-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Askush s’merr përgjegjësi për protestuesit në Xhaminë e Çarshisë

Më të lexuarat

Në protestën e fundit të Opozitës së Bashkuar, të mbajtur në Prishtinë më 26 shkurt 2016, ka ndodhur një akt i protestuesve që me shumë gjasë nuk është parë deri më tash në vendin tonë.

Pas fjalimeve të udhëheqësve opozitarë në sheshin “Skënderbeu”, qytetarët që iu ishin bashkuar protestës u ftuan të zhvendoseshin në sheshin “Adem Jashari”, pikërisht në mes të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Por, disa prej protestuesve ia mësynë minares së Xhamisë së Çarshisë si formë të protestës së tyre.

Në maje të minares janë parë 4-5 protestues që bënin thirrje politike nga lart: “Poshtë Hashim Thaçi! Poshtë Isa Mustafa!”.

Aty ishte vendosur edhe flamuri kombëtar.

xhamia

Ky veprim dënohet ashpër nga drejtuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.

I kontaktuar nga Klan Kosova, sekretari Adnan Bërbatovci ka thënë protestuesit nuk është dashur ta përdorin xhaminë për protestim, sepse feja dhe xhamitë tona nuk duhet të involvohen në situata politike qofshin ato ditore apo për ndonjë arsye tjetër.

“Është keqpërdorim i institucionit fetar nga ana e kujtdo qoftë. Institucioni fetar duhet të ruhet prej të gjithëve”.

Se ky është keqpërdorim i objektit fetar e thotë edhe imami i kësaj xhamie, Shaqir Kqiku.

“Xhamia është vend për lutje dhe bashkim të njerëzve pa dallim posti, pasurie, moshe dhe gjinie, prandaj nuk duhet të përdoret për diçka tjetër”.

Me të marrë informatën se protestuesit gjendeshin në xhami, ai i kishte njoftuar drejtuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame.

Bërbatovci ka konfirmuar se menjëherë i kishte lajmëruar organet e policisë për të ndërhyrë.

“Posa kemi parë protestuesit që kanë hipur sipër xhamisë dhe në minare, ne kemi kontaktuar Policinë e Kosovës”.

“Ne si Këshill i Bashkësisë Islame e kemi kryer përgjegjësinë tonë”.

Ai ka thënë se objekti i kësaj xhamie është duke u renovuar tash e sa kohë.

“Xhamia është duke u renovuar dhe përgjegjësia kryesore bie mbi Komunën e Prishtinës dhe Drejtorinë për Trashëgimi Kulturore”.

I kontaktuar nga Klan Kosova, Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, ka deklaruar se ata janë vetëm donatorë në renovim dhe nuk janë përgjegjës për kujdesin ndaj këtij objekti fetar.

Ai përgjegjësinë ia hedh BIK-ut, por edhe Institutit për Trashëgimi Kulturore.

Për këtë rast Klan Kosova ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës.

Zëdhënësja për Rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, ka thënë se policia nuk është përgjegjëse që t’i ruajë objektet fetare.

“Puna jonë që të tërheqim vërejtjen në raste të tilla, Njësoj kemi vepruar edhe atë ditë me të marrë informatën se ka njerëz që kanë depërtuar edhe në xhami”.

Ahmeti ka siguruar se policia menjëherë ka intervenuar dhe i ka larguar protestuesit nga aty.

 

Në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës thonë se siguria është përgjegjësi e institucionit që zbaton projektin në bashkëpunim me palët tjera.

“Projekti në fjalë është mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës dhe zbatuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve”, ka thënë për Klan Kosovën, Vjollca Aliu nga kjo ministri.

“Sa i përket përkujdesjes ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore, konfirmoj se të gjithë jemi përgjegjës”.

Aliu tërheq vëmendjen që jo vetëm kjo xhami, por asnjë ndërtesë tjetër që ka status të objektit të mbrojtur nuk mund të keqpërdoret.

Edhe Agim Gërguri nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, ka thënë se ky objekt fetar është tërësisht nën përkujdesen e Bashkësisë Islame të Kosovës.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit