1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Aspekti social i bankave Islame vs konvencionale

Më të lexuarat

Në kohët e fundit janë duke u shtuar debatet se sa janë të arsyeshme kamatat të cilat ngarkohen mbi klientët këtu në Kosove. Sipas kryetarit të Shoqatës së Bankave të Kosovës kamatat janë të arsyeshme dhe ai e arsyeton atë me shpenzime të shumta dhe me një rrezik të madh me të cilin përballen bankat në financimet e tyre. Mirëpo nëse shikohet profiti që bankat e Kosovës kanë realizuar gjatë vitit 2009, kap shifrën e disa dhjetëra milion euro. Vetëm Pro-Credit Bank ka realizuar 19 milion euro profit për vitin që e lamë pas. Kishte me qenë shumë e arsyeshme të shikohet se sa ka qenë profiti i kredimarrësve prej të cilëve këto banka kanë bërë fitimin. Bankat komerciale në Kosovë ofrojnë produkte me emra të ndryshëm, por që të gjitha ato produkte bankare mbështeten në kredi-dhënie-marrje. Relacioni në mes të bankës dhe klientit është kredidhënës dhe kredimarrës. Kjo nënkupton se që nga momenti i lejimit të kredisë, banka mund të llogaris fitimin e vet, sepse nuk kushtëzohet me mënyrën e përfundimit të projektit, qoftë ai me humbje apo fitim, por bënë llogarinë në maturimin e kredisë, pret kalimin e kohës dhe pagesat e kësteve nga klienti i vet dhe nuk i intereson nëse klienti ka patur humbje apo fitim në investimin që ka bërë me kredinë e marrë nga banka.

 

Në anën tjetër klienti ballafaqohet me dy pasiguri, e para; pasigurinë rreth mundësisë së realizimit të projektit për të cilin ka marrë kredinë dhe e dyta; me pasigurinë se si do të përfundoj projekti dhe a do të jet fitimprurës, ndërkohë që një gjë është e sigurt, shuma e pagesës që ka për ta bërë patjetër ndaj bankës, kapitali bazë plus përqindja e kamatës.

 

Këto ishin vetëm disa nga aspektet e sistemit bankar këtu në Kosovë, me të cilin populli ynë është duke u ballafaquar.

 

Çfarë do të ishte një alternativë për të zgjidhur problemin e bankimit në mënyrë më të mirë të mundshme. Deri tani nuk është marrë në konsideratë investimi në formë aksionare ku bëhet shpërndarja e kapitalit dhe shpërndarja e rrezikut. Investimet në ketë formë janë treguar më të sigurta, d.m.th. e stabilizojnë sistemin financiar dhe janë fitimprurëse për të gjitha palët e përfshira në investime. Ky edhe është një dallim në mes të sistemit financiar islam dhe atij konvencional.

 

 

Si do të evitohej ky problem nga një alternativë e sistemit Bankar Islam?

 

Është shumë normale që të kërkohet zgjidhje në aspektin islam, përderisa jemi të obliguar që për çdo gjë ti referohemi Kur’anit dhe Sunnetit, dhe se këto janë referencë jona për të gjitha kohërat dhe të gjitha vendet.

 

I. Një prej karakteristikave dalluese të sistemit ekonomik dhe financiar islam ndaj sistemeve tjera është besimi në prezencën Hyjnore, gjë që është një influencë dhe motivim shumë i madh në futjen e faktorit etik dhe social në veprimet e tyre ekonomike. Muslimani beson se është shpirtërisht në lidhje direkte me Allahun dhe nën kontrollin e Tij, i Cili dëgjon dhe sheh dhe shpërblen për punë të mira dhe ndëshkon për punë jo të mira. Duke i ditur të gjitha këto, ata synojnë ndihmën e Allahut dhe bekimin e Tij në çdo hap të rëndësishëm që marrin. Përveç interesimit për të fituar në tregtinë e tyre ata bëjnë punë që të kënaqin Allahun, i japin rëndësi edhe të ushqyerit të të varfërve, ndihmës së jetimëve, në përgjithësi ndihmës së nevojtarëve dhe mosmarrjes së kamatës në huat që japin.

 

II. Sikurse te sistemet e tjera ekonomike ashtu edhe në ato islame, paraja dhe sistemi bankar luajnë një rol të rëndësishëm. Mirëpo, që të jetë ky rol i pranuar në sistemin islam, duhet të jetë në ujdi me mësimet islame dhe në përmbushje të aspiratave të popullit. Islami synon që dhurata e Allahut dhënë një shoqërie, të shfrytëzohet deri në maksimum nga ajo shoqëri në mënyrë të arsyeshme pa ndonjë shpenzim të panevojshëm (israf), me një drejtësi shoqërore dhe kategorizim të drejtë (adl). Për të arritur këtë qëllim, Islami thekson kontrollin në procesin e fitimit dhe shpenzimit të pasurisë.

 

III. Financat Islame i kanë rrënjët mbi baza morale dhe strukturë që të kenë parasysh gjërat që janë hallall dhe haram. Një aktivitet i cili në sistemin kapitalist konsiderohet të jetë i arsyeshëm sepse ka kërkesë në treg, dhe pas asaj kërkese qëndron një fitim i madh siç janë: pijet alkoolike, bixhozi, prostitucioni, etj., në sistemin islam ky investim është i ndaluar. Banka Islame nuk e ka si qëllim përfundimtar vetëm të bëjë profit, por gjithashtu ka parasysh që biznesi që ndërmerr të mos shërbejë për degjenerimin e shoqërisë apo për gjëra të tjera të ndaluara.

 

IV. Sistemi islam është i orientuar në një ekonomi që tenton t’i shfrytëzojë të gjitha pasuritë materiale deri në maksimum, sepse çdo gjë e krijuar në qiej e në Tokë, është krijuar për të mirën e njerëzisë dhe ato duhet t’i shërbejnë qëllimit për të cilin janë krijuar. Në këtë mënyrë largohen vështirësitë nga njerëzit dhe krijohet një ambient i përshtatshëm ku njerëzit mund ta shfrytëzojnë kohën e tyre për të mirën e vetvetes, familjes dhe shoqërisë.

 

V. Bankat islame i japin prioritet dhe përkrahin investimet në projekte që ndihmojnë për zgjedhjen e problemeve të shoqërisë, duke krijuar vende të reja pune për një numër sa më të madh punëtorësh, sepse Islami obligon që ndihma të bëhet pa i turpëruar dhe pa ia humbur dinjitetin atyre që kanë nevojë për ndihmë. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë, është të krijoj vende pune për ta, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të punojnë dhe të fitojnë për nevojat e veta dhe mos ta shtrijnë dorën për lëmoshë.

 

VI. Aktivitet tjetër që praktikohet nga bankat Islame e që shkon në dobi të shoqërisë, është edhe dhënia e ‘kardul Hasen’ hua apo borxh për mirësi (hua pa kamatë) për disa kategori njerëzish që i përkasin rasteve sociale, p.sh. të paaftëve, të vejave, investimi apo ndihma në edukim. Të gjitha bankat islame e kanë këtë produkt (kardul Hasen) i cili nuk është fitimprurës për bankat por shkon vetëm në dobi të kategorive të përmendura.

 

VII. Investimet e bankave islame bazohen në pasuri reale, investime prodhuese apo tregtare dhe shërbime. Banka dhe klienti e bartin së bashku rrezikun dhe ndajnë humbjen apo fitimin sipas marrëveshjes së kontratës që është shumë e qartë që nga fillimi.

 

VIII. Edhe një karakteristikë dalluese në mes bankave Islame dhe atyre konvencionale është se, në raportet e bankave islame duhet patjetër të figuroj se sa kanë qenë ndihmuese të ekonomisë, dhe se relacioni në mes bankës dhe klientit është në formë partneriteti e jo thjesht kredidhënës – kredimarrës.

 

Edhe te ne në Kosovë sikur sistemi bankar të rregullohej dhe mbikqyrej sipas parimeve islame të bankimit, raportet e bankave ku profiti i tyre arrinë një shumë të konsiderueshme do të ishte tregues se edhe partnerët e tyre (klientët) kanë arritur një fitim të mirë, sepse marrëdhëniet në mes bankës dhe klientit do të ishin rregulluar në formë partneriteti dhe nuk ka mundësi njëri partner të fitoj shumë e tjetri të humb. Prandaj, mund të konkludohet se përveç dallimit në mënyrën e investimit është edhe dallimi në mënyrën e llogaritjes dhe auditimit, ku investimet me qëllime humanitare duhet të jenë pjesë e raportimit.

 

 

Autor: Dr. Islam Hasani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit