-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Arkivi i Kennedyt: Fjalimi që do ta niste Luftën e Tretë Botërore

Më të lexuarat

Mund të ishte fillimi i një lufte, nga ato që bota s’i kishte parë kurrë.

Filmat dhe librat e historisë kanë dokumentuar vijën që ka ndarë SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik nga konflikti bërthamor gjatë 13 ditëve të tetorit të vitit 1962, kulmi i Krizës Kubane të Raketave. Por, një fjalim i hartuar nga presidenti amerikan John F. Kennedy, i publikuar së fundi, vë në pah se sa afër kanë qenë palët që të nisin Luftën e Tretë Botërore.

Fjalimi6A2E71BB w268
Kennedy kishte planifikuar t’i thoshte publikut amerikan:

“Bashkëatdhetarët e mi amerikanë, me zemër të rënduar, dhe me domosdoshmërinë e përmbushjes së betimit tim, kam urdhëruar- dhe Forca ajrore e SHBA-së tashmë ka kryer- operacionet ushtarake vetëm me armë konvencionale, për të larguar armët bërthamore që po ndërtohen në tokën e Kubës”, thuhej në fjalim.

Fjalimi është pjesë e thekseve të një arkivi që përmban afër 3 mijë faqe shënimesh, transkriptesh dhe dokumente të tjera të mbajtura nga Robert Kennedy, i vëllai i presidentit dhe këshilltari i afërt. Ato janë postuar online nga Biblioteka Presidenciale John F. Kennedy dhe Muzeu në javën e kaluar, në kohën që koincidonte me 50 vjetorin e krizës.

Graham Allison është drejtor i Qendrës Belfer për Shkencë dhe Çështje Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit dhe një ekspert i Krizës Kubane të Raketave.

“Ajo që na sjell ndërmend ky dokument është se nëse presidenti Kennedy do të ishte i detyruar të zgjedhë se çfarë të bëjë në 48 ose 72 orët e para, pasi që SHBA zbuloi se Bashkimi Sovjetik po fuste raketat bërthamore në Kubë, ai do të kishte kryer një sulm ajror mbi ato raketa, ashtu si përpiqet të justifikojë fjalimi, dhe ne do të kishim parë zinxhirin e ngjarjeve që do të kishin pasuar. Ne do të kishim ardhur te lufta bërthamore”, thotë Allison.

Fjalimi i Kennedyt natyrisht se nuk është dhënë. Në vend të kësaj, lideri amerikan fuqizoi bllokadën detare të Kubës, dhe bota mbante frymën, derisa anijet sovjetike ktheheshin prapa.

Por, Kennedy ishte gjithashtu afër një sulmi, pas bllokadës së SHBA-së për të penguar operacionalizimin e raketave.

Në shënimet e tij, Robert Kennedy shkroi, “Nëse hyjmë, do ta kemi vështirë” – një referencë për pushtimin e madh tokësor të Kubës, që pritej të përcillej me afër 500 sulme me bomba.

Çfarë askush nuk e dinte në atë kohë në Uashington ishte se Moska tashmë kishte rreth 100 armë të vogla bërthamore, plotësisht operative në ishull, të cilat do të mjaftonin për t’i eliminuar forcat amerikane.

Sipas Thomas Putnam, drejtorit të Bibliotekës Presidenciale John F. Kennedy, spektri i luftës e ka detyruar shkrimtarin e zakonshëm të fjalimit të presidentit, që të mos e kryejë detyrën e tij.

“Diku thuhet se Ted Sorensen, i cili ka shkruar shumicën e fjalimeve të tij, dhe unë mendoj se ai shkroi edhe atë ku ia bën të ditur botës zbulimin e raketave, i tha presidentit Kennedy se ai nuk mund ta shkruajë atë fjalim – se ai mendon se ne nuk duhet të kryejmë pushtimin dhe se nuk mund të shkruajë fjalët që ndoshta do të mbështesnin një invazion që do të çonte në një shkëmbim bërthamor. Kështu që unë besoj se autori i fjalimit ishte McGeorge Bundy(Këshilltar i Sigurisë Kombëtare)”, thotë Putnam.

Pas disa ditëve të diplomacisë thumbuese, Moska u zotua se do të tërheqë armët e saj dhe Uashingtoni u zotua se do të qëndrojë jashtë Kubës.

Një dokument tjetër i shquar në arkiv është një skicë e bërë nga Robert Kennedy që i ndan këshilltarët e presidentit dhe udhëheqësit ushtarakë në ithtarë të një bllokade dhe ithtarë të një sulmi- burrat që njihen në histori si “pëllumbat dhe skifterėt”. Shigjetat dhe pikëpyetjet tregojnë se disa nuk ishin të sigurt e cila ishte alternativa më e mirë.

Ka edhe memorandume të tjera mbi një operacion të dështuar, që planifikonte ta përmbyste udhëheqësin kuban Fidel Kastron.

Dokumentet e CIA-s gjithashtu përshkruajnë invazionin e dështuar në Gjirin e Derrave dhe një plan të vitit 1964 për vrasjen e Kastros me lidhje me mafian.

“Këto dokumente shërbejnë si lëndë e parë e historisë. Ato ju lejojnë të shihni të menduarit e Robert Kennedyt, të shihni shënimet, dhe shqetësimet e tij. Meqë ai ishte një lojtar kyç në krizën kubane të raketave, duke i pasur këto dokumente ndihmohet sjellja e hisrotisë në jetë”, tha Putnam.

Allison Universiteti i Harvardit nënvizon një detaj nga arkivi.

“Bobi ka shënimet e tij pas një konference të mbrojtjes civile, në të cilën janë dëgjuar planifikimet mbi atë se çka mund të ndodhë në qoftë se ata zgjedhin veprimet që do të përfundonin në sulme, dhe ai shkruan 42 milionë, dhe 90 milionë. Këto, unë konkludoj, se janë përgjigje për pyetjen se sa amerikanë u do të mund të vdisnin nëse sulmon së pari SHBA dhe nëse pret që së pari të sulmojë Bashkimi Sovjetik, në të cilin rast do të vdisnin 90 milionë amerikanë. Pra, këto janë shifra të pabesueshme, nëse përpiqeni të mendoni për to. Por, janë në dorëshkrimin e tij, të nënvizuara”, thkeson Allison.

Ai thotë se e pyet veten: “Kush në botë mund të imagjinonte atë duke u përpjekur që të zgjedhë në lidhje me diçka që ka pasoja të tilla të rëndësishme?”/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit