Thuhet se një grup maceve e kishin dëbuar një maçok të vjetër, sepse po fliste shumë pa dijeni, po hante shumë, ndërsa po punonte pak. Maçoku i vjetër shkoi dhe kërkoi strehim te qeni dhe deshi që ai t’i ndihmonte për tu hakmarrë ndaj maceve. Qeni e pranoi kërkesën e tij, i mblodhi miqtë e tij qentë, dhe e vendosi maçokun e vjetër në ballë të tyre që të jetë udhërrëfyes. Ky mashtrim i tij doli të jetë i suksesshëm, sepse macet u befasuan nga sulmi dhe pësuan humbje të rëndë në territorin e tyre.
Maçoku i vjetër filloi ta tund bishtin e tij në shenjë mirënjohjeje ndaj qenve që e ndihmuan për ta fituar grupin e maceve me të cilat dikur jetonte.
Atëherë qentë i thanë: “O budalla, dije se qentë nuk do të mbajnë në shtëpinë (atdheun) nga e cila të dëbuan macet. Nëse ‘populli’ yt tek ti do të shihnin ndonjë të mirë, nuk do të dëbonin ty. Nëse ti do të ishe i besueshëm dhe besnik kurrë nuk do ta kishe zbuluar vendin ku jetojnë macet dhe nuk do t’i kishte tradhtuar ato. Nëse ti do të ishte i fortë, nuk do të kishe kërkuar strehim tek ne. Prandaj, bashkohu me popullin tënd. Ndërsa, sa ju përket qenve, dije dhe mbaje mend se ata nuk janë një lloj që themelojnë shoqëri bamirësie.”
Mesazhi i këtij tregimi është: Atdheu mund të dëmtohet nga ndonjëri prej bijve të tij, por bamirësia ndaj atdheut është detyrë edhe kur pushteti është i padrejtë. Sepse atdheu nuk është i njëjtë me pushtetin! Ashtu siç na është urdhëruar dashuria ndaj prindërve tanë, pavarësisht a i kanë kryer ata detyrat e tyre ndaj nesh apo jo. Nëse prindërit e lënë pas dore detyrimin e tyre për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe nuk e kryejnë siç duhet, kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi të detyruar tu bëjmë bamirësi. E njëjta gjë është edhe me atdheun. Mu ashtu siç nuk mund të justifikohet me asgjë mosbindja ndaj prindërve, po ashtu me asgjë nuk mund të justifikohet tradhtia ndaj atdheut.
Historia dëshmon, se tradhtarët e atdheut nuk janë respektuar, madje as nga armiqtë, për të cilët ata kanë punuar, për ta goditur me thikë në shpinë atdheun e tyre.
Napoleoni në një nga betejat kundër Austrisë e kishte angazhuar një oficer austriak, i cili hollësisht e kishte informuar atë për çdo lëvizje të ushtrisë austriake, dhe falë tradhtisë së këtij oficeri, Napoleoni kishte arritur ta mposhtë ushtrinë austriake. Kur oficeri tradhtar kishte shkuar për ta marrë shpërblimin për tradhtinë e tij, Napoleoni as nuk ishte ngritur nga karriga e tij për t’i shprehur mirëseardhje, por e kishte marrë një qese me monedha ari dhe ia kishte hedhur para tij. I befasuar nga një veprim i tillë, oficeri austriak kishte thënë: “Unë kam menduar se do ta kem privilegjin dhe nderin që t’i shtrëngoj duart me perandorin e nderuar!” Me atë rast, Napoleoni ishte përgjigjur: “Ari dhe paraja të takojnë ty dhe atyre si ti, ndërsa sa i përket dorës sime, dije se unë nuk i shtrëngoj duart me tradhtarët e atdheut të tyre.”
I Dërguari i Allahut (savs), na e ka mësuar mësimin më të madh në histori për bamirësinë ndaj atdheut. Populli i tij e përgënjeshtruan, e akuzuan si magjistar dhe si njeri të çmendur, e izoluan nga shoqëria, i keqtrajtuan shokët e tij, dhe të gjitha këto në fund deshën t’i kurorëzojnë me vrasjen e tij. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (savs), pavarësisht nga të gjitha këto, kur u detyrua ta linte vendin e tij – Meken, u ndal në periferi të Mekës dhe i kthyer kah atdheu i dashur, tha: “Pasha Allahun, ti je vendi im më i dashur në Tokë, dhe sikur të mos më dëbonte populli im, unë kurrë nuk do të isha larguar nga ti.”
Pastaj një kohë të gjatë vazhdoi konflikti mes Pejgamberit (savs) dhe popullit të tij, sepse bashkatdhetarët e tij me çdo kusht donin ta shuanin dritën e Islamit dhe ta ndalonin përhapjen e tij, mirëpo Allahu i Plotfuqishëm e ndihmoi Pejgamberin e Tij dhe besimtarët, dhe përcaktoi që Pejgamberi (savs), i cili nga Meka doli fshehurazi nën errësirën e natës, të hyjë në qytetin e dashur, në mes të ditës me ushtrinë e tij fitimtare dhe çliruese, të cilës populli i tij nuk mundi t’i rezistojë. Dhe atëherë, kur kishte mundësi që të hakmerrej ndaj tyre për të gjitha krimet e kryera, ai u tha atyre: “Shkoni, ju jeni të lirë!”
Përveç faljes në një situatë kur kishte fuqi t’i ndëshkonte dhe të hakmerrej, Pejgamberi (savs), deshi edhe të na mësojë se atdheu nuk urrehet dhe nuk refuzohet, pavarësisht nga padrejtësia që ndjejmë dhe përjetojmë në të.
Edhem Sherkavi;
Përkthim: Miftar Ajdini