3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

ASK: Kosova ka 1.58 milion banorë

Më të lexuarat

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit.

Ai tha se nuk pritet të ketë dallime të mëdha nga të dhënat paraprake, duke theksuar se sipas praktikave edhe në vendet e rajonit, ndryshimi mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Kastrati tha se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas tij, në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.

Sipas të dhënave paraprake, në Mitrovicë të Veriut janë regjistruar 2.300 persona, në Zveçan, 435, në Zubin Potok 758 dhe në Leposaviq 3.207.

Ligji për regjistrimin e popullsisë parasheh gjoba prej 30 deri në 2.000 euro për personat që refuzojnë të regjistrohen. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

ASK tha se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.

Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie.

Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind, ndërkaq rënie më të madhe të popullsisë, prej 36.5 është shënuar në Kamenicë.

Në Fushë Kosovë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.

Gjatë ngjarjes ku u publikuan të dhënat paraprake, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ishte ndër projektet më me prioritet të ekzekutivit që ai udhëheq.

Kurti tha se të dhënat e këtij procesi do të shërbejnë që institucionet të bëjnë shpërndarjen e barabartë të burimeve dhe të marrin vendime më të mira.

“Pa të dhëna të sakta, pa statisitika edhe vendimet mund të mos jenë cilësore”, tha Kurti.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit