“Asnjë libër i shenjtë nuk ka zbritur nga qielli” – është titulli i një artikulli, të cilin në shqip e solli portali koha.net[1]. Artikulli, në origjinal[2], është një rezyme e një kërkimi ekipor shkencor pesëvjeçar nga shkencëtarë të Institutit për Kërkime Historike në Washington, publikimi komplet i të cilit pritet të bëhet vetëm në vitin 2015.
Studimi ka të bëjë me kontrollimin dhe verifikimin shkencor të librave fetar të krishterë, saktësia e të cilave në laboratorët e tyre nuk u provua. Shkencëtarët iu gëzuan pa masë kësaj, andaj edhe shfrytëzuan rastin për të thirrur njerëzit që të mos besojnë në fe, pasi që ajo është produkt njeriu dhe jo se Zoti ka të bëjë me të. Ndikimi i tyre nga mllefi ndaj fesë dhe urrejtja e madhe për të shihet qartë ne këtë abstrakt të publikuar tash kur edhe tri vite tjera duhen pritur për tu publikuar studimi në tërësi.
Studimi, sigurisht se nuk ka përfshirë edhe Kur’anin, ai bën fjalë vetëm për Biblën dhe versionet e saja. Në fakt, nuk janë të parët këta që kanë vërtetuar falsitetin e Biblës. Shkencëtarët myslimanë kanë dhënë vërejtjet e tyre shkencore për gabimet e Biblës[3], të cilat në raste të caktuara kanë shkuar edhe me mijëra, por nuk janë marrë parasysh kurrë.
Sido që të jetë, ne nuk do të merremi me gabimet e Biblës dhe as vërejtjet e shkencëtarëve myslimanë për to, pasi që konsiderojmë se, parësore dhe e domosdoshme për myslimanët është njohja e Kur’anit dhe bindja për vërtetësinë e tij.
Kësisoj, sot do të sjellim disa prej fakteve që dëshmojnë për autenticitetin e Kur’anit si fjalë e Zotit.
1. SFIDIMI
Allahu i Madhëruar ka caktuar që kumtimi i shpalljeve të Tij tek njerëzit të bëhet nëpërmjet të dërguarve, të cilët, për vërtetim të misionit të tyre, kanë patur edhe mrekulli. Në fakt, këto mrekulli është dashur të jenë sfiduese, në mënyrë që të vërtetohet se bëhet fjalë për profetësi, ndryshe, sikur të ishin të tipit të magjive, atëherë njerëzit nuk do t’i besonin, ngase magjitë nuk janë të panjohura për ta. Këto mrekulli, për dallim nga mrekullia (kryesore) e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], kanë qenë të kushtëzuara me elementet kohë dhe vend, pra, me vdekjen e misionit të profetit kanë marrë fund edhe ato. Ndërsa mrekullia e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], është caktuar të jetë e përhershme, pra të mos lidhet për pranisë fizike të profetit. Kësisoj, mrekullia kryesore e tij, Kur’ani Fisnik, është sfidues për të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave dhe të gjitha vendeve. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”.“ (el-Isra, 88)
Mrekullia kur’anore shfaqet në stilin, elokuencën, njoftimet (për të kaluarën), paralajmërimet (për të ardhmen), të vërteta (e vërtetuara edhe nga shkenca moderne), etj.
Mrekullia kur’anore shprehet në forma të ndryshme, në aspektin tesktual dhe praktik.
Imazhe nga sfidimi tekstual
Thotë Allahu i Madhëruar:
Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!”.“ (Hud, 13)
Në këtë ajet shfaqet sfidimi i Kur’anit për ata që përgënjeshtrojnë atë dhe pretendojnë rrejshëm se kinse atë e ka shkruar Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]. Allahu i Madhëruar sikur po iu thotë, nëse Muhammedi, alejhi’s selam e paska shpifur atë dhe paska shkruar këto 114 kaptina, atëherë ju sillni vetëm dhjetë të ngjashme me to. Ajo çka vërejmë në këtë ajet është se Allahu i Madhëruar nuk kërkoi prej tyre q ata të sillnin dhjetë kaptina nga Krijuesi i tyre apo nga putat që adhuronin, por, përderisa pretendonin se Kur’anin e ka shkruar Muhammedi, [alejhis salatu ves selam], atëherë le të shpifin edhe ata diç të tillë. Ua la hapësirën që ta ftojnë në bashkëpunim kë të duan për të bërë diç të ngjashme, nëse jo me tërë Kur’anin, atëherë bile me dhjetë prej kaptinave të tij.
E kur ata nuk patën mundësi të sjellin dhjetë kaptina, atëherë sfidimi u bë edhe më interesant, ngase nga dhjetë kaptina me sa sfidoheshin, sfida do të binte në një kaptinë të vetme. Allahu i Madhëruar thotë:
E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit).“ (el-Bekare, 23)
Në ajetin vijues, Allahu i Madhëruar sikur mbyll çështjen e sfidimit duke i paralajmëruar njerëzit se do ta kenë të pamundur sfidimin e Kur’anit, andaj, në vend se të vazhdojnë me këtë mohim, le ta besojnë Kur’anin ngase vetëm kështu mund ta ruajnë veten nga zjarri i Xhehennemit.
E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët.” (el-Bekare, 24)
Imazhe të sfidimit praktik
Ky lloj sfidimi është si vërtetim i atij paraprak ndërsa ka të bëjë me paralajmërimin kur’anor për shumë ngjarje shkencore të cilat askush nuk i ka ditur. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?“ (Fussilet, 53)
Ky ajet ku’anor është një lloj premtimi prej Allahut për zbulim në vazhdimësi të mrekullive – fakteve – shenjave, qofshin këto në vet qenien e tyre (njerëzve), apo edhe në kozmos, e të cilat dëshmojnë se Kur’ani është i vërtetë.
Nga ky ajet kur’anor kuptojmë edhe faktin se ai paraqet sfidim edhe për joarabët, dhe se nuk ka të bëjë vetëm me elokuencën porse edhe me të vërteta shkencore të shumta e të ndryshme, për të cilat kemi ndarë një pjesë të veçantë në këtë punim.
2. KUR’ANI, JO NGA NJERIU
Ky sfidim vërteton, para së gjithash, burimin e Kur’anit. Ai është fjalë e Zotit, që nuk ndryshon, ndërsa se është i tillë, Kur’ani përpiqet ta vërtetojë një gjë nga aspekte të ndryshme. Në fakt, akuzës se kinse atë e ka shpifur Muhammedi, [alejhis salatu ves selam], i përgjigjet në pesë forma:
Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”.“ (Junus, 38)
Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!“ (Hud, 13)
A mos po thonë se ai e trilloi atë? Thuaj: “Nëse unë kam trilluar, atëherë ai është mëkati im, e unë jam larg nga krimet tuaja”.“ (Hud, 35)
A mos po thonë se ai (Muhammedi) e trilloi? Jo, ajo është e vërtetë prej Zotit tënd që t’i tërheqësh vërejtjen një populli që nuk u erdhi ndonjë pejgamber para teje, ashtu që ata të gjejnë rrugën e drejtë.“ (es-Sexhde, 3)
Ose i thonë se ai (Muhammedi) e trilloi. Thuaj: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk keni mundësi asgjë të më mbroni prej All-llahut. Ai e di më së miri se çka i mvishni ju atij, por mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje dhe ndërmjet jush, Ai është mëkatfalësi, mëshiruesi”.“ (el-Ahkaf, 8)
Siç mund të vërejmë, akuzës për kinse shpifje të Kur’anit, iu përgjigj me këto pesë gjëra sfiduese:
1) Ta sjellin një kaptinë të ngjashme me Kur’anin
2) Të sjellin dhjetë kaptina të ngjashme me Kur’anin
3) Nëse profeti ka gënjyer, atëherë gënjeshtra nuk i bën dëm vetëm se atij
4) Kur’ani, pavarësisht se a e besojnë apo jo, është prej Allahut të Madhëruar
5) Nëse ai ka gënjyer për Allahun e Madhëruar, atëherë kush do ta mbrojë atë prej Tij.
Argument tjetër se Kur’ani nuk është nga njeriu janë edhe të vërtetat e tij dhe përputhshmëria absolute, gjë, që po të ishte nga njeriu nuk do të ndodhte kurrë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
Ÿ
A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.“ (en-Nisa, 82)
Se Kur’ani nuk është produkt njeriu tregon edhe fakti se Allahu i Madhëruar e ka marrë përsipër ruajtjen e tij dhe ka thënë:
Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.“ (el-Hixhr, 9)
Do të dilte shumë e pakuptimtë sikur Kur’ani të mos ishte libër i Zotit ndërsa ta merrte Ai në mbrojtje. Madje, do të lindin pyetje dhe dilema të shumta se përse vetëm Kur’anin e mori në mbrojtje ndërsa librat tjerë, të njerëzve tjerë, jo?
Se Kur’ani nuk është vepër e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] dëshmi janë edhe ajetet që disi e qortojnë Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. P.sh., në kaptinën el-Ahzabë, ajeti 37, Allahu i Madhëruar i drejtohet Muhammedit [alejhis salatu ves selam]:
(Përkujto) Kur i the atij që All-llahu e kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: “Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga All-llahu!”, e ti e mbaje fshehtë në veten tënde atë që All-llahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që t’i frikësohesh All-llahut. E pasi që Zejdi e kishte vendosur atë që kishte menduar ndaj saj, Ne ta kurorëzuam ty atë, e për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre. E vendimi i All-llahut është kryer.”
Rasti kishte të bënte me anulimin praktik të traditës së birësimit dhe këtë duke e urdhëruar që të martohet me gruan e shkurorëzuar të ish-djalit të birësuar, gjë që i vinte shumë vështirë atij.
3. MREKULLITË KUR’ANORE TË VËRTETUARA NGA SHKENCA BASHKËKOHORE
Mrekullitë shkencore në Kur’an janë dëshmi se ai është fjalë e Zotit, ngase niveli shkencor i kohës dhe kapaciteti teknologjik, që atëherë mbase nuk ka ekzistuar fare, nuk mund të konstatonin gjëra të tilla. Madje, disa prej këtyre të vërtetave kur’anore shkenca ka arritur t’i vërtetojë vetëm tash së voni dhe se deri në amshim ka çka për të vërtetuar nga Kur’ani, siç përmendëm në domethënien e ajetit 53 nga kaptina Fussilet. Ja disa nga këto të vërteta:
1) Beteja persiane – romake
Kur’ani Kerim përmend se fushëbeteja ndërmjet dy superfuqive të atëhershme ndodhi në pjesën më të ultë të sipërfaqes tokësore. Thotë Allahu i Madhëruar:
Elif, Lam, Mim. 2. Bizantinët (rumët) u mundën, 3. Në tokën më afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë.” (err-Rrum, 1-3)
Në kohën e zbritjes së Kur’anit fjala “edna” kuptohej si sinonim i afërsisë së vend betejës Persiano-Bizantine me tokën arabe, ndërsa në kohërat e sotme të përparimit të teknologjisë u vërtetua se fjala “edna” e ka kuptimin edhe të pikës më të ultë të rruzulli tokësor.
Fakti më interesant është se etapat më të rëndësishme të luftës së zhvilluar ndërmjet bizantinëve dhe persëve në të cilën bizantinët u mundën dhe si pasojë humbën Jerusalemin kanë ndodhur me të vërtet në pikën më të ultë të tokës. Ky rajon specifik është shtrati i detit të vdekur apo liqenit të Lutit i cili ndodhet në pikën e bashkimit të Sirisë, Palestinës dhe Jordanisë. Deti i vdekur shtrihet 395 metra nën nivelin e detit…
Kjo nënkupton se bizantinët u munden në pjesën më të ultë të tokës ashtu siç thuhet në Kur’an. Pjesa më e rëndësishme është fakti se lartësia e detit të vdekur mund të matet vetëm me pajisje teknike moderne. Më parë ishte e pa mundur të dihej se ajo ishte pjesa më e ultë e sipërfaqes së tokës .
A nuk është ky një argument bindës se Kur’ani është në të vërtet zbritje Hyjnore?!
2) Argumenti kur’anor dhe shkencor në dete dhe oqeane
Uji është burim dhe element themeltar i jetës ,është përmendur në shumë ajete në Kur’an por për ne mjafton të themi se territori i mbuluar me ujera detare në Kur’an përmendet në 44 vende ,po llogaritur ajete kur’anore që flasin për detarinë.
Mrekullia shkencore e Kur’anit nuk qëndron vetëm në të përmendurit e deteve në shumë ajete të Kur’anit, në të dhënat mbi llojllojshmërinë e ujërave të deteve, specifikat në nxehtësi, njelmësi, dendësi të gjallesave ujore, në sasi të oksigjenit, por mbi të gjitha kufijtë ndarës midis deteve të cilët i ka potencuar Kur’ani i Madhërishëm. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ai la të lirë të bashkohen dy dete, ky (njëri) i pijshëm e i shijshëm, e ky (tjetri) i njelmët e i idhët, e mes tyre bëri si të jetë ndonjë pendë, pritë që të mos përzihen.”(el-Furkan, 53)
Apo edhe versetet tjera:
Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete. 20. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë.” (err-Rrahman, 19-20)
Këto dy ajete kanë zbritur para 14 shekujsh kurse zbulimet shkencore nga shkencëtarët për herë të parë u bënë në vitin 1942, pasi dijetarët vendosen qindra pika studimi mbi det për të studiuar veçorit e tij.
3) Qendrat nervore në lëkurë dhe përshkrimi i tyre në Kur’an
Allahu i Madhëruar përmes Kur’anit na ka paralajmëruar se njerëzit të cilët bëjnë punë të mira dhe i kryejnë obligimet e Tij do të shpërblehen me Xhennet por u është kërcënuar me dënim të rëndë në Xhehenem për ata të cilët nuk e besuan dhe vepruan keq. Kështu që pabesimtarëve sa herë që t’u digjen lëkurat Allahu i Madhëruar do t’ua ripërtërijë atyre lëkurat për të shijuar-përjetuar dënimin e dhembshëm.
Nga kjo kuptojmë se ndjeshmëria e dhembjes është pikërisht lëkura. Për këtë Allahu i Madhëruar para 1400 vite i paralajmëroi pabesimtarët ku thotë:
Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hudhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. All-llahu është i plotfuqishëm, i drejtë.” (en-Nisa, 56)
S’do mend se edhe në këtë lëmi Kur’ani i parapriu shkencës bashkëkohore. I mahnitur nga ky fakt prof. dr. T. Taxhson Kryetar i degës së anatomisë dhe embriologjisë në universitetin Shajng Maj e njëherësh edhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Tajlandë, pranoi dhe përqafoi fenë islame.
4) Thellësia detare dhe oqeanike
Edhe për thellësinë e deteve dhe errësirat që ndodhen në oqeane na lajmëroi Kur’ani Kerim. Thotë për këtë Zoti.
Ose (veprat e tyre) janë si errësirat në det të thellë të cilin e mbulojnë valët mbi valë dhe mbi ato retë e dendura, pra, errësira njëra mbi tjetrën sa që nuk mund ta shohë ai as dorën e vet. Atij të cilit All-llahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë.” (en-Nur, 40)
A thua ishte në gjendje të dinte Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] me dijen e vetë për këto errësira në dete?
Gjithsesi se jo por ky fakt dhe faktet tjera janë dije të Allahut të Madhëruar janë argumente të Gjithëdijshmit. Shkenca bashkëkohore ka zbuluar që në fund të deteve të thellë –det në thellësi të pafund gjenden errësira të errëta ,në të cilat krijesat e gjalla jetojnë pa aparate për të parë , ku jetojnë me ndihmën e të dëgjuarit…
Këto errësira dhe shtresa u bënë të njohura në vitin 1900. Pra duke i parë këto të vërteta kur’anore dhe shkencore prof. Derga Bursad Rav, profesor i oqeanologjisë thekson:
“Është vështirë të imagjinohet se këto njohuri kanë ekzistuar në atë kohë, pra para 14 shekujsh…Kjo më shtyri të mendoj për një Fuqi Mbinatyrore e Mbinjerëzore dhe me bënë të besoj se këto njohuri kanë ardhur nga një burim Hyjnor.”
4. HADITHI SI DËSHMI
Se Kur’ani nuk është vepër e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] flet edhe hadithi, respektivisht natyra e tij, që, dallon tërësisht nga Kur’ani. Kështu, sikur të ishte edhe Kur’ani prej Muhammedit [alejhis salatu ves selam] atëherë dallimi ndërmjet tyre nuk do të ishte kaq i theksuar.
5. SINQERITETI I MUHAMMEDIT [ALEJHIS SALATU VES SELAM]
Sikur Kur’ani të ishte libër i tij, atëherë Muhammedi [alejhis salatu ves selam] do ta shfrytëzonte atë për autoritet të vetin. P.sh., në vend se ta përmend Isanë [alejhiselam] 25 herë, do ta përmendte veten, apo në vend sa ta përmend Merjemen [alejhaselam] disa herë do ta përmendte gruan e tij, Hatixhen [Allahu qoftë i kënaqur me të!] Por, jo, Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ka bërë atë që i është shpallur prej Zotit të vet.
6. TË TJERËT PËR KUR’ANIN
Se Kur’ani nuk është produkt njeriu kanë dëshmuar edhe emra të mëdhenj të shkencës nga radhët e jomyslimanëve. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre, ndryshe, përfshirja e të gjitha atyre fjalëve miradije që janë thënë kërkon hiç më pak se një libër të madh.
1) Maurice Bucaille
“Janë të paqëndrueshme hipotezat të cilat janë paraqitur prej atyre që mendojnë se Muhammedi alejhisselam është autor i Kur’anit, kur dihet shkaku i vërejtjeve të lartpërmendura. Si ka mundur njeriu analfabet të bëhet autori më i rëndësishëm në kuptim të meritave letrare, në mbarë literaturën arabe? Si ka mundur ai atëherë t’i shpjegojë të vërtetat e natyrës shkencore, që asnjë njeri deri në atë kohë nuk ka mundur ta zhvillojë, dhe tërë këtë duke mos bërë asnjëherë as gabimin më të vogël në të shpjeguarit e çështjeve.”
“Një shqyrtim krejtësisht objektiv i tij (Kur’anit) në dritën e diturisë moderne, na shpie ta njohim pajtimin ndërmjet këtyre dyve, sikur që tash është i njohur në disa raste. Kjo na detyron të gjykojmë se është fare e pakuptueshme që njeriu nga koha e Muhammedit alejhisselam të jetë autor i pohimeve të tilla, duke e marrë parasysh shkallën e diturisë së asaj kohe. Konsiderimet e tilla janë pjesë e asaj që i jep shpalljes së Kur’anit vendin e saj unik dhe e shtynë shkencëtarin objektiv ta pranojë joaftësinë të sigurojë një shpjegim i cili do të thirrej vetëm në anën materialiste.”
2) Johan Volfgang von Goethe:
“Qoftë e lavdëruar nata e bekuar, në të cilën, Pejgamberit të Zotit, iu shpall, nga lart, Kur’ani, me përkryeshmërinë e tij.“
“Kur’ani i tij duhet parë si Ligj Hyjnor dhe jo si ndonjë libër njerëzor, i bërë për edukim apo për argëtim.“
“Askush nuk duhet të habitet me efikasitetin e lartë të Librit. Për këtë, ai është cilësuar si jo i krijuar dhe i përjetshëm, (si fjalë) e Zotit nga ana e admiruesve të vërtetë të tij.”
“Kështu, pra, do të mbetet ky libër, përjetësisht, me efikasitetin më të lartë.”
3) Et Dinet, ka mësuar në Francë, më pas ka punuar në Algjeri, si gjykatës. Më 1927, deklaron pranimin e fesë Islame. Ka shkruar disa libra, për Islamin, në gj. franceze. Ai ka thënë:
“Kur’ani në fushën e gj. arabe ka bërë mrekulli, të cilën s’mund ta bëjnë as akademitë më të mëdha shkencore. Kështu, sikur sot të vijë ndonjë nga shokët e të dërguarit të All-llahut, do ta kishte të lehtë të kuptohej me mësimdhënësit e gj. arabe. Madje, nuk do të gjente ndonjë vështirësi gjatë komunikimit, edhe me popujt që flasin gjuhën e dadit (arabe).”
7. LEHTËSIA E NXËNIES SË TIJ PËRMENDËSH AI ARGUMENT
Një nga faktet se Kur’ani është libër i Zotit është edhe lehtësia në nxënien përmendësh të tij. Sot, llogariten të jenë hiç më pak se 9, 000.000.00 (nëntë milionë) njerëz në botë që e dinë përmendësh Kur’anin Famëlartë, ndërsa historia nuk ka shënuar kurrë që një libër njeriu të jetë trajtuar kështu siç trajtohet Kur’ani. Paramendoni, në mesin e këtyre hafizëve ka dhe shumë të atillë që nuk kuptojnë asgjë nga arabishtja por ja që nuk gjejnë vështirësi në nxënien përmendësh të Kur’anit.
Përmbyllje
KUR’ANI PËR LIBRAT E MËPARSHËM
Në përfundim, do të doja që t’ia japim Kur’anit fjalën dhe të na rrëfen për qëndrimin e tij karshi librave tjerë fetar, respektivisht të atyre që i paraprinë këtij.
Kur’ani në të folurit e tij për librat e mëparshme ndalet në aspekte të rëndësishme:
1) Vërteton se profetët kanë patur libra dhe se besimi në to është obligim. Allahu i Madhëruar ka thënë:
O ju që besuat, besoni vazhdimisht All-llahut, të dërguarit të Tij, librit që gradualisht ia shpalli të dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson All-llahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dëguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.“ (en-Nisa, 136)
2) Besimi se popujt e aluar e kanë patur obligim përfilljen e tyre
Allahu i Madhëruar ka thënë:
(E zbritëm) Që ithtarët e Inxhilit të gjykojnë sipas asaj që All-llahu e zbriti në të. E kush nuk gjykon sipas asaj që All-llahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit.“ (el-Maide, 47)
Kjo, sigurisht, para se të shpallej Kur’ani.
3) Besimi se librat kanë vërtetuar njëra tjetrën, respektivisht i fundi vërteton të mëparshmin
Allahu i Madhëruar ka thënë:
Ne vazhduam gjurmët e tyre (të pejgamberëve) me Isain, birin e Merjemes, vërtetues i Tevratit që kishin më pranë. Atij i dhamë Inxhilin, që është udhëzim i drejtë dhe dritë, që është vërtetues i Tevratit që kishin pranë, që ishte udhëzues e këshillues për të devotshmit.“ (el-Maide, 46)
4) Besimi se ato janë devijuar.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
Ÿ
O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vertetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe e fshihni realitetin?“ (Ali Imran, 71)
Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata, dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të shtangura). Ata i ndryshojnë fjalët (në Tevrat) nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vërejsh tradhtinë e një pjese të tyre, përpos një pakice nga ata. Pra falju dhe hiqju tyre. All-llahu i do ata që bëjnë mirë.“ (el-Maide, 13)
Ÿ
O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk ju jep sqarime. Juve ju erdhi nga All-llahu dritë dhe libër i qartë.“ (el-Maide, 15)
5) Besimi se Kur’ani ka vërtetuar ato pjesët e shtrembëruara dhe se ai mbete referenca e vetme për to. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Dhe ajo që Ne të shpallëm ty nga libri, është e vërtetë e saktë, që vërteton edhe për ata që ishin para tij. Vërtet, All-llahu është hollësisht i njohur ndaj robërve të vet, i sheh të gjitha.“ (Fatir, 31)
Përgatiti:
Sedat ISLAMI
[1] http://koha.net/?page=1%2c7%2c112881
[2]http://www.dailysquib.co.uk/sci_tech/3102-scientists-prove-that-all-religious-books-are-man-made-nonsense.html
[3] Shih: Ebu Zehre, Muhammed. Muhadarat fi-n-nasranijjeh (Ligjërata për krishterimin); Didat, Ahmed. Hel el-kitab el-mukaddes kemalullah? (Libri i shenjtë a është të folur të Zotit?); Rrejs, Ali. Tahrifu mahtutati-l-kitabi-l-mukaddes (Shtrembërimi i dorëshkrimeve të librit të shenjtë); Kadeh, Mahmud Ibn AbduRrahman. Es-esfar el-mukaddese inde-l-jehud ve etheruha fi inhirafihim (Shkrimet e shenjta tek çifutët dhe roli që patën në devijimin e tyre); Nehhal, Beha. Meshakil el-kitabi-l-mukaddes (Problemet e librit të shenjtë); Nexhdi, Ruvejkad Ibn Salih et-Temimi. El-muesses fi nakdi el-kitabu-l-mukaddes (Kritika për librin e shenjtë); Shelebi, Abdul Vedud. Et-tezvir el-mukaddes (Falsifikimi i shenjtë); Bukai, Moris. El-Kur’anu-l-Kerim ve-l-Inxhil ve-t-Teurat ve-l-ilm – dirasetu-l-kutubi-l-mukaddeseti fi dav’i-l-mearifi-l-haditheh (Kur’ani Fisnik, Ungjilli, Tevrati dhe shkenca – Studim i librave të shenjtë në dritën e njohurive bashkëkohore); Samirai, Nu’man Ibn AbduRrezak. Et-Tevratu bejne fakdani-l-asli ve tenakudi-n-assi (Tevrati ndërmjet humbjes së origjinalit dhe kundërthënies së tekstit), etj. El-Bejruti, Muhammed Ibn Tahir et-Tenir. El-akaid el-vethenijje fi-d-dijaneti-n-nasranijjeh (Besimet idhujtare në fenë e krishtere); Sa’di, Muhammed. Havle meuthukijjeti-l-Enaxhil (Rreth autenticitetit të Ungjillëve); Abdul Vehhab, Liva Ahmed. El-Mesih alejhiselam fi mesadiri el-akaidi-l-mesihijjeti – hulasatu ebhathi ulemai-l-mesihijjeti fi-l-garb (Isai –alejhiselam- në burimet e besimeve të krishtera – rezymeja hulumtimeve të dijetarëve të krishterë në Perëndim), etj.