0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Armë, uniformë sikur ato të Banjkës dhe kontrabandë me pajisje ushtarake – çka sekuestroi Policia në veri të vendit dhe në pikë-kalimin kufitar Merdar?

Më të lexuarat

Policia e Kosovës një ditë më parë sekuestroi pajisje ushtarake në veri të Kosovës, ndërkaq Dogana e Kosovës njoftoi se ka parandaluar dy raste të kontrabandës me armë në pikë-kalimin kufitar me Serbinë, në Merdar.

Sekuestrimi i këtyre pajisjeve ushtarake u bë dy ditë pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thanë se Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij po përgatiten për sulme të reja.

Policia bëri të ditur se në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë realizuar një operacion kontrolli dhe aty kane gjetur: tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymuese, municion dhe një uniformë.

Sekuestrimi i këtyre mjeteve të rrezikshme ka ndodhur të hënën në orët e hershme, ku policia ka pranuar informatën se në lagjen e boshnjakëve përballë shkollës së mesme teknike janë fshehur disa gjëra (pajisje të rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin e realizimit të detyrave ligjore.

“Njësitet kompetente policore bazuar në informacione relevante pranuar nga qytetarët kanë ndërmarr veprime të menjëhershme hetimore dhe operative me ç’rast në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë realizuar një operacion kontrolli dhe aty kane gjetur: tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymuese, municion dhe një uniformë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thekson se uniforma e gjetur sot është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist në Banjskë në shtator të këtij viti.

“Veprime policore operacionale në teren ende po vazhdojnë me qëllim të identifikimit të mjeteve tjera të dyshuara në mënyrë që të parandalohet rrezikimi nga to, i qytetarëve apo të parandalohet ndonjë sulm ndaj Policisë se Kosovës që po punojnë për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofrimin e bashkëpunimit reciprok në funksion të garantimit të një sigurie më të madhe për të gjithë.

E në anën tjetër, edhe Dogana e Kosovës gjatë javës së kaluar ka zbuluar dy raste të tentimit të kontrabandës së armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake, në Merdar, pikë kalimin kufitar me Serbinë.

“Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollet me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Pas zbulimit, konform kompetencës ligjore, rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.

“Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganor janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolle të shënjestruara, për të parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet”, thuhet tutje në njoftim.

Dogana e Kosovës ka theksuar se ky është balanci që synon të mirëmbajë gjatë zbatimit të misionit të saj- kalim të lehtësuar, por të sigurt të kufirit shtetëror. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit