është shkatërruar arsimi shqip”, ata të thonë “ne kemi ngritur iniciativën për themelimin e një universiteti shqip në Shkup”; kur t’u thuash se “ju nuk jeni në gjendje t’i ndërroni emrat e dy shkollave”, ata e relativizojnë këtë e thonë “jemi në komunikim me partnerin tonë dhe kjo shpejt do të zgjidhet”; kur u thuhet se “ju vërtet nuk keni pushtet dhe ju nuk ju pyet askush në qeveri”, ata thonë “platforma e BDI-së është pjesë e programit të Qeverisë”; e kur atyre u thuhet se atëherë “ju, si bashkëpjesëmarrës në qeveri, jeni bashkëpjesëmarrës edhe në vrasjen e Harun Aliut”, ata thonë “ai ka qenë aksion i policisë, për të cilin ne nuk kemi qenë të informuar”; kur atyre u thuhet se edhe “ju keni faj për rastin Monstra”, ata thonë “kemi kërkuar ekspertizë ndërkombëtare”; kur atyre u thua se “ju po i vrisni tetovarët me ajrin e ndotur”, ata të thonë “kemi ngritur iniciativë për filtrat në Jugohrom dhe kjo shpejt do të rregullohet” e kur u thua se “lideri i juaj akuzohet për ryshfet”, ata hidhen sa poshtë e përpjetë duke u betuar se “krejt kjo është nga shërbimet antishqiptare që ta diskreditojnë liderin”. Ata janë supermenët e përgjigjeve dhe justifikimeve. Sepse synimi i tyre nuk është të prodhojnë të vërteta, por vetëm të prodhojnë argumente që ashtu të mashtrohet dëgjuesi. Njësoj si Avokati i Djallit, i cili prodhonte argument vetëm t’i fitojë rastet e jo që të respektohet drejtësia dhe njësoj si sofistët që kishin për qëllim ta fitojnë debatin edhe pse e dinin se ajo ishte vepër e pamoralshme. Kur i dëgjon shqiptari i rëndomtë, që nuk ia ka ngenë të bëjë analiza të thella, argumentet e këtilla mund t’i duken edhe të arsyeshme dhe, madje, dikush mund të mendojë se “vërtet këta njerëz nuk kanë faj, sepse janë përpjekur, por aq kanë mundur”, por e vërteta është se ata gati 15 vite janë pjesë e pushtetit dhe, nëse atyre nuk u kanë mjaftuar as kaq vite që të ndryshojnë diçka në interes të shqiptarëve në Maqedoni, kjo i bie se ata ose janë krejt të pafuqishëm, sepse janë shumë të kapur, ose kanë interesa të tjera dhe nuk merren fare me interesat kolektive shqiptare. Përveç rasteve të montuara, që i cekëm më sipër, këtë javë u burgos edhe një ish ushtar i UÇK-së së Kosovës (tash zyrtar i FSKsë), ndërsa sofistët e BDI-së edhe këtë e arsyetuan se “është për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare”, edhe pse të gjithë ne e dimë se kjo është kërkesë e Serbisë. Ata të BDI-së e luajnë rolin e pushtetit sa herë që duhet të përfitojnë dhe pasurohen nga pushteti dhe e luajnë rolin e opozitës (si në rastin e kryqit të Butelit) sa herë që duhet ta mashtrojnë shqiptarin e rëndomtë se ata kujdesen për interesa shqiptare. Pra, krejt mashtrim dhe krejt kjo vetëm për përfitim. Natyrisht, gjithë kjo sintetizohet në sloganin e famshëm “Po të mundesh, hidhja!”, që e thotë kryetari i këtij subjekti në një bisedë të përgjuar, që e ka publikuar kryetari i opozitës maqedonase. Në të vërtetë, gara për paraqitjet publike në këtë subjekt nuk është se cili i artikulon më mirë të vërtetat, por se cili është sofist më i mirë, që me retorikën e tij ta bindë opinionin se ata nuk janë djajtë, porse janë engjëjt. Në këtë mënyrë edhe njerëz për të cilët tashmë janë ngritur hetime për korrupsion e ryshfet, që dihet se kanë pasur zënka deri në vrasje për shkak të skandaleve të pamoralshme, që dihet se kanë akuza për vrasje, që kanë marrë pjesë në skenarë të proceseve të montuara dhe që i kanë sharë nënat shqiptare, sot – përmes sofizmave – dalin dhe shiten si njerëz të ndershëm, besimtarë, të pafajshëm, gati të virgjër, bile edhe luajnë rolin e naivit, si dikush që nuk ka fare sherr dhe që di të bëjë vetëm punë të mira. Si “melaqe mulliri”! Krejt kjo është një avokati djallëzore, një mashtrim klasik, duke përdorë karizmën, pushtetin, paranë, mediat, qëndrimin, veshjet dhe diksionin e zërit, që sa më mirë të maskohen dhe të mos hetohen se çfarë roli luajnë. Megjithatë e mira është se ky film (Avokati i Djallit) ka fund dhe fundi është i keq. Aktorët e kësaj ngjarje përfundojnë keq, ndërsa shikuesve të këtij filmi ose, në rastin tonë – shqiptarëve tanë të përvuajtur, u mbetet zhgënjimi se si kanë mundur të mashtrohen aq gjatë. Do t’u mbetet shija e hidhur si kanë mundur të besojnë aq gjatë dhe si nuk kanë mundur t’i vërejnë se ata kanë qenë avokatë të djallit. Do të dëshpërohen se si nuk i kanë parë fytyrat e tyre të vërteta, që kanë qenë të mbuluara me tipare “çlirimtarësh”, “bajraktarësh e patriotësh”, dhe do t’i vrasë përjetë ndërgjegjja se si kanë lejuar që aq gjatë të jenë të manipuluar. Aq më keq do të kenë brejtje të ndërgjegjes ata që sot shtiren si besimtarë, madje si engjëj, ndërsa u shërbejnë me kaq devotshmëri e përkushtim këtyre avokatëve të Djallit. Ata mund të kalojnë edhe në depresion dhe ndoshta edhe më keq. Ka ardhur koha që të dalë ne skenë Al Paçino dhe të zgjidhë këtë fabul, të përfundojë filmi dhe të ndizen dritat. Pas kësaj do të mbetet vetëm kujtimi i hidhur i atyre që në këtë kohë ishin me Djallin dhe me avokatët e tij. /Koha.mk/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit