Po rrija i strukur në një dhomë të nxehtë, kur papritmas më dolën fotografitë e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës nga vizita e saj e fundit në Dubai. Pash edhe albume të tjera, që ma shtonin xhelozinë por më bënin të ndihesha edhe keq . Pse? Sepse unë si i ri, duke mos qenë i punësuar as duke mos pasur një rrogë, nuk mund të dilja as në Prishtinë për një kafe, megjithëse bileta e autobusit kushton vetëm 2 euro! Po ndihesha keq, edhe se jam i izoluar, nëse do të kisha para, e dija që më larg se Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Serbi nuk do të mund të shkoja, pa iu fut regjimit të vizave.
Të gjithë jemi dëshmitar, se 16 vite pas luftës se si është katandisur shteti ynë i ngritur mbi gjakun e dëshmorëve! Mjerimi, është prezent që nga dalja prej shtëpisë, e për dikën edhe brenda shtëpisë.
Politikanët tonë, duke filluar nga Presidentja e deri tek zyrtari më me pak pozitë, që kanë dalë jashtë Kosovës, në shtetet e zhvilluar Perëndimore e Lindore, besojë duhet të kenë parë rregull, zhvillim, pastërti, rend, ligj, besim në ato vende. Besojë edhe kur kanë ardhur në Kosovë, duke qenë se lidhjet familjare mbahen ende gjallë u kanë treguar se çfarë kanë parë atje.
Por si ka mundësi me gjithë këto vizita, vajtje e ardhje, po të njëjtën politikë ta zhvillojnë për sa kohë? Si ka mundësi e njëjta strategji e shkatërrimit dhe destruktivitetit të vazhdojë të jetën prezent në mesin tonë? Si ka mundësi, i njëjti avaz korruptimi të vazhdojë prapë me gjithë këshillat e faktorit ndërkombëtar që të luftohet korrupsioni? A nuk iu vie turp, të kënaqeni me fotografi nga Berlini e Dubai, ndërsa vendin tuaj patët mundësi ta bëni ende më të mirë, por ju vendosët shkatërrimin?
Megjithëse populli i Kosovës, sipas indeksit global vazhdon të ketë nivel të lartë të optimizmit, që seriozisht është për tu çuditur nga e marrin këtë optimizëm, kur për çdo ditë rrënohen vlerat e themeltare, ndërsa me ta përqeshet një botë e tërë.
Si duhet të ndihet një politikanë, i cili po udhëton në një vend të botës, kur e di që një qytetar i tij, duhet të pres me muaj e duhet të nxjerrë me miliona dokumenta, për të marrë një vizë! Mos populli i Kosovës është kriminel apo kanibal, apo politikanët i kemi të tillë! Secili nga ne i dimë përgjigjet, po përgjigjet po mbesin vetëm muhabete shterpe të dhomave, ndërsa asgjë konkrete nuk po ndodh.
Përgjegjësia, e këtij krimi dhe këtij bllokimi, iu bie të gjithëve atyre që për këto 16 vite kanë udhëhequr me strukturat shtetërore. Ndonëse askush nuk do ta marrë përgjegjësin, e fajin e kanë si gjithnjë “ekstremistët”, të cilët janë qytetar të ndershëm, që nuk përdorin asgjë nga beneficionet e shtetit.
Historia i mban mend të gjitha, megjithëse disa gjëra mund të duken të shijshme në moment. Politikan i dashur, saherë të udhëtosh jashtë shtetit, mendo çfarë i bërë popullit tënd! Ndoshta, ajo pak ndërgjegje po të prek pak!
Nexhmedin Kalisi