2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Arrihet marrëveshja për armëpushim në Siri

Më të lexuarat

Është arritur marrëveshja për armëpushimin mes palëve luftuese në Siri duke filluar nga ora 00:00 më 30 dhjetor

ANKARA (AA) – Ministria e Jashtme e Turqisë ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për armëpushimin mes palëve luftuese në Siri duke filluar nga ora 00:00 më 30 dhjetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën me shkrim nga ministria është rikujtuar se në drejtim të gjetjes së zgjidhjes gjithëpërfshirëse politike për konfliktin në Siri, prej një kohe të gjatë janë duke u zhvilluar punime intensive për fillimin e bisedimeve mes regjimit dhe opozitarëve, përfundimin e dhunës dhe realizimin e ndihmave humanitare.

Në deklaratë po ashtu bëhet e ditur se si rezultat i këtyre përpjekjeve mes palëve luftuese në Siri është arritur marrëveshja për armëpushimin në tërë vendin duke filluar nga ora 00:00 më 30 dhjetor, zhvillim ky i cili është përshëndetur në deklaratë.

Sipas deklaratës, grupet e shpallura si organizata terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ndërkohë që Turqia dhe Rusia kanë dhënë mbështetjen e tyre si vendet garantuese të saj.

Deklarata nënvizon se me këtë armëpushim palët janë të detyruara t’i ndërpresin sulmet e armatosura, përfshirë edhe ato ajrore, dhe të mos përpiqen t’i zgjerojnë zonat që i kontrollojnë kundrejt njëri-tjetrit.

Në deklaratë, më tej thuhet: “Është me rëndësi që të gjitha palët ta respektojnë këtë armëpushim. Turqia dhe Rusia do t’i japin mbështetje të fuqishme armëpushimit, ndërsa së bashku do ta ndjekin edhe procesin pas tij. Për zbatimin e armëpushimit, rëndësi të madhe pa dyshim ka edhe mbështetja e nevojshme e shteteve të cilat kanë ndikim mbi grupet në terren. Shteti ynë ka luajtur rol determinues në përfundimin e evakuimeve nga Halepi para disa ditësh dhe në arritjen e armëpushimit i cili do të zbatohet në tërë Sirinë nga dita e nesërme.”

“Duke e respektuar në mënyrë të plotë armëpushimin, me shpresë për të hedhur hapa të rëndësishëm për rigjallërimin e procesit politik nën monitorimin e OKB-së përmes takimit në Astana të regjimit dhe opozitës nën mbikëqyrjen e shteteve garantuese me qëllim të arritjes së tranzicionit politik në Siri në bazë të Konventës së Gjenevës dhe rezolutës 2254 të KS të OKB-së, Turqia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj në këtë drejtim pa pushim”, theksohet në deklaratë.

Putin: Turqia dhe Rusia do të jenë vendet garantuese

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se nën e garancinë e Turqisë dhe Rusisë, në Siri është arritur marrëveshja për armëpushim.

Edhe ushtria e Asadit shpall armëpushim në mesnatë

Ushtria besnike e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad ka konfirmuar se do të respektojë armëpushimin i cili hyn në fuqi sonte në mesnatë.

Forcat e regjimit, nëpërmjet një njoftimi në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë, bënë të ditur se sonte në mesnatë do të ndërpresin të gjitha aktivitetet dhe do të hyjë në fuqi armëpushimi.

“DEASH, Fronti Al Nusra dhe organizatat terroriste të lidhura me to, nuk do të përfshihen në armëpushim”, thuhet në deklaratë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit