“Nëse i marrim parasysh përgjegjësitë e tyre në Mekë dhe Medine, sipas meje qeverisë së Rijadit duhet t’i jepet një rol qëndror për këtë çështje (Kudsin dhe Mesxhid-i Aksa-në)”, tha Herzog
KUDS (AA) – Lideri i opozitës kryesore në Izrael, Ishak Herzog propozon që Arabia Saudite të marrë rol në menaxhimin e Mesxhid-i Aksa-së, i cili ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lideri i opozitës kryesore të Izraelit, Herzog në një intervistë për gazetën Ilaf të Arabisë Saudite me qendër në Londër, tha se Arabia Saudite duhet të ndihmojë për “ringjalljen” e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, i cili është ndërprerë. Sipas tij, në të ardhmen qeverisë së Rijadit duhet “t’i jepet rol qendror” në marrëveshjet në lidhje me Mesxhid-i Aksa-në.
Ai lavdëroi rolin e ndërmarrë nga Arabia Saudite në vendet e shenjta Islame dhe theksoi se qeverisë së Rijadit duhet t’i jepet rol në Mesxhid-i Aksa.
Duke e vlerësuar princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, Muhammed bin Selmanin si “një nga revolucionarët më të mëdhenj në Lindjen e Mesme”, Herzog thotë se “Do të ketë negociata për vendet e shenjta si Kudsi dhe Aksa. Sauditët kanë përgjegjësi të madhe në vendet e shenjta të Islamit. Nëse i marrim parasysh përgjegjësitë e tyre në Mekë dhe Medine, sipas meje qeverisë së Rijadit duhet t’i jepet një rol qëndror për këtë çështje (Kudsin dhe Mesxhid-i Aksa-në)”.
Herzog tha se disa herë është takuar me presidentin e Palestinës, Mahmud Abbas. Ai thotë se nuk i bashkangjitet mendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump se “Shumë shpejtë do të ketë paqe mes Izraelit dhe Palestinës”.
Herzog thotë se popujt e Izralelit dhe të Palestinës kanë përjetuar ditë të vështira.
“Në anën tonë ka një humbje të shpresës, kurse për palestinezët një bllokim të rrugës. Kur hyhet në rrugë të mbyllur, përpara dalin hapat e njëanshëm. U bëj thirrje të gjithëve që t’u shmangen hapave të njëanshëm dhe që të bëhen më racionalë. Sipas meje Arabia Saudite ka një rol të madh në këtë fazë”, tha Herzog.
Herzog është lideri i tretë izraelit, i cili dha intervistë gjatë javëve të fundit për gazetën e Arabisë Saudite Ilaf. Gjithashtu edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit Gadi Eisenkot dhe ministri i Transportit dhe të Inteligjencës Yisrael Katz më parë në intervistat e tyre për gazetën Ilaf dhanë mesazhe të mira për Arabinë Saudite.