1.7 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

ARAFATI DHE HAXHI LAMTUMIRËS!

Më të lexuarat

Njerëzimi ende nuk e kishte shpikur orën, mirëpo Bilall Habeshiu e dinte saktësisht kur hyn koha e ezanit të drekës, prandaj u ngjit mbi një shkëmb dhe i thirri njerëzit me fjalët: “Allahu ekber!”
Dhe përnjëherë, që të gjithë u rreshtuan në vendet e tyre për të falë namaz.
Ebu Bekr el-kureshij, Suhejb er-rumi, Selman el-farisi, Ebu Dherr el-gifari, Muhamed ibn Mesleme el-Evsi, Sa’d ibn
Ubade el-hazrexhij!
Kështu, pra, i bashkoi Islami nga të gjitha viset siç nuk mund ta bënte askush më parë dhe siç nuk do të mund të bëjë askush më pas!
Pastaj, mbi kodrën Rahmeh u ngjit një njeri për të mbajtur një fjalim, njeriu i cili para njëzet e tre vitesh doli nga një shpellë e errët në Meke për ta ndriçuar tërë botën!
Njeriu i pashkollë i cili i mahniti të shkolluarit, jetimi i cili i edukoi baballarët dhe nënat, i varfëri i cili solli zeqatin, sadakanë dhe drejtësinë sociale, politikani gjenial i cili e nënshtroi Gadishullin Arab pa pasur diplomë në marrëdhëniet ndërkombëtare, luftëtari sypatrembur i cili e nxori zemrën e tij para se ta nxirte shpatën, me ç’rast ia mësoi botës moralin e luftës pa qenë i diplomuar në akademi ushtarake!
Të gjithë e prisnin me padurim fjalimin e tij, ngase i njoftoi se mbase nuk do t’i takojë prapë vitin e ardhshëm, kështu që heshtja mbretëroi vendin duke dashur të kuptojnë se çfarë do t’u thoshte!
Atë ditë, ai nuk u dha dekorata të afërmve të tij. Madje, kamata e parë që e shfuqizoi ishte kamata e xhaxhait të tij dhe gjakmarrja e parë që e zhduku ishte gjakmarrja e birit të xhaxhait të
tij.
Kështu, gjakmarrja dhe kamata janë haram në fenë e tij, qoftë edhe për fisin Benu Hashim.
Ai deshi t’na tregonte praktikisht se askush nuk është mbi ligjin, qoftë ai i afërm me kryetarin e shtetit!
Ai i porositi burrat që të sillen mirë me gratë, duke e bërë gruan njërën nga përgjegjësitë e burrit, e jo njërën nga pronat e tij!
Iu drejtua njerëzve me fjalët: “Vërtet, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një; të gjithë jeni nga Ademi, e Ademi është nga dheu!”
Ai deklaroi botërisht se njerëzit vlerësohen sipas veprave të tyre, e jo sipas origjinës së tyre.
Edhe më parë, ai pati njoftuar se xhaxhai i tij kureshit është në zjarr, e në anën tjetër e dëgjoi në xhenet zërin e nallaneve të shokut të tij që ishte rob etiopian!
Pastaj, tha: “O ju njerëz, vërtet gjaku juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë për ju, siç është e shenjtë kjo ditë juaja në këtë muaj tuajin dhe në këtë vend tuajin.
Vini re! A e kumtova mesazhin?
O Allah, dëshmo!”
Sikur e dinte mirë se çfarë do t’i bëjmë ne njëri-tjetrit, prandaj i kërkoi Zotit të dëshmojë ndaj nesh që e ka përcjellë mesazhin!
Dhe ja ku jemi ne sot, feja e cila filloi me një njeri, u bë umet i tërë! Ja edhe Arafati, vendi i çlirimit nga zjarri. Myzhde për ata që ndodhen atje! Zoti krenohet me ta para melekëve.
Kurse ne, o Zot, ne na iku qëndrimi në Arafat, mirëpo nuk na iku qëndrimi pranë derës Tënde!
Kemi ardhur tek Ti me shumë gjynahe. Ne nuk i bëmë ato duke e shpërfillur mbikëqyrjen Tënde, mirëpo në kryerjen e tyre na trimëroi butësia Jote me të cilën u mësuam dhe mbulesa Jote që e lëshon përherë mbi ne, prandaj të lutemi, o Allah, mos na kthe pa i falur gjynahet tona!

(Ed’hem Sherkavi, Kur fletët shpalosen, përktheu: Jahja Hondozi)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit