2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

“Ata na shohin si kafshë njerëzore”, gazetari palestinez i pikëlluar për 21 anëtarët e vrarë të familjes

Më të lexuarat

“Ata duan të vrasin sa më shumë palestinezë në mënyrë që t’i frikësojnë të tjerët që ta lëshojnë Rripin e Gazës dhe të shkojnë në Sinai.Ky është një plan për t’i dëbuar nga Rripi i Gazës, në të njëjtën mënyrë që ndodhi në Nakba në vitin 1948”, tha ai

Vdekje, dhimbje dhe shkatërrim është gjithçka që ka sot në Rripin e Gazës. Të gjitha kanë historinë e tyre të humbjeve dhe pikëllimit përderisa numri i vdekjeve nga sulmet e pandërprera të Izraelit vazhdon të rritet çdo orë.

E njëjta gjë është edhe te gazetari palestinez tani me bazë në Londër, Ahmed Alnaouq, i cili ndjen dhembje të thellë për 21 anëtarët e familjes së tij të vrarë nga bombat që Izraeli ka hedhur në enklavën e rrethuar palestineze që nga 7 tetori.

Edhe pse milje larg nga të dashurit e tij, Alnaouq gjithçka që bën sot është për Gazën dhe banorët e bllokuar atje nën hijen e vdekjes.

Ai është bashkë-themelues i organizatës jo fitimprurëse ‘We Are Not Numbers’ (Ne nuk jemi numra), një projekt për tregim historish njerëzore kushtuar palestinezëve në Gaza.

Alnaouq përdor ndikimin e tij të konsiderueshëm në mediat sociale për të hedhur dritë mbi mizoritë që po kryhen nga Izraeli dhe për t’i treguar botës për ata që po bien pre e tyre.

Në orët e para të 22 tetorit, Izraeli bombardoi shtëpinë e familjes Alnaouq në Gaza, duke vrarë 21 anëtarë të familjes së tij, përfshirë babain, dy vëllezërit, tre motrat dhe 14 mbesat e nipërit.

“Në ditët normale, njerëzit që jetonin në shtëpinë time janë babai im, dy vëllezërit e mi dhe familja e vëllait tim të madh”, tha Alnaouq, duke folur për Anadolu përmes një video-interviste.

“Por gjatë kësaj lufte, motrat e mia, të cilat janë të martuara dhe jetojnë në zona të ndryshme, vendosën të shpërngulen në shtëpinë time, sepse mendonin se ishte një nga zonat më të sigurta dhe ndoshta mund t’i mbijetonin luftës atje”, shpjegoi gazetari palestinez.

Megjithatë, realiteti i Rripit të Gazës është se nuk ka asnjë ndërtesë të vetme të sigurt nga sulmet izraelite.

“Ishte ora 4 apo 5 e mëngjesit kur ata u vunë në shënjestër. Unë isha duke fjetur atëherë, por u zgjova papritmas, në panik për disa arsye në gjumë. U zgjova, hapa telefonin dhe mora lajmin nga një mik që jeton atje. Ai më tha se shtëpia ime ishte bombarduar dhe familja ime është vrarë”, tha Alnaouq.

Dy motrat e tij të tjera nuk ishin në shtëpi ditën e sulmit, por ai ka humbur kontaktin me njërën prej tyre për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe komunikimit.

Ajo që kaloi 29-vjeçari Alnaouq është diçka që ai, si çdo njeri tjetër, thjeshtë nuk mund ta shprehë me fjalë.

“Është një ndjenjë si asnjë tjetër. Zemra më ishte thyer. Ishte shumë, shumë, shumë e vështirë dhe është shumë e vështirë ta përshkruash atë tani”, u shpreh ai.

Por Alnaouq, i cili më parë ka humbur edhe dy anëtarë të tjerë të familjes nga dhuna izraelite, e di mirë se nuk është i vetëm që e ndjen këtë dhimbje.

“Familja ime është vetëm një nga 900 familjet e tjera që u vunë në shënjestër dhe u vranë. Të gjithë u vranë. Izraeli nuk ka një justifikim për të bombarduar ndonjë shtëpi dhe ata nuk kanë asnjë arsye. Ata nuk më thanë pse më bombarduan shtëpinë. Dhe, ne jemi mësuar të dëgjojmë nga izraelitët se ata po shënjestrojnë zonat ku ndodhen militantët. Por unë e njoh familjen time, i njoh njerëzit e mi. Ne nuk kemi asnjë militant në shtëpinë time dhe nuk ka asnjë aktivitet ushtarak as rreth zonës ku jetonin babai dhe vëllezërit e mi”, theksoi Alnaouq.

Ai tha se forcat izraelite po “shënjestrojnë vetëm civilët sepse duan të shkaktojnë dëme mbi popullin palestinez dhe nuk kanë nevojë për një justifikim për të vrarë palestinezët”.

“Ata duan të vrasin sa më shumë palestinezë në mënyrë që t’i frikësojnë të tjerët që ta lëshojnë Rripin e Gazës dhe të shkojnë në Sinai. Ky është një plan që ata po e vënë në lëvizje për të zhvendosur palestinezët dhe për t’i dëbuar ata nga Rripi i Gazës, në të njëjtën mënyrë që ndodhi në Nakba në vitin 1948”, tha ai.

– Media perëndimore, “bashkëpunëtore” në krimet e luftës kundër palestinezëve

Për Alnaouq, media perëndimore “për një kohë të gjatë është dhe ka qenë bashkëpunëtore në krimet e luftës kundër popullit palestinez”.

Ai beson se Izraeli nuk mund t’i kishte kryer këto masakra “pa një mbulesë dhe një dritë jeshile nga mediat perëndimore”.

“Ata u kanë ofruar izraelitëve atmosferën e duhur për të kryer sa më shumë masakra kundër palestinezëve. Dhe ata gjithmonë mbulojnë dhe justifikojnë izraelitët kur kryejnë këto masakra kundër popullit palestinez”, tha Alnaouq.

“Jo vetëm që nga 7 tetori, por që nga themelimi i Izraelit, që nga Nakba e popullit palestinez, ata kanë përhapur shumë dezinformata, shumë gënjeshtra për atë që po ndodh në të vërtetë në Gaza”, shtoi ai.

Ai theksoi se Izraeli kujdeset shumë për atë se si shihet nga njerëzit në Perëndim.

“Unë besoj se mediat, nëse do të bënin punën e duhur, nëse do të bënin atë që është detyrë e tyre, me të vërtetë detyrën e tyre, mendoj se izraelitët nuk do të guxonin të bëjnë masakra të tilla kundër popullit palestinez. Ata gjithmonë përjashtojnë informacione shumë të rëndësishme që do të bënin një ndryshim të madh për audiencën. Por ata me dashje ose ndonjëherë pa dashje japin informacion të rremë dhe gënjejnë për palestinezët”, tha Alnaouq.

Megjithatë, ai ende iu zë besë qytetarëve të vendeve perëndimore për mbështetjen e tyre ndaj palestinezëve, duke përmendur protestat masive që organizohen rregullisht në vende si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Ata janë pro paqes dhe duan një armëpushim. Fatkeqësisht, qeveritë nuk e kuptojnë vullnetin e popullit të tyre dhe nuk dëgjojnë se çfarë duan në të vërtetë njerëzit e tyre”, theksoi ai.

Por ai beson se nëse protestat vazhdojnë, politikanët do të detyrohen të dëgjojnë popullin e tyre.

“Qeveritë e tyre do të duhet të bëjnë diçka për të kënaqur popullin e tyre, sepse këta njerëz janë shumë të trishtuar, janë shumë të zemëruar me qeveritë e tyre”, shtoi ai.

– Ushtria dhe regjimi izraelit në thelb janë “racist”

Më tej, Alnaouq theksoi se kjo nuk është hera e parë që Izraeli ka shkaktuar një shkatërrim të tillë mbi palestinezët ose Gazën, por ai beson se tani Izraeli është i vendosur të shkaktojë “dëm që nuk e kemi parë më parë”.

Ai theksoi se mbi 10 mijë njerëz të vrarë në vetëm një muaj është një nivel i paprecedentë i viktimave, duke shtuar se Izraeli pretendon se ende është në fazat e hershme të këtij konflikti dhe se mund të vazhdojë për një vit derisa të eliminojë Hamasin.

“Dhe, sigurisht, nuk jam dakord me ta. Ata nuk janë atje për të zhdukur Hamasin. Unë mendoj se ata pas gjithë popullit palestinez. Përndryshe, nuk do të kishim parë kaq shumë dëme për popullin civil dhe institucionet civile”, tha ai.

Për Izraelin, tha ai, tani gjithçka ka të bëjë me hakmarrjen për 7 tetorin.

“Mendoj se ushtria dhe regjimi izraelit janë racist. Ata në thelb janë racist dhe kjo është ajo që ata thanë. Ata thanë se tani po merren me kafshët njerëzore. Ata na shohin si kafshë njerëzore”, tha Alnaouq, duke iu referuar deklaratave të liderëve të lartë izraelitë si ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn, sipas gazetarit palestinez, do të ketë shumë “masakra dhe gjenocid” në ditët në vijim.

“Nuk jam optimist, të jem i sinqertë. Do të doja t’ju them se jam optimist dhe se mund të ketë një armëpushim”, tha Alnaouq.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit