1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Austri, reagime ndaj ligjit kundër refugjatëve

Më të lexuarat

Kreu i Grupit Parlamentar nga Partia Austria e Re (Neos), Matthias Strolz, duke theksuar se ligji për refugjatët i miratuar në kuvend është kundër ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ka pohuar se do të ankohen pranë Komisionit të Bashkimit Evropian në lidhje me këtë çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën për gazetarin e AA-së, Strolz rikujtoi se kishin votuar kundër ligjit për refugjatë i cili u miratua në kuvend më 27 prill. “Jemi të mendimit se qeveria e Austrisë është në rrugë të gabuar. Si parti, mendojmë se kjo rregullativë ligjore është kundër të drejtave themelore të njeriut. Për këtë arsye e kemi refuzuar”, tha ai në deklaratën e tij.

Më tej ai u shpreh se “Mendojmë se kjo rregullative e re ligjore nuk përputhet me vlerat e Evropës. Përkundrazi, ajo është kundër këtyre vlerave. Për këtë arsye do ta dërgojmë pranë Komisionit të BE-së dhe do të ankohemi.”

Strolz tha se është e nevojshme që refugjatët që hyjnë në Austri të mund të regjistrohen.

Duke shprehur bindjen se Komisioni i BE-së do ta refuzojë këtë ligj, Strolz tha se do të ndërmarrin veprime edhe para Gjykatës Kushtetuese.

– Rregullativa nuk përputhet me ligjin-

Kryetarja me rotacion e Autoritetit Koordinues për Refugjatët në Austri, Anny Knapp, tha se po punojnë për zgjerimin e të drejtave të refugjatëve, porse kjo rregullativë ka bërë të kundërtën, pra i ka reduktuar të drejtat e tyre.

Knapp u shpreh se përmes këtij ligji, qeveria, duke e përdorur kompetencën e “gjendjes së jashtëzakonshme”, do të jetë në gjendje ti refuzojë refugjatët, të vendosë gardh me tela në pikat kufitare dhe t’i mbyllë kufijtë. Nga ana tjetër, ajo theksoi se në ligj nuk jepen përkufizime të hapura në lidhje me “gjendjen e jashtëzakonshme” dhe “gjendjen urgjente”, duke shtuar se qeveria do t’i pengojë refugjatët duke i konsideruar ata si problem për sigurinë dhe rendin publik.

Knapp tha se në rast të kthimit të refugjatëve nuk ekziston zgjidhje ligjore, dhe shtoi se “Është kundër të drejtave njerëzore që në raste urgjente refugjatët të mbahen nën arrest deri në 14 ditë.”

Duke theksuar se me këtë ligj do të pengohet qasja në procesin e azilkërkimit dhe se refugjatët do të kthehen prapa, Knapp bëri të ditur se ata që mund të jenë pre potenciale e keqtrajtimit dhe torturave mund të qëndrojnë, porse nuk njoftohet haptazi se kush do ta bëjë një vlerësim të tillë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit