-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ashtu siç i fitoi, ashtu edhe i shpenzoi

Më të lexuarat

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa salavat i dërgojmë pejgamberit të fundit Muhamedit(a.s.), familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Ashtu siç i fitoi, ashtu edhe i shpenzoi

(Një tregim): Hasna u fut me shpejtësi në shtëpi dhe e gjeti nënën e saj duke përgatitur ushqim për babanë e saj, i cili në çdo moment pritej që të kthehej nga puna. Menjëherë u afrua te nëna e saj për t’i ndihmuar,dhe me atë rast e informoi atë, se mësuesja e mësimbesimit ua kishte treguar një tregim shumë interesant, për një grua dhe vajzën e saj që shisnin qumësht. Ajo i tha asaj se ishte impresionuar nga morali i asaj vajze nga tregimi, dhe se dëshironte të ishte si ajo vajza, në moralin dhe besimin e sinqertë në Allahun e Plotfuqishëm. Hasna nuk priti që nëna t’i kërkonte asaj t’ia tregonte tregimin, por ajo atë e bëri vetë dhe tha:

“Transmetohet se halifi Omer (r.a.),njëherë me shërbëtorin e tij i vizitoi vartësit e tij në Medinë, dhe kur ata po kalonin pranë një shtëpie, e dëgjuan një grua duke i thënë vajzës së saj:E dashura vajzë, përziej pak ujë në qumësht që të bëhet më shumë, në mënyrë që fitimi ynë të jetë më i lartë.’

Vajza iu përgjigj:‘Oj nënë, a nuk të kujtohet se sa i ka paralajmëruar muslimanët halifi Omer për mashtrim, duke e përmendur pikërisht përzierjen e ujit me qumësht për fitime më të larta?!”

Nëna e saj i tha:‘Omeri është larg tani, oj vajza ime, dhe ai nuk na sheh çka po bëjmë’!

Për këtë vajza u përgjigj: ‘Oj nënë, edhe nëse Omeri nuk na sheh, Allahu na sheh.’

Halifi Omar u gëzua shumë nga ato që dëgjoi nga vajza, dhe e urdhëroi shërbëtorin e tij që ta mbante në mend atë shtëpi, dhe t’i sillte lajme për atë familje nesër pas namazit të sabahut. Shërbëtori e kreu detyrën e tij dhe e informoi udhëheqësin e besimtarëve, Omerin (r.a.), se ajo ishte një familje, dmth. nëna dhe vajza, që e siguronin jetesën nga shitja e qumështit. Kur halifi Omer (r.a.), u kthye në shtëpi, e thirri djalin e tij Asimin dhe e pyeti nëse donë të martohej. Pasi mori përgjigje pozitive, ai e dërgoi për ta kërkuar atë vajzë, dhe Asimi e pranoi këshillën e babait të tij.

Jo shumë kohë më vonë, Omeri (r.a.), e martoi djalin e tij me atë muslimanen e ndershme dhe të devotshme. Ajo grua ishte gjyshja e halifit të famshëm emevit Omer ibn Abdulazizit, i cili ishte i njohur për drejtësinë dhe devotshmërinë e tij. Nëna ishte e kënaqur dhe e lumtur që vajza e saj u martua me djalin e halifit, dhe duke u penduar për atë që i kishte propozuar, i tha: “Vajza ime, dije se në mashtrim nuk ka bereqet, se ai çon në zjarr, kurse fitimi hallall, sado i vogël të duket, ai e lartëson njeriun dhe e çon në xhenet.”

Vëllezër të dashur!

Pejgamberi (savs), një herë ju tregoi sahabëve tregimin e fitimit hallall, duke thënë:

‘Në një nga popujt e mëparshëm ishte një njeri që bënte tregti me qumshtë. Ai kishte një varkë me të cilën shëtiste nëpër fshatra dhe vendbanime përgjatë bregdetit, dhe u shiste atyre qumësht. Mirëpo, ai ishte mashtrues dhe tregtar i pandershëm, sepse e përziente ujin me qumësht, në mënyrë që të fitonte sa më shumë para.

Kështu, ai njëherë e shiti të gjithë sasinë e ‘qumësht të përzier me ujë’, e mbushi çantën me monedha ari dhe u kthye në shtëpi me varkën e tij, i lumtur dhe i kënaqur përplot me shpresë se së shpejti do të bëhej njeri i pasur. Derisa po ëndërronte për pasuri të tillë, majmuni i tij i lumtur po kërcente nëpër anije, dhe në një moment e kapi çantën me monedha ari dhe u ngjit me të në direkun e anijes.

Kur e pa këtë, tregtari mbeti pa frymë nga frika se majmuni do ta hidhte çantën me monedha në ujë, dhe kështu do ta shkatërronte tregtinë dhe do t’i shuante ëndrrat e tij të ëmbla. Ai iu lut që të zbriste, dhe i foli në mënyrën më të bukur: ‘Të lutem zbrit nga lart, ose ma hidh çantën me monedha, por ngadalë, që të mos bie çanta në ujë dhe të mos i humbas fitimet e mia.’

Majmuni nuk e kuptoi atë që i thoshte pronari, por, si një tregtar me përvojë, e hapi çantën dhe i vështronte monedhat e arta kinse kishte njohuri për paratë, pastaj e nxori një monedhë ari nga çanta, e ktheu pak në dorë dhe pastaj e hodhi poshtë tij dhe ajo ra në varkë.

Tregtari vrapoi i tërbuar drejt monedhës së artë, dhe derisa e merrte, ia nguli sytë majmunit duke shpresuar se do ta bënte të njëjtën gjë me të gjitha monedhat e arta. Pastaj majmuni e mori një monedhë tjetër ari, luajti me të dhe më pas, në vend që ta hidhte në varkë, e hodhi në ujë. Tregtari u shtang kur e pa këtë, dhe në dëshpërim filloi të godiste veten në fytyrë duke i bërtitur majmunit, i cili nuk e dëgjonte fare.

Majmuni vazhdoi t’i nxirrte monedhat e arta dhe fitimet nga uji i hidhte në ujë, kurse fitimet nga qumështi i hidhte në varkë, derisa e zbrazi çantën. Kështu tregtari mori pjesën e tij të fitimeve, kurse uji e mori pjesën që i takonte.’

Ky ishte verdikti i drejtë i gjykatësit të drejtë majmunit, për shkak të të cilit, tregtarin mashtrues e gjeti hidhërimin këtë botë, kurse në Ditën e Gjykimit ai do të përballet me hidhërim edhe më të madh dhe shkatërrim të plotë, si dhe çdo tregtar mashtrues, nëse sinqerisht nuk pendohet dhe nuk korrigjohet.”
(Musnedi i Imam Ahmed ibn Hanbelit)

E lusim Allahun e dashur, që të na tregojë të vërtetën si të vërtetë, dhe të na ndihmojë ta ndjekim atë! Kurse gënjeshtrën të na tregojë si gënjeshtër, dhe të na ndihmojë ta shmangim atë. Që të na ndihmojë të punojmë e të fitojmë me hallall, dhe të ruhemi e të shmangemi prej haramit!

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

O Zot, na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e sollën dritën e Islamit! Kurse fëmijët tanë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Zot, të lutemi t’i mëshirosh të vdekurit tanë, t’ua falësh mëkatet, dhe ata së bashku me neve na vendosë në xhenet. Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit