3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Arbnora nga Skenderaj, synon rekordin e Guinness-it (Video)

Më të lexuarat

Arbnora Fejza Idrizi nga komuna e Skenderajit po tenton ta thyejë një rekord të veçantë në Librin Guinness, me lulen më të madhe në botë të punuar nga një letër e vetme, me një diametër prej nëntë metrash. Sot Arbnora dhe ekipi i saj kanë kryer provat e fundit, dhe janë duke përgatitur materialin që t’ua dërgojnë zyrtarëve të Guinness-it.

“Ky projekt njihet si art origami, që punohet me një letër, dhe unë po synoj rekordin botëror me përmasa 13×13 metra, do me thanë dikun rreth 169 metra katrorë… Unë po shpresoj, sepse gjatë punës sime kam hasur në sfida shumë të mëdha, sepse nuk ka qenë vetëm një thyerje, kanë qenë 23 thyerje (të letrës) për ta arrit këtë lule, edhe ndoshta forma dhe pamja për sy duket paksa jo e bukur, po sikur ta analizosh pjesën tjetër, vërehet që është një punim mjaft i vështirë për t’u realizuar”, ka thënë Fejza-Idrizi.

Arbnora ka treguar që për këtë projekt ka marrë përkrahje nga komuna e Skenderajt dhe ka inkurajuar të rinjtë që të merren me aktivitete të tilla, sepse, siç ka thënë ajo, sot rinia ka edhe mundësi më të mëdha. Ajo ka treguar për KosovaPress se ka aplikuar edhe për rekorde të tjera se nuk do të ndalet me kaq.

Ndërsa Ramiz Shala, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Skenderajt, ka thënë se ky sukses i Arbnores është nder dhe kënaqësi për komunën e Skenderajt, dhe ka thënë se ky sukses tregon një vlerë të të rinjve të kësaj komune. Ai ka treguar se bashkë me kryetarin e kësaj komune, Bekim Jasharin, kanë i ofruar përkrahje Arbnores për ta realizuar këtë punim.

“Unë uroj që ekspertë të Guinness-it ta vlerësojnë drejt punën dhe përkushtimin e zonjës Arbnora. Sigurisht që na e kemi mbështetë me përkushtim, me mundësitë që ka komuna e Skenderajt, pa marrë parasysh cilat janë ato kostot buxhetore, edhe pse me buxhet, ju e dini që na nuk jena shumë mirë, por megjithatë, përtej kësaj, jo gjithmonë vetëm buxheti dikton se sa ti mundesh me ba për të mira. Mundet, nganjëherë mjafton të kesh vullnetin e duhur, të gjesh njerëzit e duhur, dhe sigurisht, punë të duhura”, ka thënë Shala.

Gjatë këtij projekti, Arbnores i ka ndihmuar edhe profesori Agim Agushi, i cili njihet zyrtarisht si shqiptari i parë që ka thyer rekorde të Librit Guinness, si dhe ka thyer 23 rekorde botërore në 23 disiplina të ndryshme. Ai ka treguar se ndihet i priviligjuar që po e ndihmon Arbnoren në një punim të tillë dhe ka thënë se ndihet i lumtur që një vajzë nga Skenderaj pritet të hyjë në Librin e Rekordeve të Guinness-it.

“Pasi Arbnorës iu është dhënë leja nga Libri i Guinness-it që ta punojë këtë punim, dhe kjo, sipas të gjitha gjasave i ka plotësu ato kriteret që janë kërku nga Libri i Guinness-it, dhe kam një besim dhe shpresoj shumë, shumë, shumë se arbitri do ta pranojë këtë rekord si rekord të Guinness-it, kështu që pas dy muj dite, edhe Skenderaj edhe gjithë qytetarët, por edhe në përgjithësi Kosova do të krenohet, se edhe një femër, një motër e jona, nji nanë e fmive, u fut në Librin e Rekordeve të Guinness-it”, ka thënë Agushi.

Agushi ka thënë se institucionet po i neglizhojnë talentet e rinj, por ai u ka bërë thirrje të rinjve që të mos dorëzohen, që tregojnë talentet e tyre në mënyrë që t’i përkrahë edhe shteti.

Aktualisht, lulja më e madhe në botë e punuar me një letër të vetme, ka një diametër prej pesë metrash, rekord të cilin pritet ta thyejë Arbnora Fejza Idrizi, me lulen e saj me diametër prej nëntë metrash. / D. Morina/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit