-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Arenë…

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Arenë…

Ishte viti 1896, kur një zonjë dyzet vjeçare nga Britania humbi jetën në një aksident automobilistik. Shkaku kryesor i aksidentit ishte shpejtësia e madhe e automjetit. Asokohe, makinat nuk ecnin më shumë sesa tetë milje në orë, ndërkohë që shpejtësia maksimale e lejuar ishte vetëm katër milje në orë! Njëri nga hetuesit, asokohe qe shprehur:”Urojmë që diçka e tillë të mos përsëritet kurrë!”
Ai nuk e dinte se numri i atyre që vdesin çdo vit për shkak të aksidenteve automobilistike do e kalojë një milion e treqind mijë persona dhe se shifra është në rritje për të arritur në 2020 në dy milionë.
Shumica e tyre janë prej të rinjve, në kulmin dhe në moshën më të bukur.
Organizata Botërore e Shëndetit thekson se Arabia Saudite zë vendin e parë në rang botëror për nga vdekjet e shumta si pasojë e aksidenteve me makinë.
Humbjet ekonomike të Arabisë Saudite nga aksidentet janë mbi 25% e humbjeve të gjithë vendeve arabe, mbi 24 miliardë rialë në vit, kësaj shtoji 25 miliardë rialë për trajtimin e të aksidentuarve.
Dy ekspertë amerikanë po punojnë për shpikjen e një çelësi makinash, i cili i pengon shoferët që të bisedojnë në telefon, të dërgojnë mesazhe kur janë në timon dhe akte të tjera të cilat konsiderohen të rrezikshme dhe shkak i aksidenteve.
Çelësi është i tillë që nuk i lejon shoferët të fokusohen tek telefoni, por tek rruga.
Një studim në Berlin, tregoi se dremitja në timon mund të jetë shkaktar i aksidenteve më të rënda sesa ato nën efektin e lëndëve alkoolike.
Sado të jenë këshillat e prindërve, zakoni i angazhimit me sjellje të tjera përveç vozitjes, është bërë i pakontrollueshëm.
I rrëshqiti nga dora kanoçja e pepsit dhe ai qëndroi ta marrë, por pa dashje, teksa dilte nga makina shtypi pedalin e gazit dhe makina fluturoi. Pasoja ishte tragjike, vdiq.
Një tjetër sapo kishte marrë rrogën e parë dhe ishte mjaft i ekzaltuar. Teksa ngiste makinën, numëronte qindëshet njëra pas tjetrës. Në një moment, një qindëshe i fluturon në ajër, gjë e cila gati sa nuk shkaktoi një aksident të rëndë.
Rreziku ndonjëherë shfaqet si formë heroizmi tek adoleshentët, të cilët mburren me shpejtësinë dhe spektaklin që ofrojnë.
Një i ri ishte mësuar ta mbushë makinën e tij me të rinj dhe të ndërmarrë aventura që shkaktojnë habi, të qeshura, duartrokitje dhe histori që ua rrëfen të tjerëve më pas!
Është afruar shumë distanca mes makinave për shkak të trafikut të rënduar, të shpejtuarit dhe kulturës së vozitjes, e cila karakterizohet nga reflekset e mprehta, por që u mungon siguria!
Vënia e rripit të sigurisë, me lejen e Zotit, redukton 50% të rreziqeve të aksidenteve. Vetë zakoni dhe tradita e bën diçka të rëndë për ta vënë për vete, ose për t’ua vendosur të vegjëlve tanë. Ka disa që i nxjerrin fëmijët nga dritaret e makinës, madje edhe nga tavani i tyre. Mosnjohja me ndihmën e shpejtë në rast aksidenti, i dyfishon humbjet.
Zgjedhja e makinës së papërshtatshme, si makinat e garave vjen për shkak të llastimit të rinjve.
Sipas një studimi, një nga shkaktarët e nxitimit dhe shpejtësisë së madhe të rinjve, është fakti se ata e kanë mësuar guidimin në moshë të hershme. Te të rinjtë, dëshirat dhe hobet formohen në moshën mes dhjetë dhe njëzetë vjeçare, pra në adoleshencë. Kur i riu mëson makinën në këtë moshë, tek ai krijohet dëshira për ta ushtruar si hob në vetvete, duke i shkelur të gjitha kufijtë gjatë guidimit të makinës.
Makinat, tashmë janë një kriter në vetvete për vlerësimin e zhvillimit të një shoqërie apo prapambetjes së saj, si në prodhimin ashtu dhe në përdorimin e tyre. Prandaj dhe shihet qartë dallimi mes vendeve prodhuese të makinave dhe atyre konsumuese.
Si është nga brenda makina jote? Në makinën e një adoleshenti, gjen rroba të brendshme të përziera me librat e shkollës, kanoçe pijesh me gaz, facoleta të grisura, një këpucë të  cilës i ka humbur motra e saj, mbetje ushqimi…!
Të njoh nga makina!
Makina e të ardhmes e zgjon shoferin nëse e zë gjumi ose dremit, njëlloj si gruaja e mirë! Ajo ka edhe goma inteligjente të cilat eksplorojnë rrezikun, është mike e ambientit, konsumon energji tjetër veç naftës, kontakton me prodhuesin kur ndodh ndonjë defekt dhe merr prej tij udhëzimet përkatëse.
Që ta kesh një makinë të tillë, të duhet që aktualisht, sa herë të të zërë gjumi dhe të dremitësh në makinë, të ndalosh dhe të marrësh një sy gjumë. Gjithçka është e mundur me lejen e Zotit.
Mësohu të kesh kohën e duhur për të vajtur diku, pa pasur nevojë të përdorësh shpejtësinë e lartë që të arrish në orar.
Mos luaj rolin e edukuesit të tjerëve teksa nget makinën, mjafton të edukosh veten.
Mos supozo vetëdije dhe vigjilencë për ata që të rrethojnë, pasi edhe ata mund të jenë improvizues në guidë.
Mos u bëj egoist dhe kiji parasysh gjithmonë ata që gjenden pas makinës tënde, jepu të drejtën e shfrytëzimit të rrugës, përdor sinjalistikën sa herë që do të kthesh majtas apo djathtas. Njëkohësisht, kujtoji shpesh njerëzit në shtëpi, pasi të presin me padurim tu shkosh shëndoshë e mirë.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit