4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Autoktonë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në përshëndetjen që kryetari i KMSH-së i bëri projektit sinkretik fetar të Berlinit, ishte i vetmi nga drejtuesit e bashkësive islame shqiptare të rajonit dhe jo vetëm, që i ishte bashkuar përshëndetjeve të ndryshme të këtij projekti. Madje në të gjithë muslimanët e tjerë të shfaqur si përshëndetës të kësaj nisme, që ka filluar dhjetë vjet më parë, nuk kishte asnjë të një rangu përfaqësues institucional të myslimanëve.
Çfarë e shtyn titullarin e KMSH-së sonë, të përshëndesë një projekt të tillë problematik në një vend të huaj, duke mos marrë parasysh as ndjeshmërinë dogmatike, por as faktin se ai nuk ka një lidhje të dukshme me shqiptarët?
Përtej të gjitha përgjigjeve dytësore që mund të jepen, arsyeja kryesore është fakti se Shqipëria është i vetmi vend në botë, ku grupimi ndërkombëtar i Fetullah Gylenit, i përfshirë drejtpërdrejt në këtë projekt, ka marrë apo më saktë ka uzurpuar përmes katapultimit ilegjitim, përfaqësinë e myslimanëve të këtij vendi.
Përshëndetja e këtij projekti heretik, është vetëm maja e ajsbergut të asaj marrëdhënieje të ngushtë, që e lidh degën e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar të gylenistëve, kudo në botë. Sigurisht, që nuk bëhet fjalë vetëm për lidhje shpirtërore, sektare e ideologjike, por për shumë më tepër. Fetullah Gyleni nuk është për ithtarët e tij vetëm një frymëzues, por ai dhe rrjeti i abilerëve që dirigjojnë xhematin e tij, janë një strukturë piramidale, që pavarësisht lirisë lokale që shfaqin, varen politikisht nga direktivat e këtij grupimi ndërkombëtar. Si të tillë, edhe drejtuesve aktualë të KMSH-së, edhe pse janë shqiptarë etnikë, duket se më shumë iu qan shpirti për përmbushjen e projekteve ndërkombëtare të huaja të liderit të tyre, sesa sjellja si myslimanë autoktonë të këtij vendi, për t’iu përgjigjur realitetit dhe sfidave reale që Islami ka në këtë vend.
Sigurisht, fetë, besimet, ideologjitë dhe filozofitë e ndryshme nuk njohin kufij racorë, kombëtarë dhe politikë, por institucioneve lokale e vendore, që përfaqësojnë një komunitet të tërë njerëzish me qasje dhe ide të ndryshme, siç janë muslimanët e këtij vendi, kurrsesi nuk mundet t’iu mbivendoset arbitrarisht një grupim i huaj pakicë, qoftë ky edhe me fytyra shqiptarësh. Edhe nëse një ditë ky grupim homogjen okult -mos e dhëntë Zoti- do të mundet t’i zëvendësojë nga lart të gjithë imamët dhe myftinjtë, që nuk i përkasin sektit të tyre, gjaku i ri që ai do t’i injektojë trupit të bashkësisë islame, do të vazhdojë të jetë i huaj për të, ashtu siç janë drejtuesit e sotëm të KMSH-së, për shumicën dërrmuese të myslimanëve të këtij vendi. Të qenit pjesë e një agjende të huaj, një vendas e tëhuajson deri në atë pikë, sa dëmi i tij është më i madh sesa dobia që ai jep, dhe marrëdhënia me pjesën e tjetër të bashkësisë bëhet e vështirë dhe dëmtuese.
Pengmarrja që gylenistët i kanë bërë KMSH-së, është duke e dëmtuar institucionin përfaqësues të myslimanëve, por në një masë të madhe, edhe vetë komunitetin e besimtarëve që të zhvillohet. Gylenistët duket se janë të gatshëm të bëjnë kurban KMSH-në dhe imazhin e saj, vetëm e vetëm për të mbrojtur klanin e tyre dhe interesat e tij lokale dhe globale. Për shkak të krizës ekonomike, kjo edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar që shteti turk ushtron ndaj rrjetit të tyre global, ithtarët e Gylenit janë detyruar të mbyllin shumicën e medreseve që kishin nën administrim, të cilat kanë mbijetuar edhe në kushte më të vështira, duke i shpërfytyruar ato që kanë mbetur në kolegje, për t’iu vjelë sa më shumë të ardhura. Madje, ata janë të gatshëm të shesin lirë edhe ndonjë godinë medreseje, disa milionëshe, vetëm e vetëm për t’i zgjatur jetën klanit të tyre në krye të KMSH-së. Xhamia e madhe e Namazgjasë dhe ajo e Sahatit në qendër të Tiranës, duket se nuk po i dorëzohen KMSH-së nga shteti turk, pikërisht për shkak të gylenistëve që janë në krye të saj.
Natyrisht, që këta janë vetëm disa shembuj të dukshëm, se si përkatësia e huaj e këtij grupimi, tërheq artificialisht në mënyrë dëmtuese konflikte dhe agjenda ndërkombëtare në territorin shqiptar.
Në të njëjtën kohë, nëse hedhim një vështrim të shpejtë në bashkësitë islame të rajonit, do të vëmë re se ato drejtohen nga njerëz autoktonë dhe që nuk i përkasin asnjë agjende të huaj ndërkombëtare, pavarësisht se ku e kanë kryer shkollimin drejtuesit e tyre.
A thua vallë Shqipëria dhe besimtarët e këtij vendi e kanë kaq të pamundur të ndërtojnë një bashkësi islame autoktone, në synime dhe agjendë?
A thua vallë me gjithë diversitetin e shkollave islame sunite, që e karakterizon bashkësinë e rigjallëruar të besimtarëve myslimanë shqiptarë, janë pikërisht një pakicë e tëhuajsuar e tyre, ata që duhet të kenë eskluzivitetin e përfaqësimit dhe dirigjimit të tyre?
Pas tre dekadave demokraci, a është kaq e pamundur për myslimanët shqiptarë, që të pengojnë që zgjedhjet për përfaqësuesit e tyre islamë, të vazhdojnë të funksionojnë edhe më keq sesa në kohën e diktaturës komuniste?
Nëse ne si bashkësi, pa përjashtim, hoxhallarë dhe besimtarë, nuk jemi në gjendje të ndreqim një institucion fetar komunitar, si KMSH-ja, duke e bërë atë më dinjitoz, gjithëpërfshirës dhe demokratik, si mund të ndikojmë për të ndrequr një komb të tërë, ndërkohë që përgjegjësia jonë është pikërisht e tillë?
Mund të shpërthejmë në akuza dhe vërejtje pa fund, të drejta e të padrejta, të sakta e të pasakta, duke gjetur fajtorë realë dhe jorealë, kryesorë dhe dytësorë, por në fund, ajo që kërkohet nga ne është ndryshimi dhe kjo nuk arrihet përmes indiferencës, tërheqjes dhe dorëzimit, por përmes ndërgjegjësimit, së pari të rëndësisë që ka për ne KMSH-ja, dhe mënyrës se si funksionon zgjedhja e organeve drejtuese të saj. Paragjykimi se pas një kauze të drejtë duhet domosdoshmërisht të qëndrojë dëshira për poste dhe përfitim personal apo klanor, kështu që më mirë le të vazhdojë kjo gjendje, sepse ndoshta na vijnë disa më të këqij, nuk është gjë tjetër, veçse frymë disfatiste, fataliste, që shpie ujë në mulli të zullumqarëve, dhe nuk kupton se ndryshimi dhe përmirësimi nuk është stacion përfundimtar, por një proces i vazhdueshëm që nis me kthimin e legjitimitetit moral, ligjor dhe fetar, të cilat KMSH-së aktuale i mungojnë, dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Vetë procesi është më i rëndësishëm sesa përfundimi, sepse është pikërisht vazhdimësia e procesit, ajo që garanton ndryshimin e vazhdueshëm drejt më së mirës dhe nuk lejon uzurpimin nga e keqja. Ndreqja e një institucioni është e ngjashme me ndreqjen e vetvetes, ajo nuk ndalet deri në fund të jetës, është një betejë që nuk përfundon kurrë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit