1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Arnautët (shqiptarët) e Sirisë

Më të lexuarat

Nga jeta që kam jetuar në Damask dhe Siri, për mua personalisht është periudha më e mirë e jetuar në jetën time, viti më i lumtur i jetës sime deri tani. Vetë vendi atje, me një histori shumë të gjatë (mos harrojmë të përmendim se Damasku njihet si qyteti më i vjetër në botë), me një përzierje historish botërore, me një përzierje të mrekullueshme dhe të paqshme fetare, etnike, kulturore, gjuhësore atje, më jepte vërtetë një përshtypje sikur jetoja mes shumë qytetërimesh në një vend. Qytet i bekuar nga Allahu, Zoti i botëve, dhe profeti Muhamed a.s..
Të njëjtat fjalë mund të them dhe për popullin e Sirisë, kam pasur fat atje, sigurisht dhe nga dëshira dhe kërshëria ime për të parë shumë vende dhe për të takuar shumë njerëz, që të kem shumë miq e shokë që jetojnë në Damask e Siri, dhe ende dhe sot mbaj mend pothuajse çdo person që kam njohur atje dhe me shumë prej tyre ende mbaj kontakte, kam pasur dhe ende kam një respekt dhe mall për banorët atje, në veçanti për miqtë që kam takuar shpesh, duke qenë arabë, kurdë, shqiptarë të vjetër (Arnautë) etj.
 
Shqiptarët e hershëm (Arnautët)  një komunitet i formësuar shqiptar në Siri
Për shqiptarët e vjetër atje, të cilët njihen si Arnautë, bile shumica e tyre mbajnë këtë emër familjeje (ose mbiemër).
Kam pasur gjithashtu rastin që për sa kohë që isha atje të takoja përballë shumë nga personalitet shqiptarë të vjetër të cilët jetojnë në Damask. Këtu mund të përmend takimet me dijetarin e madh musliman shqiptar Abdulkadër Arnauti, për të cilin qendra jonë në vitin 2009 ka botuar një libër për jetën dhe veprën e tij, pastaj Imam Vehbi Sulejman Gavoçin me të cilin kam bërë dhe një intervistë personale në 2004, pastaj Dr. Abdulatif Arnautin, Dr. Muhamed Mufakun-Arnauti, Shefqet Gavoçin (i cili ka qenë dhe mësuesi i gjuhës shqipe për shqiparët atje), etj.
Në Damask (Siri) ka pasur më herët një komunitet të formësuar mirë të shqiptarëve. Sipas të dhënave që më ka treguar vetë prof. Shefqet Gavoçi, shqiptarët në Damask dhe Siri më herët kanë qenë më të afërt me njëri-tjetrin, qoftë në aspektin e banimit, të ruajtjes së traditave, kulturës, gjuhës shqipe etj.
Në Damask ka lagje të veçanta të shqiptarëve (Arnatëve), të cilat ekzistojnë që nga fillimi i shekullit 20. Këtu mund të përmendim lagjen Divanije ku njihet që herët në Damask si Mahalla e Arnautëve, ku po ashtu gjendet dhe Xhamia Arnaut, e ndërtuar nga shqiptari Sulejman Gavoçi, me origjinë nga Shkodra. Arnautët (shqiptarët) atje janë gjendur dhe puqur shumë lehtë me popullsinë vendase dhe janë pritur shumë mirë. Gjithashtu, ata e kanë përfaqësuar veten e tyre në shumë aspekte të shoqërisë atje, në kulturë, fe, në letërsi, në ekonomi, në politikë, në ushti etj., ku shumë emra shqiptarësh atje kanë arritur dhe maja në fusha të ndryshme të jetës.
Një rrugicë në një nga lagjet e vjetra të Damaskut, në lagjen Ruk ad-Din, mban emrin e një shqiptari (Arnauti) që ka jetuar dhe vdekur atje, Haitham al-Arnaut.
Është një e vërtetë e pamohueshme që shteti shqiptar nuk ka dhënë dhe nuk jep asnjë ndihmë konkrete për shqiptarët atje, qoftë në aspektin kulturor, kombëtar etj. Janë shumë pak shkrime, artikuj e libra të shkruara për shqiptarët (Arnautët) që jetojnë në përgjithësi në Orient, që nga Bosnja, Turqia e deri në Tunizi, si dhe në veçanti në Siri (ose zonën e Sham-it).
Mund të përmendim që revista kulturore-shkencore për studime orientale “Ura” në Tiranë, në vitin 2010, numrin 5 të saj e botoi si një numër ekskluziv për këta shqiptarë, Arnautët.
Shqiptarët (Arnautët) në një numër të konsiderueshëm mund të gjenden në qytetet dhe qendrat më të njohura të Sirisë, si në Damask, Halep, Hama, Hums, Suvajda, Lattakia etj.
Ndërkohë, nga shqiptarët e rinj në Damask kam njohur një numër të madh prej tyre nga qytete dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga Kosova e Maqedonia të cilët, ashtu si unë, ishin për studime.
 
Situata e tanishme në Siri
Në lidhje me situatën e tanishme në Damask dhe Siri, jam prekur shumë. Mendoj se ai popull, kohët e fundit pas kolonizimeve të fillimit të shekullit 20, ka vuajtur shumë nga një zgjedhë e dhunshme politike komuniste, me përkrahje kryesisht nga Rusia, për të shtypur një masë tjetër fetare, etnike, politike etj., vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin politik dhe ushtarak të kryesuesve të saj.
Po i ndjek me zemërim dhe mall pothuajse çdo ditë ngjarjet e atjeshme, me lot në sy dhe dhimbje në zemër.
Regjimi dhe pushteti i familjes Asad, i marrë mbase në mënyrë të padrejtë që nga fillimi i vet, me përkrahjen fillestare nga Franca, si ish-kolonizatorja e saj (nga e cila kanë marrë dhe instaluar në Siri tërësisht në mënyrë të njëjtë sistemin politik dhe arsimor të saj), e udhëheq Damaskun dhe Sirinë prej një periudhe shumë të gjatë kohore, rreth 40 vjet.
Edhe pse gjatë kohës së qëndrimit tim 1-vjeçar në Siri, në vitin 2004, kam pasur shumë rezerva në të folur, sepse ishte një vend socialist dhe nuk kishe të drejtë të flisje çfarë mendoje. Kam pasur rast të takoj arabë dhe shqiptarë të vjetër atje të cilët më tregonin për gjendjen e vështirë në të cilën jetonin, në veçanti në aspektin politik. Kishte njerëz që dhe ndiheshin të diskriminuar nga shteti për shkak se nuk pranonin qeverinë që sundonte, dhe disa prej tyre bile më flisnin dhe hapur dhe me inat kundër një sistemi të tillë.
Siria që prej marrjes së pushtetit nga Hafiz al-Asad dhe gjatë gjithë kohës në pushtet ka ushtruar një veprimtari të ashpër armiqësore ndaj kundërshtarëve të partisë në pushtet, dhe mendoj se shumë nga banorët e Sirisë, jo vetëm tani që i kapi vala e “pranverës arabe”, por gjatë gjithë këtij sundimi kanë vuajtur në mënyra të ndryshme, dhe tani po shihet nga gjithë bota.
Një regjim i tillë dhunues i popullit tënd për shkaqe fetare, politike, etnike etj. mendoj se është i papranueshëm për një vend si Siria me një kulturë dhe qytetërim të lashtë. Fatkeqësisht, mendoj se nëse ky regjim do të qëndrojë sërish në pushtet, por që e ndjej me zemër që do të bjerë së shpejti, Siria do të pësojë shumë humbje. Për mua, kjo krizë (nëse mund ta quajmë të tillë) do të dështojë shpejt, dhe besoj se me ndihmën e Zotit, populli besimtar me forcat dhe aftësitë e veta do të triumfojë, dhe shpresoj se një brez shumë më i mirë do të udhëheqë me drejtësi popullin e Sirisë.
Siria meriton shumë që të jetë në paqe me popullin e saj dhe popujt e tjerë në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe me gjithë botën!
 
