4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Autori i raportit amerikan për Kosovën: SHBA-ja duhet ta vazhdojë presionin ndaj Serbisë për njohje reciproke me Kosovën

Më të lexuarat

Profesori dhe eksperti amerikan për marrëdhëniet ShBA-BE, Daniel Hamilton, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet politike në Kosovë e rajon, në veçanti dialogun me Serbinë dhe përfshirjen e administratës së presidentit Biden në proces. Ish-diplomati Hamilton thotë se ShBA duhet ta vazhdojë presionin ndaj Serbisë për njohje reciproke me Kosovën dhe në të njëjtën kohë të zhvillohet një dialog që dy shtetet i trajton si palë të barabarta. Ai vlerëson se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe s’duhet të ketë autoritet ekzekutiv.

Hamilton është njëri nga autorët kryesorë të raportit për Kosovën të publikuar së fundi nga qendra amerikane për studime rajonale “Wilson Center” me titull “Konsolidimi i Pavarësisë së Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë”.

Ai është një ish-diplomat i lartë amerikan dhe ka mbajtur një varg pozitash të larta në Departamentin e Shtetit, përfshirë postin e nënsekretarit për Çështje Evropiane.

Gazeta Express: Është bërë më shumë se një dekadë që nga fillimi i dialogut Kosovë – Serbi, por ai nuk ka rezultuar në një marrëveshje finale. BE-ja këmbëngul që marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, por pa e përmendur njohjen reciproke mes dy vendeve, ndryshe nga ShBA-ja, që vazhdimisht e ka përmendur njohjen reciproke si marrëveshje përfundimtare. A mendoni se ShBA-ja duhet të përfshihet drejtpërdrejt në dialog për ta çuar përpara marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel S. Hamilton: ShBA-ja tashmë është bërë më e angazhuar. Presidenti Biden u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet bazuar në njohjen reciproke dhe në qershor, administrata e Bidenit miratoi një urdhër ekzekutiv për sanksionimin e individëve të Ballkanit Perëndimor që e destabilizojnë rajonin. BE-ja mbetet e penguar, sepse pesë anëtare të saj nuk e njohin Kosovën. Prandaj, hapat e ardhshëm për Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën duhet të jenë rritja e përkrahjes së tyre që ajo t’iu bashkohet organizatave ndërkombëtare, të nxisin lidhje më të ngushta mes Kosovës dhe pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin dhe të adresohet më mirë qasja penguese e Serbisë. BE-ja dhe NATO-ja duhet të jenë të qartë që të gjitha vendet që aspirojnë për anëtarësim duhet t’i njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Në rastin e Serbisë dhe Kosovës, në parimet specifike duhet të përfshihen dhënia fund e “fushatës së çnjohjeve kundër Kosovës” nga Serbia dhe kundërshtimi i një “bashkimi të Kosovës dhe Shqipërisë”, zotime që tashmë janë bërë nga Beogradi dhe Prishtina.

Shtetet e Bashkuara duhet ta vazhdojnë presionin ndaj Serbisë për njohje reciproke me Kosovën dhe ta dekurajojnë Kosovën nga ndjekja e bashkimit me Shqipërinë. Të zotohen përsëri për një dialog të përtërirë, që i trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta, duke i njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të secilës. Lehtësuesit e dialogut, ShBA-ja dhe BE-ja, duhet t’i përkrahin këto parime dhe pa mëdyshje të heqin dorë nga ndryshimet e kufijve. Kosova dhe Serbia të mbahen përgjegjëse për t’iu përmbahen zotimeve që kanë dhënë gjatë dialogut.

Gazeta Express: A mendoni se çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk rezulton në njohje reciproke, do të ketë pasoja afatgjata për Ballkanin Perëndimor në aspektin e sigurisë?

Daniel S. Hamilton: Duhet të bëhet dallimi mes marrëveshjeve që kanë mundur të bëhen nga të dyja palët që i bëjnë prioritet çështjet kyçe që e prekin jetën e njerëzve, si çështjet e drejtësisë tranzicionale dhe bashkëpunimit dypalësh ekonomik, dhe një marrëveshjeje për njohje reciproke, e cila gjithashtu është jetike për të realizuar një Ballkan Perëndimor në të cilin shtetet dhe shoqëritë e pavarura e multietnike ekzistojnë së bashku në mënyrë paqësisht, por që mund të marrë kohë dhe nuk duhet ta vonojë progresin praktik tani. Të dyja palët nuk kanë nevojë që ta vonojnë bashkëpunimin për ta përmirësuar jetën e qytetarëve vetëm për shkak që nuk kanë arritur marrëveshje për njohje reciproke.

Gazeta Express: Si i keni parë dy takimet mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, më saktësisht propozimet e Kurtit për deklaratë të paqes mes dy vendeve?

Daniel S. Hamilton: Çfarëdo veprimi, që të dyja palët mund të marrin për t’i ulur tensionet, për ta përmirësuar jetën e qytetarëve si prioritet i parë dhe për të krijuar kushte me të cilat mund të arrihet njohja reciproke, duhet të shihen në frymë pozitive.

Gazeta Express: A mendoni se marrëveshja për Asociacionin për Komunat me Shumicë Serbe, e nënshkruar në Bruksel më 2013, përkatësisht më 2015, duhet të zbatohet nga autoritetet kosovare duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015?

Daniel S. Hamilton: Asociacioni duhet të hartohet në mënyrë eksplicite për t’i përkrahur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e burimeve mes komunave, sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar. Asociacioni nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv jashtë fushëveprimit të qeverisë qendrore. Njëkohësisht, do të ishte e dobishme që të fillohet një dialog i brendshëm paralel mes komuniteteve shumicë dhe joshumicë në komunat e mbarë vendit. Ky dialog duhet t’i përfshijë komunitetet fetare dhe duhet t’i adresojë shqetësimet e njerëzve të Kosovës që më parë janë përjashtuar nga vendimmarrja.

Gazeta Express: Nisma e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e quajtur “Open Balkan”, ka nxitur debat për shkak të mungesës së tri shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës. Cili është mendimi juaj për këtë nismë dhe a mendoni se ajo mund të jetë e suksesshme pa përfshirjen e këtyre tri shteteve?

Daniel S. Hamilton: Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga nismat që i largojnë pengesat mes njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme thjesht e vështirësojnë integrimin e rajonit në rrjedhën e përgjithshme evropiane. Më shumë hapje në rajon premton përfitime më së shumti për njerëzit e rëndomtë.

Gazeta Express: Anëtarët e Këshillit të Atlantikut(Atlantic Council) e kanë komentuar raportin tuaj për Kosovën dhe tri propozimet e tij: njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë bërë këtë, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe që Kosova e Serbia të mos synojnë bashkim me vendet fqinje dhe që integrimi i tyre në BE mund të avancojë për aq gjatë sa ato i përmbushin vlerat thelbësore të BE-së. Ata i kanë quajtur joreale propozimet e këtij raporti, duke thënë se tri pikat kyçe janë të vdekura që në fillim, sepse zgjerimi i BE-së është i vdekur. A mendoni se këto propozime qëndrojnë dhe se BE-ja mund t’i zbatojë ato në raport me Kosovën dhe Serbinë?

Daniel S. Hamilton: Unë besoj që këto janë propozime serioze. Raporti ynë e shpjegon arsyeshmërinë për secilin propozim më gjerësisht. Shumë varet nga korniza kohore që dikush e ka në mendje. Zgjerimi i BE-së nuk është i vdekur, por është e qartë se nuk ka konsensus të tanishëm brenda BE-së për të marrë anëtarë shtesë. Prandaj, vendet aspiruese duhet ta vazhdojnë punën në reforma, të veprojnë si anëtare të BE-së dhe NATO-s para se të bëhen anëtare dhe t’i afrohen njëra-tjetrës për t’i krijuar kushtet në të cilat ato do të mund të hynin në rrjedhën evropiane dhe euro-atlantike. Ne kemi propozuar një proces me të cilin pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të mund të angazhoheshin me Kosovën me kalimin e kohës. Komisioni Evropian tashmë ka deklaruar se nuk ka pengesë për liberalizimin e vizave, kjo po pengohet nga Franca dhe Holanda. Qartazi, mund të përdoret presion shtesë ndaj këtyre dy shteteve për t’iu bashkuar numrit dërrmues të shteteve të BE-së që janë të hapura për këtë hap. Sa për mosbashkimin me vendet fqinje, Beogradi dhe Prishtina janë zotuar për këtë në të kaluarën. U përket atyre që t’iu përmbahen atyre zotimeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit