Në tremujorin e parë të vitit 2022 gjithsej janë regjistruar 2.831 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2021 kemi rritje për 17.2% të ndërmarrjeve të regjistruara. Edhe mëtej tregtia mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar për kosovarët.
“Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 718 biznese të regjistruara (25.4%), Prodhim me 326 biznese (11.5%), Ndërtimtari me 312 (11%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 279 biznese (9.9%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 267 biznese (9.4%), etj”, vlerëson ASK në raportet e saj.
Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2.711 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (95.7 %), me 5 deri 9 të punësuar janë 83 sosh (2.9%), 10 deri në 19 të punësuar 22 (0.7%), 20 deri 249 të punësuar me 14 (0.5%) ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar kemi vetem një (1) ndermarrje gjatë këtij tremujori.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron komuna e Prishtinës me 859 ndërmarrje të regjistruara (30.3%), Prizreni me 261 (9.2%), Ferizaj me 239 (8.4%), Gjilani me 170 (6%), Peja 147 (5.2%), dhe Fushë Kosova me 135 (4.8%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.