Në mediat perëndimore shpesh thuhet se minoriteti Alevi dhe ai i krishterë druhen nga një ardhje në pushtet e shumicës sunite sepse atëherë ndoshta do të persekutohen minoritetet. A mendoni se një frikë e tillë është e justifikueshme? 
Përgjigje: Gjatë sundimit të muslimanëve nëpër histori, mund të themi me fakte dhe argumente se kudo që kanë shkelur ata kanë sjellë paqe në atë popull. Në këtë aspekt dhe minoritetet e krishtera në Siri dhe kudo nëpër botën islame kanë jetuar gjithmonë në paqe me shtetin islam.
Minoriteti i sektit musliman Alevi (që ka pushtetin në Siri), me përkrahje relative nga Irani, besoj se i druhet ardhjes në pushtet të ndonjë qeverie me bazë sunite, që është dhe shumica e popullit. Unë personalisht mendoj se shumica duhet të sundojë gjithmonë mbi pakicën, sepse dhe pakica do të jetë gjithmonë më e qetë. Këtu po bëj një paralelizëm me Shqipërinë, ku duke qenë se shumica e popullit shqiptar i përket besimit islam suni, ne fatkeqësisht sundohemi nga minoranca e krishterë, të cilët bëjnë dhe politikën dhe qeverisin shumicën muslimane. Nuk jam aspak kundër që dhe pakica të sundojë, por vetëm nëse mban drejtësi për shumicën përkatëse të besimit të atij populli, gjë që nuk besoj se është realitet, as në Siri e as në Shqipëri.
Ndërkaq, për sa i përket të krishterëve që jetojnë në Siri, atje gjenden rreth 23% e popullsisë. Nuk besoj se kjo frikë mund të jetë e pranueshme ose e justifikueshme, sepse vetë historia islame na tregon të kundërtën, për të drejtat që kanë minoritetet fetare brenda Islamit dhe jashtë tij, ku dhe persekutimi i tyre për shkaqe fetare është dënuar nga Islami.
Mund të shtoj këtu që kjo frikë që mund të propagandohet tani dhe sot në mediat perëndimore, ka ekzistuar që herët, bile që para rënies së halifatit islam-osman, por që nuk ka qenë asnjëherë reale.
 
Pyetje: A mendoni se mes Shqipërisë dhe një Sirie demokratike në të ardhmen mund të ketë marrëdhënie më të gjera ekonomike, kulturore e diplomatike?
 
Përgjigje: Në Shqipëri, që nga viti 2009 ekziston konsullata e Sirisë, e cila është e varur drejtpërdrejt nga ambasada e Sirisë në Athinë (Greqi), dhe për Shqipërinë gjendet një konsull nderi, biznesmeni siriano-shqiptar Jahja Fervati. Në fakt, do të thoja që jo vetëm mes Shqipërisë dhe Sirisë demokratike, por prej kohësh mendoj se është dashur të ekzistojnë marrëdhëniet dypalëshe në aspektin kulturor, ekonomik, diplomatik etj. Siria ka një pasuri jashtëzakonisht të madhe kulturore që duhet “shfrytëzuar”. Kam hasur shumë pak shqiptarë të interesuar në aspekt të përgjithshëm për Sirinë, ndërkohë kam njohur sirianë që janë të interesuar për Shqipërinë dhe për lidhje të ndryshme mes dy popujve.
Mendoj se shteti shqiptar duhet të mendojë për hapjen e qoftë një konsullate të Shqipërisë në Damask, e cila do të shërbejë si urë lidhëse për lidhje të ndryshme me të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Në veçanti, mund të them që do të ishte një rast shumë i mirë dhe për shqiptarët (Arnautët) e shumtë që jetojnë në Siri, Jordani, Palestinë dhe Liban (Tokat e Shamit), për t’u lidhur sa më shumë me Shqipërinë në aspektin kulturor, ekonomik, turistik etj. me anë të një përfaqësie atje. Por, atje, si përfaqësues i Shqipërisë, duhet dërguar dikush që e njeh mirë vendin dhe rajonin, në mënyrë që të japë sa më shumë kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
 
Intervistoi: Armir TARAJ, Mars 2012
AO

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit